Gjykata Kushtetuese shumë shpejt pritet që të jetë gati. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procedurat për të emëruar emrat e rinj dhe ringritja e gjykatës më të rëndësishme në vend nuk do të vonojë. Duke qenë se ka një numër shumë të madh kandidatësh, të gjithë do kalojnë në filtër nga KED dhe më pas mes tyre duhet që të zgjedhin Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë. Por që Gjykata Kushtetuese të ngrihet sa më shpejt, KED pritet që të përzgjedhë dhe emra që nuk kanë hyrë në veting apo që kanë hyrë dhe nuk ka ende një vendim për ta. KPK ka nisur verifikim për gjyqtarët që garojnë për në Gjykatën Kushtetuese, por ka dhe emra nga jashtë gjyqësorit që kanë shfaqur interes. Për këtë arsye, do bëhet një herë zgjedhja e anëtarëve dhe më pas do të vijojë procesi i vetingut për ta. Një gjë e tillë është bërë e ditur dje dhe nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. “Në rast se e kanë kaluar gjatë kohës së vlerësimit të kushteve të kritereve ligjore, natyrisht që do të quhet i mirëqenë. Por në rast se nuk e kanë kaluar veting-un, do t’i nënshtrohen kontrollit të pasurisë dhe figurës”, tha ai. Por ngritja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë se po afron beteja e madhe mes Ramës dhe Metës. Përplasjet për Gent Cakën kanë tensionuar shumë marrëdhëniet mes tyre dhe kryeministri ka paralajmëruar se do të bëjë disa padi në Kushtetuese. Duke qenë se kjo gjykatë do të ngrihet shumë afër, atëherë dhe beteja Rama-Meta po afron. Interesant është fakti se Ilir Meta ka deklaruar disa herë se ai e interpreton vetë Kushtetutën, duke lënë të nënkuptohet se mund të mos pranojë sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo e fundit e rrëzon dhe ai këmbëngul se ka të drejtë për të kthyer pas ministrat, atëherë nuk përjashtohet mundësia që PS të nisë procedurat e shkarkimit.
Zgjedhja e anëtarëve të Kushtetueses
Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre anëtarë
zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vjet, pa të
drejtë riemërimi. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj. Anëtarët e rinj caktohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet edhe në rastet e përfundimit para afatit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet”, thuhet në ligj. Më pas Kuvendi, Presidenca dhe Gjykata e Lartë zgjedhin nga një emër nga 3 të parët.
Kliti Topalli











































