CIA ka dhënë detaje mbi vendet se ku strehoheshin rivalët e regjimit komunist. Pas çlirimit dhe largimit të gjermanëve, shumë kundërshtarë të Hoxhës u arratisën. Por CIA ka pasur të dhëna të sakta se ku jetonin ata, duke filluar nga Egjipti e Siria, e deri në Turqi.
Refugjatët shqiptarë në lindje të Mesdheut
Shumica e refugjatëve shqiptarë që jetojnë në Turqi, Egjipt, Siri, Greqi e Itali sillen rreth tre grupimeve kryesore politike: Balli Kombëtar i drejtuar nga Mit’hat Frashri, Partia Monarkiste e ish-mbretit Zog dhe Blloku Kombëtar Indipendent i drejtuar nga Ismail Vërlaci.
Turqia
Në Turqi llogariten rreth 300 refugjatë shqiptarë, me të cilët është aktualisht dhe Mit’hat Frashri, presidenti i Ballit Kombëtar, i cili po përpiqet të krijojë një front të bashkuar të refugjatëve shqiptarë. Nëse e arrin këtë ai shpreson të sigurojë njohjen nga fuqitë e mëdha, të ngjashme me njohjen e Dimitrov të Bullgarisë. Frashri dhe ndjekësit e tij besojnë se qeveria e Hoxhës nuk mund të përmbyset pa një përpjekje të gjerë e të organizuar. Ata besojnë se tentativa e përmbysjes së pushtetit duhet të mbështetet me një furnizim të gjerë armësh e municionesh, dhe një forcë e konsiderueshme nacionalistësh shqiptarë. Ata besojnë se çdo tentativë e tij do të hasë rezistencën e autoriteteve sovjetike dhe se masa e lartë të kontrollit të komunistëve në vend nuk lejon që rezistenca të nisë në Shqipëri, prandaj ajo duhet të nxitet dhe të përgatitet nga jashtë.
Lëvizjet e Zogut
Gazi Khan Bessolt pretendon dhe ndoshta është, përfaqësuesi kryesor i ish-mbretit Zog në Shqipëri, ndërsa policia sekrete turke për arsyet e tyre thonë se Avni Derella ish-koloneli i ushtrisë së Zogut, është përfaqësuesi i tij në Turqi. Gazi Khan thotë se Zogu e ka bërë vazhdimisht të qartë se do të pranojë mënyrën e qeverisjes së vendosur nga vetë shqiptarët në mënyrë plebiçitare, pas përmbysjes së regjimit të Hoxhës. Ai shton se ish-mbreti Zog është i gatshëm të bashkëpunojë me grupe të tjera patriotësh në ekzil për përmbysjen e qeverisë komuniste. Gaza Khan beson se aktualisht është momenti i volitshëm për të tentuar revolucionin në Shqipëri dhe ky revolucion do të fitonte edhe pa mbështetjen ushtarake të fuqive të mëdha Perëndimore. Kjo pikëpamje e tij optimiste ndoshta vjen prej karakterit aventurier të Khan dhe nuk mund të konsiderohet informacion i besueshëm. Një oficer i konsullatës së përgjithshme të cilit i kërkova informacione mbi shqiptarët, tha: “Nuk ka shumë për të mësuar, turqit u nxjerrin atyre çdo copë informacioni para se të lirojnë të sapoardhurit dhe refugjatët e vjetër janë vetëm të interesuar në mbështetjen e tyre financiare dhe vende pune për të afërmit”. Ky ishte opinioni i sinqertë i një oficeri por mua më duket se kemi nevojë të rivendosim zyrën tonë të raportimit në Stamboll, nën drejtimin e një oficeri me eksperiencë që të dijë të shfrytëzojë në maksimum burimet e informacionit. Mendoj se kjo është e rëndësishme dhe urgjente jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet prapa Perdes së Hekurt. Për këtë detyre njeri i përshtatshëm është Roy Melbourne.
