Google search engine
Home Aktualitet Kujtim Gjonaj: infrastruktura e filmit është shkatërruar, financimi i projekteve të bëhet...

Kujtim Gjonaj: infrastruktura e filmit është shkatërruar, financimi i projekteve të bëhet sipas vlerave

0
694

Regjisori Kujtim Gjonaj ka një krijimtari të pasur me filmin. Prej pesë dekadash punë me filmin ndër vite ai është vlerësuar për krijimtarinë e tij. 50 vite punë me filmin dhe regjisori kujton se para ‘90 edhe pse puna mes vështirësive kishte vepra me nivel, por pas kësaj kohe duket se dhe për kinematografinë shqiptare filluan problemet. Në intervistën për “SOT” skenaristi dhe regjisori i disa çmimeve Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh” shprehet se në vendin tonë është prishur struktura e filmit, Kinostudio. Ai tregon se një bërthamë e saj duhej të ishte ruajtur dhe sot nuk kemi më as historinë e filmit shqiptar. Regjisori tregon gjithashtu që duhet të ketë më shumë vëmendje për kinemanë shqiptare dhe buxhetet duhet të rriten nga shteti. Sipas tij një tjetër problem është që ndjenja e fitimit është dhe në kinematografinë shqiptare, duke bërë që herë pas here të ketë dhe probleme me vlerat e filmit sepse mendohet më shumë për fitimin.

-Gjysmë shekulli krijimtari në kinemanë shqiptare. Si kanë qenë për ju këto vite?

Unë e kam filluar jetën e kineastit pasi kreva studimet e larta për Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari dhe ky vit i bie të jetë plot 50 vjet pas 1969 kur unë u emërova në Kinostudio. Punova atje fillimisht si redaktor, më pas si skenarist dhe regjisor në vijim. Pra është gjysmë shekulli krijimtari në filmin dokumentar, artistik dhe atë vizatimor, por si dhe producent i 30 filmave. Po të kthehesh në retrospektivë i bie të kujtosh ngjarje dhe momente emocionale, por ka dhe momente herë-herë dhe të trishtueshme sepse jeta është e gjatë. Krijimtaria është e tillë, me suksese por dhe me vërejtje të asaj kohe. Pra është një jetë e tërë që kur mundohesh të hedhës vështrimin pas ke çfarë të kujtosh, miqtë dhe filmat, punën që është bërë ndër vite. Që nga rinia e hershme dhe sot në moshë të pleqërisë ke se çfarë të kujtosh dhe tregosh. Kujton vlerësimet dhe trofetë që ke marrë, çmimet e ndryshme, filmat që kanë dhënë emocione të veçanta. Një jetë me emocione dhe kujtime nga më të bukurat.

-Si e kujtoni ditën e parë të punës në Kinostudio?

Ne ishim një grup shokësh që sapo kishim kryer fakultetin dhe në 2 shkurt të 1969 filluam punën. Ne shkojmë te porta hyrëse Kinostudios dhe kishim emocione, sepse do të takonim dhe njerëz që vetëm i kishim dëgjuar. Aty ishin regjisorë si Viktor Gjika, Endri Keko, Kristaq Dhamo apo dhe operatorët e hershëm si Agim Fortuzi, Sokrat Musha etj. Ne na pret përgjegjësi i administratës që ishte njeriu që do na prezantonte në drejtori. Ishte një ditë shkurti dhe me diell, Kinostudio në oborr ishte e mbushur me lule, duke qenë ditë e ngrohtë kishin filluar të çelnin. Se harroj atë ditë ndaj kujtoj çdo gjë të prezantimit në Kinostudio. Ne vinim nga shkolla dhe e shikonim drejtorin si perëndi. Në oborr kur dolëm na u afruan Agim Fortuzi dhe Ilia Terpini dhe bëmë një bisedë për filmin, por për një botë që për ne ishte panjohur. Ne ishim pothuajse brezi i parë që shkonim në Kinostudio nga Instituti i Arteve për filmin. Ditën e tretë të punës unë bëra një tekst filmi dhe kujtoj që Viktor Gjika foli fjalët më të mira dhe ka qenë një tekst filmi dokumentar për Brigadën e Gjashtë Sulmuese të Përmetit. Më pas ai që ishte filmi i parë për mua ka vlerë të veçantë. Unë e kisha skenarin e parë dhe bëra dokumentarin për gjimnazin “Qemal Stafa”. Atëherë në moton e jetës sonë të përditshme ishte fakti që shkolla kishte tre komponentët kryesorë, studimin, punën dhe studimin fiziko-ushtarak. Ideja ishte shkolla dhe praktika. Ruaj mbresa të mira sepse në atë gjimnaz kur shkova të merrja materialin për të bërë skenarin gjeta aty disa mësuesit e mi. Por aty e veçanta ishte sepse ishte film i parë për mua si skenarist, regjisoren Adriana Elini që fatkeqësisht ka vdekur, si dhe kameramanin Pashko Çome. Dhe më e rëndësishme unë aty u njoha me zonjën që kam sot bashkëshorten time, Bukurien. Duke filluar nga ky film, i bie që unë të kem realizuar si skenarist filmi artistik dhe dokumentar, regjisor filmi dokumentar dhe artistik, mbi 150 filma. Por këtu kam qenë dhe producent në mbi 30 filmat e mi.

