Akuzat e forta ndaj Abi Bank e cilësuar si një bankë e pastrimit të parave kanë detyruar vetë drejtorin, Andi Ballta të japë një intervistë për web-in e bankës së tij ku është kujdesur të sqarojë pozicionin e Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit.
Kjo e fundit, është lakuar si aksionere e kësaj banke, edhe pse Rama në daljet e tij publike nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
Edhe drejtori Ballta mohon që Linda Rama të ketë qenë zotëruese aksionesh në këtë bankë. Sipas tij ajo ka qenë anëtare e pavarur e bordit ndërsa flet me superlativa për profesionalizmin e saj.
Ndërkaq, Ballta ka treguar arsyen se pse e thirri Linda Ramën në bordin e bankës duke folur për një njohje profesionale me të që në vitin 1993, detaj ky pak i dyshimtë duke pasur parasysh moshën e saj të re.
“Zonja Rama ka qenë për tre vjet në Bordin e ABI Bank. Arsyeja pse Linda u ftua në Bord është për aftësite e saj profesionale, njohjes time profesionale me të që në 1993, të qenurit një zonjë me reputacion të padiskutueshëm, dhe nivelit të lartë të sofistikimit që një investitor i sofistikuar si NCH kërkon të ketë në Bordin e tij”, ka thënë drejtori për Abi.al.
“Largimi i saj nga Bordi është sipas standarteve dhe praktikave të institucioneve financiare të rikompozimit të Këshillit Drejtues. Zonja Rama është një nga dy anëtarët që do të zëvendësohen nga dy profesionistë të shkëlqyer amerikanë me eksperience të gjate në fushën e bankës dhe financës. Në kuadrin e një periudhe në Bord prej tre vjetësh dhe bashkimit të ABI me NBG është normale një rifreskim i Bordit. Ne jemi në proces të aprovimit të dy kandidatëve të rinj. Çështja e përbërjes së Bordit për ne ka qenë dhe është shumë e qartë, transparente dhe tashmë është e mbikonsumuar për mëse dy vjet. Personalisht jam ndjerë thellësisht i trishtuar nga sulmi që i është bërë një femre dhe profesioniste karriere si zonja Rama. Gjithsesi, zonja Rama nuk është më anëtare e Bordit të ABI Bank dhe mbase ka ardhur koha që kjo temë e mbikonsumuar të mbyllet”, thotë më tej drejtori i Abi Bank.
Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama ka qenë gjithmonë në qendër të akuzave të opozitës për pastrim parash dhe investime të dyshimta të oligarkëve rusë përmes kësaj banke. Akuzat kulmuan në seancën e shkuar plenare ku degjeneruan edhe në fjalor banal. Pas akuzave të shumta më 26 dhjetor të vitit të kaluar Linda Rama ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli Mbikqyrës i Abi Bank.








































