CIA ka treguar detaje mbi rrugën që ndoqi një grup agjentësh, të cilët u futën në territorin shqiptar për të mbledhur informacione mbi regjimin komunist. Bëhet fjalë për grupin Willow, dhe në dokumentin e deklasifikuar tregohen udhëzimet që ata kishin marrë.
25 qershor 1952
Raport operacional
Pas disa ndryshime në përbërjen e grupeve prej konflikteve të karakterit individual mes anëtarëve dhe disa ndryshime të orëve të fundit për infiltrimin, grupi Willow kaloi kufirin në veri më 12 qershor. Misioni i tij është krijimi i një rrjeti inteligjence në rajonin e lindjes së identitetit 5 e 6. Ata do të kontaktojnë me njerëz të besuar që do të veprojnë si guida dhe për grupe të ardhshme infiltrimi. Grupi do të përcaktojë rezultatet e lëshimit të fletushkave dhe pas arritjes së objektivave do të dalë sërish nga vendi për të sjellë informacionet e mbledhura. Në raportimin e tyre grupi informoi mbi gjendjen në vend, kontrollet, fortifikimet kufitare, patrullat e sigurisë dhe kontaktet miqësore. Agjentëve u është dhënë një emër i koduar për t’u përdorur nga grupet e tjera. Duke parë natyrën e këtij misioni, agjentëve nuk u është dhënë trajnim i veçantë. Grupi ka marrë instruksione vetëm për të qëlluarit me armë, leximin e hartës dhe sistemin e koordinatave, ndihmën e shpejtë si dhe për tipin e inteligjencës që ne dëshirojmë të mbledhim. Janë kryer gjithashtu marshime ditore në zona malore me ngarkesa pajisjesh.
Shënime: Në minutat e fundit para nisjes u detyruan të tërhiqnim Identitetin 8 nga misioni. Në të njëjtën kohë një tjetër grup po infiltrohej në këtë zonë me një guidë vendase. Bashkimi i dy grupeve do të kishte bërë që numri i agjentëve të ishte shumë i madh. Grupi Willow nuk ishte i kalibrit të lartë sa ai i grupit Apple, por ata janë treguar të aftë dhe të vendosur në zbatimin e urdhrave. Kreu i tyre ka shumë eksperiencë në kalimin e kufirit dhe veprimit nga brenda vendit pasi ka punuar me këtë në të kaluarën. Është e rëndësishme që në këtë kohë të fokusohemi në sigurinë e grupeve të veprimit. Jetët e anëtarëve varen nga njëri-tjetri dhe më këtë mendim në mendje ata duhet të veprojnë.
Sugjerimet
Në asnjë mënyrë ata nuk duhet të sillen në mënyrë që mund të zgjojnë urrejtjen e njerëzve ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë. Luftëtarët do të furnizohen me para për ushqim pasi popullata është shumë e varfër dhe nuk mund t’i ndihmojë. Edhe në rastet kur ata i ndihmojnë, agjentët duhet të paguajnë për asistencën, ose të paktën të tentojnë ta bëjnë. Në fazën e parë të misionit duhet të realizohet lëshimi i “letrave të vdekura” brenda vendit, me të cilat ne do të marrim informacionet e dëshiruara. Detyra e mbledhjes së informacionit është shumë e rëndësishme pasi do të përdoret në misione e ardhshme. Gjatë gjithë kohës ata duhet të jenë vigjilentë dhe asnjëherë të mos pranohet dikush vetëm prej fjalës së tij. Kur të kërkojnë ushqim ata të sigurohen që ushqimi të mos jetë i helmuar, prandaj duhet të sigurohen për personat që i japin ushqim ose pije duke bërë dhe atë të pijë (kjo mund të bëhet duke ngritur një dolli në shëndetin e tij, që është diçka normale në Shqipëri). Gjatë udhëtimit ata duhet të kenë parasysh se distanca e gjatë në male mund të jetë më e sigurt sesa rruga. Agjentët duhet të evitojnë çdo kontakt me trupat qeveritare dhe nëse detyrohen ta bëjnë, të mos hapin zjarr me armët e tyre, në mënyrë që ndjeja të mos intensifikohet, siç kanë treguar eksperienca të mëparshme. Informacionet e dëshiruara janë të gjitha lajmet vendore për aktivitetin komunist, lajme nga partia apo organizatat e Frontit, udhëheqësit, agjentët e tyre si dhe trupat dhe fortifikimet ushtarake; çdo aktivitet politik spiunazhi, sabotazhi apo spastrime; informacione për fushat ajrore, avionët, tipet e tyre; efekti që radio Shqipëria e Lirë ka te popullata; gazetat fletushkat dhe materialet e shtypura në qarkullim. Përveç sa më sipër, ne jemi të interesuar në dokumentet zyrtare dhe do të ketë shpërblime shtesë për dokumentet e siguruara. Në fjalë të tjera ne dëshirojmë dokumentet për të cilat ka nevojë një person në jetën e përditshme, letërnjoftimi, leje e punës, kartat e racioneve, kartëmonedhat apo pullat mbi dokumente të ndryshme. Gjithashtu nevojiten lajme mbi ndryshimet në qeverisjen lokale të Partisë Komuniste, trazirat apo spastrimet në parti, raste konkrete krimesh të rënda, akte sabotazhi apo akte brutale të kryera nga komunistët, arrestime dhe detaje të ndalimeve, personat e përfshirë, gjyqet, privilegjet e komunistëve, informacione mbi sovjetikët apo organet e sigurisë.
