Një apartament në katin e tetë të një pallati në Durrës është përfshirë nga flakët pak para mesnatës, në lagjen numër 1 të qytetit bregdetar.
Për shkak të lartësisë së madhe ku ishte banesa, forcat zjarrfikëse e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë duke bërë që zjarri të përhapet dhe në apartamente të tjera ngjitur.
Mësohet se disa banorë janë evakuuar, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa disa prej tyre kanë qenë në gjendje asfiksie.
E gjithë zona është mbuluar nga re tymi, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik te të gjithë banorët e pallatit.
Ndërkohë që me kalimin e minutave të gjithë banorët e pallatit janë larguar nga banesat e tyre, deri në shuarjen e flakëve.
Dyshohet që zjarri ka marrë nga një dyshek me ngrohje që kishte familja. Dëmet materiale në banesë kanë qenë të shumta.
Raportohet se për të marrë ndihmën e parë në spital janë dërguar dhjetëra banorë.








































