Mazhoranca qeverisëse është tërhequr nga plani i saj për të forcuar procedurat sa i takon arrestimit të deputetëve. Një vit më parë Partia Socialiste propozoi ndryshim të Rregullores së Kuvendit, ku përcaktonte që prokuroria duhet të shoqëronte me prova, çdo kërkesë për arrestimin e deputetëve. Por ditën e djeshme socialistët janë tërhequr nga ky propozim, duke pranuar që çdo ndryshim i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë do të bëhet vetëm duke marrë edhe pëlqimin e opozitës. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ai i cili pohoi një gjë të tillë, pas debateve që përfshinë Komisionin e Ligjeve, ku Partia Demokratike kërkoi tërheqjen zyrtare të projektit të PS-së për t’u dhënë mbrojtje përmes imunitetit deputetëve që janë në ndjekje penale. Gjatë diskutimit me Komisionin e Ligjeve, opozita nuk dha konsensusin për rikthimin e imunitetit për deputetët, duke detyruar Ballën, të deklarojë se tërhiqet nga propozimi. “Nuk i bëjmë gabimet që bëtë ju në vitin 2005, 2010 dhe 2011. Në këtë draft 6 propozime janë nga ne, 12 janë nga opozita. Falënderoj Alibeajn që ka punuar për këtë dokument. Kështu që do bëjmë siç thotë opozita. Shkruani nenet 118 dhe 119 dhe hajdeni. Ne nuk e ndryshojmë Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, pa konsensusin tuaj”, deklaroi ai.
Risitë në Rregulloren e Kuvendit
Ndryshimi që do t’i bëhet Rregullores së Kuvendit do të shoqërohet edhe me disa risi, siç është marrëdhënia “Deputet-Qytetar”. Gjatë fjalës së tij, Balla deklaroi se me ndryshimet e reja, deputetët një herë në muaj do të kenë takim me zgjedhësit e tyre. Po ashtu, kreu i grupit të PS theksoi se Kuvendi do të mblidhet, duke vënë në dispozicion 4 orë diskutime në seancë plenare në mënyrë deputetët të flasin për shqetësimet e qytetarëve dhe të bëjnë propozime konkrete për zonat e tyre zgjedhore. “Risia e ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit vjen me disa propozime tejet racionale, sa i takon marrëdhënies deputetet-qytetar. Kështu që njëherë në muaj, që i bie një herë në javë çdo deputet do të zhvillojë takim me zgjedhësit në zonën e tij. Më pas çdo të hënë, Kuvendi do të mblidhet në seancë parlamentare, ku do të jenë 4 orë diskutime, teksa çdo deputet sjell problemet e zonës së vetë duke folur para deputetëve”, u shpreh ai. Ndërkohë, Balla theksoi se ndryshimet e Rregullores kanë si qëllim edhe përfshirjen e rekomandimeve të bëra në Raport progresin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për 2018-ën, si dhe përfshirjen e rekomandimeve të Raportit te GRECO-s në 2018.
Debate në komision
Komisioni i Ligjeve u përfshi dje nga debatet mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Shkak janë bërë disa nene të propozuara nga Partia Socialiste, sa i takon ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, siç është arrestimi i deputetëve. Ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i cili deklaroi se PD është kundër çfarëdolloj tentative për të rikthyer në Rregullore imunitetin e deputetëve. “Asnjë dispozitë që rrit, shton imunitetin e deputetëve që janë në ndjekje penale, është e papranueshme për ne. Kërkesa ime është që të nxirrni nga rendi i ditës, është një lapsus në rastin më të mirë, të Konferencës së Kryetarëve, që e ka sjellë si lëndë, pranë Komisionit të Ligjeve”, deklaroi ai. Ndërkohë që në replikë me Alibeajn, kryetari i Komisioni të Ligjeve, Ulsi Manja theksoi se nuk ishte lapsus. “Nuk është lapsus. Bojkoti juaj i vjeshtës e pamundësoi punën në Këshillin e Rregullores ndaj e kaluam në këtë komision”, deklaroi ai. Megjithatë, debati u shua, pas ndërhyrjes së kreut të grupit të PS, Taulant Balla, i cili theksoi se ndryshime i Rregullores së Kuvendit do të behët me konsensusin e opozitës. Në fund Komisioni ra dakord që shqyrtimi i këtij projektvendimi, të shtyhet për diskutim në mbledhjen ë radhës.
Rigels Seliman












































