Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë dje në fuqi vendimin e KPK për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli. Ai u shkarkua me argumentin se nuk e justifikon pasurinë. Por edhe pse kishte mjaft probleme, ai ju drejtua Apelit, i cili nuk është pajtuar me pretendimet e tij.“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Rezarta Schuetz, relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj, sot, më datë 04.02.2019, shqyrtoi në dhomë këshillimi, çështjen nr.21/2018 (JR) që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Artan Zeneli, kundër vendimit nr. 41, datë 18.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit, mbështetur në faktet e provuara në gjykim dhe në nenin 66, pika 1, germa “a” të ligjit 84/2016, trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi unanimisht: Lënien në fuqi të vendimit nr. 41, datë 18.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Artan Zeneli. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm”, njoftoi KPA.
Gjatë seancësdëgjimore në KPK,doli në pah një problem me deklarimet, për mënyrën se si anëtari i Gjykatës së Lartë ka blerë një vile disa katëshe në një zonë rezidenciale tepër të njohur në Tiranë. Në kontratën e blerjes së kësaj vile, evidentohet se gjyqtari Artan Zeneli i ka paguar shumën prej 150 mijë eurosh, jo kompanisë që ka ndërtuar kompleksin, por ortakut të saj. Sipas gjyqtarit, pagesa është kryer në mirëbesim, pasi ky shtetas është miku i tij. Sipas gjyqtarit, për blerjen e vilës që kushton 196 mijë euro, ai kishte paguar si këst të parë 46 mijë euro dhe deri sa i ishte aprovuar kredia, i ka marrë borxh mikut të tij 150 mijë euro. Po ashtu vetingu nxori një tjetër problem në deklarimet e tij. Bëhet fjalë për futjen e gjyqtarit Artan Zeneli në listën e zezë të Ambasadës Amerikane për personat që ju hiqet e drejta që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më 26 janar të vitit 2017 atij iu revokua viza për të udhëtuar në SHBA. Para vetingut, Zeneli shpjegoi se bëhej fjalë për vizën private dhe jo atë zyrtare.













