Egjipti
Këtu raportohet se janë 50 refugjatë kryesorë shqiptarë, thuajse të gjithë mbështetës të ish-mbretit Zog ose të zyrtarëve të tjerë që kanë marrë azil në Egjipt me ndërhyrjen e Zog. Nga emrat kryesorë janë Stir Martini, ministër i oborrit, kolonel Hysen Selmani, nipi i tij Princi Sali, Qemal Bej Mesaria, kolonel Abaz Kupi, lider gueril dhe themelues i partisë zogiste të Legalitetit; Abdul Scola ish-i dërguari shqiptar në Kairo para luftës; profesor Gogo Gago kujdestar i motrave të Zogut; Musa Juka ministër i Brendshëm gjatë regjmi të Zogut, Mithat bej Frashëri, Mustafa Kraja, Xhafer Deva, ministër i Brendshëm gjatë pushtimit gjerman, Koço Maha, Ali Këlcyra dhe Sali Myftia nga Shkodra. Që prej ardhjes së tij në Kairo në pranverë 1946 Zogu ka pasur marrëdhënie të mira me mbretin egjiptian Faruk dhe me familjet mbretërore italiane dhe bullgare që strehohen aty. Ai ka qenë aktiv në ndërtimin e reputacionit të tij mes elementëve shqiptarë të emigracionit, kryesisht duke u kujdesur për krijimin e kolonisë shqiptare në Lindjen e Afërt. Dëshira e Zogut është të formojë një qeveri mbretërore në emigracion ose në pamundësi të saj, një komitet kombëtar çlirimi nën dominimin e tij. Ai ka thënë se dëshiron të marrë pjesë aktive në luftën kundër komunistëve në Shqipëri dhe se do të linte në dorë të shqiptarëve të vendosnin se cili duhet të udhëheqë vendin. Por me gjithë fjalët e tij të bukura ai nuk ka treguar shumë vullnet për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të gjerë mes grupeve të ndryshme shqiptare, sidomos me grupet ish-rivale. Miqësia e tij me mbretin egjiptian Faruk, aftësitë për intriga dhe prestigji i pozitës së tij të mëparshme duhet të merren në konsideratë në çështjen e influencave të ndryshme për lëvizjen e mundshme të revolucionit. Ambasada jonë në Kairo në një nga raportet e informacionit vjeshtën e shkuar ka thënë se “Asnjë nga shqiptarët e këtushëm nuk na ka kontaktuar në gjashtë muajt e fundit”. kjo do të thotë se ata nuk kanë qenë aktivë në ndjekjen e problemit shqiptar nga këndvështrimi perëndimor, ndoshta ngaqë kanë menduar se Departamenti nuk është i interesuar.
Siria
Këtu besohet se ka rreth 150 refugjatë politikë shqiptarë, shumica e të cilëve janë myslimanë që kanë ardhur nga Italia dhe janë pranuar me ndërhyrjen e ish-mbretit Zog. Ata raportohet se nuk janë të lumtur me vendin e ri he dëshirojnë të kthehen në Itali për të emigruar në vendet Perëndimore.
Greqia
Në Greqi aktualisht ka rreth 500 refugjatë shqiptarë, nga të cilët 350 priten të largohen drejt Italisë. Në Greqi do të mbeten të moshuarit dhe të sëmurët. Aktualisht nga emrat më të rëndësishëm mes tyre është figura e Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Ndërsa mes zogistëve të njohur janë major-gjeneral i ushtrisë pro-gjermane Previsi, koloneli Hysni Duma dhe kolonel Fikri Dine. Nëse qeveria Greke përpiqet të ndalojë largimin e figurave të rëndësishme shqiptare ambasada jonë do të ndërhyjë në mbrojtje të tyre.
Itali
Në Itali besohet se jetojnë rreth 1500 refugjatë shqiptarë, gjysma e të cilëve në kampet e pas-luftës. Të tre grupet kryesore politike janë të përfaqësuar aty. Balli Kombëtar përfaqësohet nga sekretari Vasil Andoni, Halil Maçi, Jani Doli, Siad Kryeziu, Zef Pali e Hasan Dosti. Blloku Kombëtar Indipendent përfaqësohet nga Islamil Verlaci, Ali Vrinoi, Zhemil Doni, Ernest Koliqi dhe Kol Markaj. Zogistët përfaqësohen nga Ferid Dervishi e Zef Skrexhi. Fatmirësisht në Itali ne kemi oficerë me eksperiencë që janë vigjilentë ndaj mundësive që hapen, dhe me marrjen e instruksioneve janë aktivë ndaj zhvillimeve.
