Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në kryeqytet. Mësohet se rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm persona ende të paidentifikuar i kanë bërë atentat një 43-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “maji” në kryeqytet, ku është qëlluar disa herë me pistoletë drejt Edmond Kollarit, 43-vjeç. Ka qenë Kollari i cili pasi i ka shpëtuar plumbave ka lajmëruar menjëherë uniformat blu. Edmond Kollari është shoferi i ekskavatorit, që aksidentoi për vdekje 17-vjeçarin, Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, ngjarje kjo e ndodhur 7 gusht 2016. Burimet thanë se mbi shoferin e ekskavatorit Edmond Kollari, është qëlluar disa herë, por asnjëri nga plumbat nuk e ka prekur. Menjëherë është ngritur një grup hetimor për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Dyshimet e parë janë se atentati ndaj 43-vjeçarit, është bërë për shkak të hakmarrjes. Kjo pasi Edmond Kollari është arrestuar dy vite më parë si person i akuzuar për aksidentin me pasojë vdekjen e 17-vjeçarit. Ardit Gjoklaj në impiantin e mbetjeve në Sharrë, ku 43-vjeçari punonte si fadromist. Pas ndalimit nga policia, Edmond Kollari u la i lirë nga Gjykata e Tiranës, pasi nuk u gjetën prova në ngarkim të tij. Policia e Tiranës për atentatin ndaj 43-vjeçarit, ka dhënë detaje mesditën e djeshme, duke thënë se mëngjesin e së hënës, në rrugën “5 Maji”, ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të një 43-vjeçari. “Rreth orës 06:30 të mëngjesit në numrin e Emergjencave 112 ka ardhur një telefonatë nga shtetasi E. K., 43 vjeç, i cili njofton se në rrugën “5 Maji”, një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij e më pas është larguar. Shtetasi E. K., nuk ka pësuar lëndime, ndërsa shërbimet e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit”, sqaroi policia në lidhje me atentatin ndaj 43-vjeçarit.
43-vjeçari u shpall i pafajshëm
Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen aksidentale të të miturit Ardit Gjoklaj në vitin 2016-të në landfillin e Sharrës në Tiranë. Nën akuzë për ngjarjen e bujshme ishin shoferi i fadromës së firmës që grumbullonte mbeturinat, Edmond Kollari, dhe përgjegjësi i turnit të firmës, Dëfrim Hakrama. Vendimi i Gjykatës së Tiranës është dhënë pak kohe me pare dhe dy të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata, pasi sipas saj nuk ka prova të mjaftueshme për vrasjen aksidentale të të miturit Gjoklaj, që punonte në landfill kundër ligjeve në fuqi. Ardit Gjoklaj u gjet i pajetë në gusht të vitit 2016-të në landfillin e Sharrës. Në atë kohë pati shumë spekulime për ngjarjen. Në fillim u tha se ai ishte vrarë dhe transportuar në landfill, por më pas u zbulua e vërteta. I mituri punonte në landfill edhe pse nën moshë dhe pa asnjë siguri për jetën. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Tiranës, Dëfrim Hakrama dhe fadromisti Edmond Kollari nuk kanë respektuar rregulloren për mënyrën e punës në landfill, ku Gjoklaj humbi jetën nga përplasja me fadromën. Prokuroria kërkoi 9 vite burg për dy personat e lartpërmendur.
Vdekja e 17-vjeçarit
Në datën 7.8.2016, rreth orës 14.20, Policia Gjyqësore u njoftua se në vendin e quajtur “Landfilli i Sharrës” Tiranë ishte gjetur një kufomë në grumbullin e mbeturinave pranë sheshit të riciklimit. Kufoma ishte e seksit mashkull, në të cilën, nga këqyrja që iu bë u vërejtën plagë të shumta, si ato të shkaktuara nga mjete të tonazhit të rëndë. Trupi i dëmtuar i këtij shtetasi u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku u bë dhe identifikimi i tij dhe rezultoi se ishte shtetasi Ardit Gjoklaj, i datëlindjes 1999 (17 vjeç), lindur në Tropojë dhe banues në Kombinat, Tiranë. Ardit Gjoklaj punonte në landfillin e Sharrës, prej afërsisht një muaji, aty ku subjekti “3R” sh.p.k ushtronte aktivitetin e përpunimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane në bazë të një aktmarrëveshjeje me Bashkinë Tiranë, i cili edhe në momentin e gjetjes së tij, ishte i veshur me uniformën e punëtorit në landfill (kominoshe ngjyrë gri dhe doreza të gomuara pune). Nga këqyrjet në vendin e ngjarjes u konstatua se zyra e shoqërisë “3R” sh.p.k, e cila gjendet ne ambientet e landfillit është e përshtatur në një kontenier, ku në këtë zyrë u gjetën disa praktika me emra – mbiemra sipas turneve, me data të ndryshme, të cilat u sekuestruan dhe aty figuron i shënuar edhe emri i shtetasit Ardit Gjoklaj deri ditën e ngjarjes. Prokuroria dyshonte se Gjoklaj është goditur nga fadroma teksa ishte duke punuar, për këtë arsye akuzoi edhe drejtuesin e saj, Edmond Kollarin. Mirëpo, provat e Prokurorisë nuk mjaftuan për Gjykatën që të shpallte fajtorë dy të akuzuarit.
Elvis Myrta










































