Google search engine
Home Aktualitet SHBA u prish planet Metës dhe Berishës, Vuçiç vizitë në Tiranë më...

SHBA u prish planet Metës dhe Berishës, Vuçiç vizitë në Tiranë më 7 mars, ndryshimi i kufijve në fokus të takimeve me Ramën

0
655

Ndërkombëtarët duket se kanë prishur planet e politikës pro ruse në Tiranë sa i takon debatit për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë doli hapur pro një pakti mes Serbisë dhe Kosovës, nëse ai mbështetet nga SHBA dhe BE. Të vetmit që janë kundër, janë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ish-kryeministri dhe presidenti në çdo dalje mediatike kanë sulmuar ashpër presidentin e Kosovës, atë të Serbisë dhe kryeministrin shqiptar. Por sinjalet e ditëve të fundit janë të qarta se ndërkombëtarët po punojnë që Prishtina e Beogradi të arrijnë një pakt që u jep fund përplasjeve mes tyre. Të martën Hashim Thaçi i dërgoi një letër presidentit të SHBA, Donald Trump, ku i premtonte se do të arrijë një marrëveshje historike me Serbinë. Por duket se në këtë mes do të ndërhyjë dhe Tirana. Dje është bërë e ditur se më 7 dhe 8 mars do të vijë në Tiranë presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ku në takimet që ai do të zhvillojë, veçanërisht me kryeministrin Edi Rama, në fokus do të jetë edhe çështja e kufijve. Vizita është konfirmuar nga vetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç në konferencën për shtyp të mbajtur me homologun e tij slloven, Borut Pahor në vizitën që ky i fundit kreu në Serbi të hënën. Vizita e Vuçiç në Shqipëri do të zhvillohet në kuadër të punimeve të Samitit të Brdo-Briunit, ku do të diskutohet për situatën në Ballkan dhe marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Por sigurisht që një hapësirë do i kushtohet dhe çështjeve Kosovë-Serbi. Pra sinjalet janë se ndërkombëtarët po punojnë që t’u japin fund një herë e mirë debateve në Ballkan. Maqedonia e arriti paktin me Greqinë, ndërsa dhe Shqipëria shumë shpejt do mbyllë paktin detar. E vetmja gjë që mbetet është kufiri Serbi-Kosovë. Hashim Thaçi hodhi idenë e rishikimit të kufijve dhe SHBA e BE ranë dakord nëse palët gjejnë gjuhën e përbashkët. Por politika shqiptare është ndarë. Vetë Rama është rreshtuar krah SHBA, duke mbështetur çdo lloj pakti që ka konsensus, ndërsa dyshja Meta-Berisha kanë dalë kundër. Por letra e Thaçit dhe vizita e Vuçiç në Tiranë janë një goditje për ta.

Thaçi letër Trump

Ditën e martë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dërgoi një letër presidentit Donald Trump, ku e informonte mbi negociatat me Serbinë. Thaçi la të kuptohet se ai dhe Vuçiç janë drejt një marrëveshje historike. “Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani. Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë”, deklaroi Thaçi. Presidenti ka thënë më tej në letër se marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme apo konflikt i ngrirë. Ai tha se po synohet një marrëveshje permanente në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe sipas të cilës Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here