Drejtuesja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka bërë një tur që e ka mbyllur sot në Serbi me presidentin, Aleksandër Vuçiç.Të gjitha takimet kanë qenë të nivelit të lartë, ndërsa për herë të parë po dëgjojmë për bashkëpunim rajonal.Në fakt ky institucion nuk është krijuar me Bregun, pasi ka vite që ekziston, megjithatë duket se ish-ministrja e Integrimit e ka marrë me një hov të theksuar detyrën e saj.Mediat serbe kanë raportuar takimin me presidentin Aleksandër Vuçiç, Presidenti Vuçiç i bëri thirrje RSS të drejtuar nga Bregu, që të punojë në respektimin e marrëveshjeve në kuadrin e dakorduar të bashkëpunimit rajonal nga të gjithë pjesëmarrësit. Ai tha gjithashtu se presin angazhimin e vazhdueshëm të RSS për zbatimin e marrëveshjes për projektet e infrastrukturës rajonale në transport, energji dhe teknologji informacioni.Mediat shkruajnë se ata diskutuan propozime konkrete për mobilitet më të madh dhe lidhjes në rajon, nëpërmjet heqjes së shërbimeve roaming dhe njohjen e diplomave. Kujtojmë se një ditë më parë Bregu pati takime me ministrat e rinj të qeverisë Rama, ndër to ministrin “de-facto” të Jashtëm, Gent Cakaj, të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Ballukun, të Arsimit, Besa Shahinin dhe të Financave, Anila Denaj. “Takimet Shqip në Tiranë gjatë fundjavës. 2019 nuk është vetëm viti i sfidave, por mbi të gjitha i rezultateve të prekshme për qytetarët në Ballkanin Perëndimor”, shkruante Bregu dje në Instagram. Bregu e nisi turin ballkanik në Maqedoni, për të vijuar në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë.












































