Puna po vijon në kantierin e rehabilitimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ministria e Kulturës shkruan se është investimi më i madh në kulturë i qeverisë shqiptare, ku po ndërhyhet pas më shumë se 60 vitesh. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi punimet në TKOB, të cilat tashmë ndodhen në një fazë kulmore. Në faqen e ministrisë shkruhet se ministrja Margariti së bashku me ekipin e inxhinierëve dhe drejtuesve të projektit u njoh nga afër me fazat e punës në kantier, me punimet e ndërtimit, punimet strukturore, ku vlen të theksohet ecuria e mirë e punimeve të interierit, por edhe të instalimeve mekanike dhe elektrike.
“Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare në një projekt madhor, projekt i munguar prej 6 dekadash në investime në Art dhe Kulturë. Ky investim, që kap shifrën e 1,5 miliardë lekëve, synon t’i rikthejë dinjitetin e munguar artistëve. Punimet po vijojnë me ritme intensive. Bazuar në këto ritme pune të kantierit besojmë në një përfundim të këtij projekti në fund të vitit 2019”, u shpreh Margariti. Sipas ministrisë, projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operës dhe Baletit shumëfishon hapësirat, si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova. Projekti i rehabilitimit synon një Teatër të Operës dhe Baletit tërësisht të modernizuar, ku ndryshojnë të gjitha pajisjet e vjetra mekanike të viteve ‘50 dhe automatizohen krejtësisht në shërbim të publikut edhe të artistëve. “Punimet po vijojnë me ritme intensive ku vlen të përmendim punimet strukturore që janë drejt përfundimit si: Platforma e re e Publikut, ballkonet e reja, sistemi i ri i akustikës, gropa e re e orkestrës, nënskena, etj. Vijon puna edhe në punime të tjera që nga termoizolimi, rritja e vëllimit të godinës, ballkonet e skenës, galeritë e auditorit, sallat e provave me panele të lëvizshme, perdet e lëvizshme, dyshemetë. Përveç fasadës, i gjithë teatri në brendësi do të ndryshojë pamje pas më shumë se 6 dekadash ekzistencë”, shkruan Ministria e Kulturës ndërsa ka publikuar dhe disa foto nga inspektimi që ka kryer ministrja Margariti. Teatri Kombëtar i Opera dhe Baletit në Shqipëri është teatri më i madh në vend dhe ka dy komponentë, muzikën dhe kërcimin. Ndërtesa është krijuar në 1953 pikërisht në periudhën komuniste pas Luftës Së Dytë Botërore. Ky teatër ndihmoi në zhvillimin e arteve të kryeqytetit, të cilat më parë nuk ekzistonin. Ndodhet në Sheshin Skënderbej, teatri i Operës është pjesë e një rrjeti të Shtëpive të Operas të Europës Lindore dhe Qendrore.









































