Kryetari i Lëvizjes për Zhvillimin Kombëtar, Dashamir Shehi ka komentuar ditën e djeshme zhvillimet politike në vend, duke e ndalur theksin tek protesta e 16 shkurtit, reforma zgjedhore, madje edhe tek debati Rama-Berisha. Gjatë një prononcimi për mediat, Shehi i dërgoi një ultimatum të drejtpërdrejt Bashës, duke i kërkuar që të miratojë reformën zgjedhore, sikundër u ka premtuar aleatëve, sëbashku me propozimet e tyre.
“E kemi takuar z. Basha disa herë për këtë punë, është një nga temat kryesore. Kemi marrë premtimin nga kreu i PD që Kodi do të ndryshojë. Ka shumë rëndësi sistemi i ri që do të prodhojë një marrëveshje politike, formula mund të gjendet gjithmonë politik”, deklaroi ai. Duke komentuar protestën e 16 shkurtit, e cila është thirrur nga opozita, Shehi deklaroi se kjo është një ditë e rëndësishme për, pasi aty do të vendoset fati i Ramës, ku sipas tij, janë qytetarët ata të cilët do të ndajnë shapin nga sheqeri. “16 shkurti do të jetë data e rëndësishme për opozitën, e cila do t’i japë fund jetëgjatësisë së kësaj qeverie. Në 16 shkurt do të vendosin qytetarët. Kjo edhe për faktin se Rama po sulmohet sot jo vetëm nga opozita por edhe nga ndërkombëtarët. Ne duam zgjedhje të lira pas shumë vitesh. Të bëhen në një klimë të re. Ka nevojë për qeveri transitore, nga të gjithë partitë që të ketë fuqi të mjaftueshme. Që banditët të mos fusin duart në zgjedhje. Zgjedhjet e lira, janë e vetmja mënyrë në demokraci për t’i shërbyer pushtetit. Do ngulmojmë me forcë që të largohet kryeministri”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Shehi u ndal edhe tek seanca e fundit parlamentare, e cila degjeneroi në fyerje mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama. Shehi theksoi se seanca plenare e së enjtes ishte një turp, për të cilin mban përgjegjësi vetëm Edi Rama. “Nuk është hera e parë që ndodh, por është agravuar situata ka precipituar në një mënyrë që është derivat i një situate që ka ardhur duke u majisur gjatë gjithë kohës, siç thotë populli: “zullumi këputet duke u tras, peri këputet duke u hollu, po zullumi është trashur tani”. Rama vetë me talljen e vazhdueshme, me ironinë permanente i ka sulmuar të gjithë, nuk besoj se ka objektiv Berishën, sepse Berisha i përgjigjet nga kjo pikëpamje, që për mua edhe Berisha bën gabim s’ka pse të zbresim ne në këto situata. Por Berisha është njeriu opozitar, dhe përgjegjësinë e ka individuale, ndërsa ky është kryeministër, na përfaqëson në një farë mënyre edhe ne të tjerët”, deklaroi Shehi.









































