Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka komentuar dje zhvillimet politike, duke e ndalur theksin tek situata në gadishullin e Ballkanit. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Ngjela u shpreh i bindur se destabilizimin e Ballkanit e kërkon me ngulm Putini. Dhe që të ndodhë një gjë e tillë, avokati theksoi se duhet edhe ndihma e Berishës dhe Metës, të cilët sipas tij, janë njerëzit e Rusisë. “Destabilizimin e Ballkanit e kërkon me ngulm Putini. Me të janë të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë që bëjnë sikur zihen me njëri-tjetrin si rrugaçët me fjalë të ndyra. Të tre bashkë e kanë shpresën te lobi serbo-rus në Uashington, dhe te ndërhyrja e Rusisë në Shqipëri me ata që ajo mendon të sjellë në Shqipëri si në kohën e Çadrës, por dhe me agjenturën ruse në Shqipëri që nuk është e vogël. Por, lobi ruso-serb në Uashington është nën hetim, ky është fakt. Kështu që është i neutralizuar. Prandaj gjithçka pritet nga aktorët shqiptarë. Aktorët shqiptarë, Berisha, Meta, tani që janë të kapur të tre me korrupsion, e kanë shpresën te Beogradi por edhe Beogradi edhe Moska te këta e ka shpresën”, deklaroi ai.
Duke u ndalur tek zhvillimet politike në vendin tonë, avokat Spartak Ngjela deklaroi se në Shqipëri korrupsioni po lulëzon, duke ia faturuar fajin Berishës dhe Ramës, për të cilët theksoi se janë të korruptuar. Ngjela u shpreh i bindur se retorika e ashpër e Berishës, tregon qartë se ai ka frikë nga ngritja e SPAK dhe se pret që të shpëtojë veten, vetëm në rast se destabilizohet Shqipëri në 16 shkurt. Por një gjë e tillë, sipas Ngjelës, nuk ka për të ndodhur. “Por e keqja shqiptare sot është korrupsioni kryeministror Berisha-Rama. Këta në fakt janë të falimentuar dhe pse i bashkon i njëjti hall: SPAK-u. Rama me naivitet, para zgjedhjeve të vitit 2017, bleu asetet toksike të Berishës. Rama në fakt priti destabilizimin e Shqipërisë deri te Çadra e Saliut, por kur kjo ra, ky i trembur mendoi të shpëtonte gjendjen me bashkim, duke blerë asetet toksike korruptive të Berishës. Që nga ajo kohë edhe ky për destabilizimin e Shqipërisë është dhe ndihmon në intoksikimin e situatës shoqërore në Shqipëri. Rama, duke kërkuar të shpëtonte Saliun e humbi edhe vetë fatin që mund ta shpëtonte nga ndëshkimi antikorrupsion. A mund të shpëtojnë? Jo. Janë të dy të humbur dhe bëjnë luftë fallso me shpresë që ana e Saliut të mbushë në mënyrë agresive sheshet dhe bulevardin më 16 shkurt. Nuk e arrijnë dot, edhe pse Rama ka vendosur në polici drejtorët e Berishës pikërisht për këtë arsye”, nënvizoi Ngjela.









