-Ju keni bërë katër filma artistikë. Çfarë mund të na thoni për punën tuaj?

Unë kam qenë skenarist në këto filma. Punoja si regjisor me dokumentarët dhe bëra dhe këta skenarë filmash artistikë, që janë të një niveli të mirë. Dua të veçoj filmin “Këshilltarët” që pati vlerësime të veçanta dhe në festivalin e Selanikut para ‘90. Ama puna me filmin më ka mundësuar dhe të bëj shumë udhëtime. Udhëtimi është hobi im dhe unë duke bërë filma kam qenë në disa vende, ku jam njohur dhe me kulturën e traditën e tyre. Po ashtu unë kam marrë mjaft çmime për veprat e mia dhe janë shumë filma të vlerësuar.

-Sot nuk është më Kinostudio si dikur. Çfarë mund të na thoni?

Patjetër më vjen keq për keq për Kinostudion, sepse ka qenë një gjigand që u shemb. Ky gjigand i madh i prodhimit të filmit shqiptar apo dhe propagandës së këtij filmi u shemb nga mendimi tepër i mbrapshtë i disa njerëzve që trembeshin nga fjala Kinostudio Shqipëria e Re dhe e ndërruan e bënë “Albafilm”. Por për ata që e duan Shqipërinë ajo mbetet e re gjithmonë nuk kishte pse të ndërrohej ky term. Po ashtu gabim i madh ishte dhe që u hoqën simbolet e Kinostudios, u hoq pllaka e inaugurimit, historia mbetet histori nuk kishte pse të hiqej pllaka e inaugurimit të Kinostudios. Nuk kishte pse të hiqej emri Kinostudio. Kjo është të harrosh historinë, këtë e bëri shteti ndër vite. Nocioni i ri i shtetit, që erdhi pas ‘90 shkatërroi Kinostudion. Është e kuptueshme që nuk do të kishte më nocionin klasik të fjalës Kinostudio sepse pas ‘90 mundësitë që erdhën ishin shumë të pakta, por një bërthamë siç e ruajti Çekosllovakia apo Bullgaria mund të ruhej, për të ndihmuar zhvillimin dhe bërjen e filmit shqiptar. Sot nuk ka më “Albafilm”. Janë vetëm disa zyra aty që marrin qeranë dhe kaq.

-Çfarë i mungon sot filmit shqiptar, vështirësia të realizosh një projekt filmi?

Ka vështirësi në kuptimin sepse dikur për filmin financonte shteti. Tani shteti financon brenda mundësive të tij për disa filma në zhanre të ndryshme, por nuk financon që ti dali për zot këtij filmi, tani i del producenti. Por sot janë shumë producentët dhe siç është ekonomi tregu ka hyrë dhe ndjenja e fitimit, e cila ul dhe vlerat e filmit i çdo lloj gjinie. Producentët priren drejt fitimit dhe jo ndaj realizimit me vlera, megjithëse ka dhe filma me vlera që janë vlerësuar në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

-Sa bëhet sot për jetën artistike në vend?