Rekomandime
Nuk ka gjasa që drejtuesit e tre grupeve kryesore të refugjatëve shqiptarë të gjejnë vetë një marrëveshje afatgjatë. Ata mund të bashkohen përkohësisht nga urrejtja për armikun e përbashkët, që janë komunistët që tashmë udhëheqin vendin, por ata nuk do të harrojnë kurrë se janë përfaqësues të grupeve që kanë lindur vetëm nga urrejtja për njëri-tjetrin. Prandaj ne besojmë se uniteti mes tyre nuk do të arrihet shpejt me konsensus të përbashkët, por ndoshta duke ngritur një grup të fuqishëm ku dhe grupet e tjerë të bëhen pjesë thjesht për të mbijetuar. Mendoj se kjo mund të arrihet nëse qeveria jonë sinjalizon se megjithëse jo zyrtarisht dëshiron që një grup të marrë drejtimin e përpjekjes anti-komuniste, ajo kërkon të shohë të gjitha grupet e unifikuara me të përkohësisht, deri në largimin e komunistëve nga pushteti dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Zgjedhja e grupit që dëshirojmë të mbështesim do të bëhet duke peshuar opsionet mes tre grupeve kryesore, si reagimet në Shqipëri dhe në botën demokratike. Opsioni më i mirë për ne duket Mit’hat Frashri, presidenti i Ballit Kombëtar. Nëse zgjedhim atë është e rëndësishme të kujtojmë se prej moshës dhe karakterit të tij duhet të shndërrohet në një figurë simbolike udhëheqjeje dhe jo si mendja aktive e lëvizjes. Ky funksion mund t’i lihet një prej zëvendësve të tij si Jani Doli e Abaz Ermenji. Nëse jemi të gatshëm të ndjekim këtë linjë logjike atëherë unë jam i gatshëm të udhëtoj drejt Egjiptit për ta prezantuar problemin te ambasada jonë në Kairo, në mënyrë që ata të mos kenë kundërshtime për të dërguar Horatio në takim me përfaqësuesit e Zogut. Me të ne do të shpjegojmë pozitën e SHBA dhe do i ofrojmë mundësinë për të vënë në zbatim fjalët e tij të bukura për luftën kundër komunizmit. Ky veprim do të shënonte plotësimin e kushtit të dytë fillestar të përgatitjes së operacionit të suksesshëm shqiptar
Radio
Deri tani nuk ka programe të Zërit të Amerikës që mund të dëgjohen në Shqipëri, por kjo është diçka e nevojshme dhe duhet të realizohet menjëherë. Është e nevojshme të rrënjosim dhe të zhvillojmë te populli shqiptar mendësinë se ata janë jashtë botës demokratike vetëm përkohësisht, dhe se bota e njeh të drejtën e tyre për ekzistencë të pavarur dhe se ka simpati për katastrofën që e ka pllakosur vendin që prej vitit 1939. Përvjetori i dhjetë i pushimit fashist do të ishte një datë e përshtatshme e nisjes së transmetimeve shqiptare të Zërit të Amerikës. Më vonë tekstet e tyre mund të përdoren dhe nga radio Selaniku e radio Athina. Një vit më parë u hartua plani për Radio Selanikun dhe verën e shkuar u dërguan pajisjet nga Italia në Greqi. Por përgatitjet kanë ndaluar pasi kur arritën pakot e pajisjeve me emrin në kod “Dora” autoritetet refuzuan kalimin e tyre. Me sa duket një punonjëse e re e konsullatës sonë në Senanik quhet Dora dhe priste t’i vinin disa sende personale nga SHBA. Kështu që kur erdhën kullat e dinamor e radios me emrin Dora zyrtarët e doganave u habitën dhe kërkonin informacione të detajuara për të lejuar kalimin e tyre. Dërgesa u vonua disa muaj deri autoritetet kuptuan se “Dora ishte një emër në kod për një projekt qeveritar dhe nuk kishin lidhje me punonjësen e re amerikane. Është zgjedhur toka e përshtatshme dhe arkitekti i qendrës së transmetimit. Disa vonesa të tjera administrative pasuan por pengesa kryesore ka qenë një “Moratorium për ndërtimin e stacioneve radio në Selanik” për të cilin nuk kemi marrë ende përjashtim. Vendasit kërkojnë që ne të sjellim pajisjet teknike dhe të ruajmë pronësinë, ndërsa grekët të furnizojnë me materialet dhe shërbimet lokale. Një komitet i përbashkët greko-amerikan do të operojë stacionin pas një periudhë fillestare testimi. SHBA do të ketë kontrollin e përmbajtjes së programeve. Me sa kuptojmë pengesa e nënshkrimit nga ministri i financave vjen pasi ata dëshirojnë që pajisjet të mbeten pronë e qeverisë greke pas përdorimit të stacionit. Ambasadori është interesuar për projektin dhe shpresojmë që marrëveshja të arrihet së shpejti dhe stacioni të nisë transmetimet brenda katër muajve.












