Do flasim sërish për filmin, që nëse nuk do të ndihmonte “Eurimages” QKK dhe ndonjë donator filmi do të ishte në gjendjen akoma dhe më të keqe. Televizionet tona bëjnë spektakle bukurie, etj, dhe aty shkojnë donatorët shumë sepse bëhet reklamë, ndërsa për filmin nuk bëjnë. Është shumë në minorancë donacioni për filmin nga të tretët se sa për gjëra ndoshta dhe pa vlerë, emisione dhe qesharake, apo vulgare. Por sipas meje buxheti i shteti për filmin duhet të rritet. Buxhetet janë shumë në minorancë në raport me vendet rreth nesh. Nuk besoj se e ka njeri urrejtje artin dhe kulturën, por duhet të rriten buxhetet nga shteti për filmin.

-Kur pohohet nga regjisorët se është shkatërruar struktura e filmit, çfarë po ndodh?

Shkatërrimi i infrastrukturës së filmit kemi parasysh Kinostudion. Ajo ishte infrastruktura e filmit, por sot nuk është më sepse janë ndërtuar raporte të reja. Sot jemi në ekonomi tregu, nëse dikush afrohet me një projekt të mirë në QKK shteti duhet ta financojë, dhe nëse unë nuk kam një projekt të mirë atëherë nuk e ka fajin shteti. Projektet janë individuale dhe duhet të financohen ata me vlera.

-Filmat para ‘90 sipas jush dhe çfarë ndodh sot?

Para ‘90 dihej autocensura që ishte te secili nga ne, por dhe censura dihej që po të shkelje rregullat e kohës të censuronin. Ka pasur raste që dhe na janë censuruar filma ashtu si ka pasur dhe të tjera vepra arti. Por çdo kohë ka pasqyrimin e vet artistiko-politik, etj, pra ka gjurmët e kohës. Filmat e para ‘90 janë koha jonë dhe janë gjurmët e asaj kohe dhe nuk ka askush të drejtë ti fshijë këto gjurmë sipas dëshirës ashtu si doli një grup njerëzish për të hequr filmat e para ‘90. Është historia e asaj kohe nëse e bën do mbetesh pa histori. Nuk është niveli i filmave sot dhe kualiteti i tyre me ata para ‘90. Nuk e kemi më sot nivelin e Viktor Gjikës.

50 vjet me filmin

“Mjeshtër i Madh” regjisori Kujtim Gjonaj në vitin 1986 u nderua për filmin “Më e madhja dashuri” si më i miri i vitit, në 23 prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” u vlerësua me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar. Në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” u vlerësua me Çmimin e I-rë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), në vitin 1998 u vlerësua gjithashtu me Çmimin e I-rë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo). Në filmin artistik ai ka shkruar disa skenarë, përmendim këtu skenarin e filmit “Thirrja”, që ishte dhe skenari i tij i parë në filmin artistik në vitin 1976, filmat “Ata ishin katër” dhe “Cirku në fshat” në vitin 1977, filmin “Këshilltarët” në vitin 1979. Me dokumentarin “Enciklopedi që ecën më këmbë”, Kujtim Gjonaj u vlerësua me Kupën e Festivalit në Festivalin e XII-të të Filmit Dokumentar Shqiptar të mbajtur në Tiranë në vitin 2006, por dhe me të tjerë dokumentarë nuk kanë munguar vlerësimet. “Kryengritjet e mëdha” çmim të dytë në konkurs kombëtar në rang republike, “Kështjella e këngëve” çmimin e parë në festivalin e tetë të filmit dokumentar, “Ëndrra e Çamërisë” më i miri nga Akademia Kult në 2012. Mallakastra e ka nderuar “Qytetar Nderi”, Tepelena “Qytetar Nderi”, Çamëria “Mirënjohja e Çamërisë”, etj.

Intervistoi: Julia Vrapi 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here