Instruksione zonale
Ju e njihni situatën e përgjithshme në vend dhe cilat zona janë më të mbrojtura, cilët janë komunistët dhe cilët janë personat e besuar. Prej natyrës së misionit tuaj dhe prej eksperiencës së zotëruar nga udhëheqësi juaj, duhet të keni parasysh se drejtuesi juaj është Identiteti 1.
2 prill 1952
Buletini i lajmeve të Komitetit Shqipëria e Lirë
Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë akuzoi sot se pretendimet e Moskës se në Kore po kryhen sulme me armë biologjike, janë vetëm pjesë e skemës së luftës psikologjike të Moskës për të penguar ndjesinë e afrimit me Perëndimin e Lirë, që po përhapet me shpejtësi në të gjitha vendet satelite, si rezultat i ndihmës materiale që po shpërndahet nga grupet e refugjatëve, megjithë përpjekjet e sovjetikëve për ta ndaluar. Zëdhënësi i Komitetit theksoi se Shqipëria është një shembull i veçantë i vendeve satelite, ku ndihma materiale e shpërndarë për popullatën në vuajtje ka sjellë mbështetje të gjerë për Komitetin Shqipëria e Lirë dhe ka mbjellë panik në qeverinë kukull komuniste. Kjo ngjarje që po tregohet për herë të parë në detaje ka nisur vjeshtën e shkuar. Përfaqësuesit e Komitetit Shqipëria e Lirë që veprojnë brenda Shqipërisë kanë përhapur fjalën se megjithë të korrat e mira të sezonit në vend, i gjithë prodhimi është konfiskuar nga qeveria kukull komuniste për t’u dërguar në Rusi, dhe se popullsia vendase është lënë pa ushqim të mjaftueshëm për të mbijetuar. Pas investigimeve të kujdesshme të udhëheqësve të Komitetit që janë të vendosur për të ndihmuar vëllezërit e tyre, edhe duke rrezikuar të kapen nga regjimi i kuq. Kështu më 14 shtator kryesia e Komitetit me seli në Nju Jork. I dërgoi një telegram kryeministri Enver Hoxha duke thënë se ai dhe rrethi i tij nuk mund të qëndrojnë indiferentë teksa populli vdes urie dhe se Komiteti dëshiron të ndihmojë materialisht popullin nëse Hoxha pranon ndihmën që do të shpërndahet nga një organizatë neutrale ndërkombëtare. Shumë javë kaluan por Hoxha nuk ktheu përgjigje, prandaj me ardhjen e dimrit emisarët e Komitetit raportuan se njerëzit në Shqipëri ishin katandisur duke ngrënë rrënjë e lëkura pemësh, dhe Komiteti nisi shpërndarjen e ushqimeve falas, dhe tashmë duhet në të gjithë Ballkanin se mijëra shqiptarë që do të kishin vdekur urie morën ushqimet e pakta. Ndërsa Hoxha dhe zagarët e tij janë çmendur nga inati teksa luftojnë ndjenjën e armiqësisë së popullit që është përhapur pas fushatës humanitare të Komitetit. Fillimisht qeveria e Hoxhës përhapi fjalë se ushqimet e lëshuara ishin të helmuara ose ishin dërguar për ushtritë armike që do të pushtojnë vendin, por kur kjo gënjeshtër dështoi të ndalonte entuziazmin e popullit (apo të bënte që qytetarët të dorëzonin ushqimet te Sigurimi, siç kishte kërkuar qeveria) ata shpikën gënjeshtrën tjetër se ushqimet e lëshuara në Korçë ishin të infektura me kimikate për përhapjen e një epidemie. Gënjeshtrat po përhapeshin për të evituar atë që ishte tashmë e qartë, se ndjesia pozitive ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë ishte e njëjtë dhe për Perëndimin e Lirë. Prej disa ditësh tashmë radio Tirana po vazhdon këtë fushatë me lajme të përsëritura të luftës biologjike, me urdhër të shefave të tyre në Moskë. Programi i ndihmave materiale i vjeshtës së shkuar nga Komiteti është mbështetur nga grupe të tjera në ekzil. Natyrisht që qeveritë kukull pas Perdes së Hekurt dhe vetë Moska e dinë se grupet e refugjatëve operojnë nga baza në Perëndim, dhe fajësojnë qeveritë perëndimore për mbështetjen e tyre.
Organizimi ushtarak
Me anë të kontakteve me Niaz Rapushin, rreshter në divizionin e 7-të në Gjirokastër, i liruar në mars 1953, grupi mësoi informacionet e mëposhtme: kolonel Vaskë Gjini është komandant i divizionit, komisar Veso Ismaili. Në kohën e shkarkimit të Rapushit divizioni drejtohej nga kapiten Teki Luarasi, që besohet se është nacionalist i madh. Divizioni përdor karabina ruse kalibër 7.62, automatikë TB, mitraloz “Maxim”, pushkë ruse me dylbi “Sinabere” dhe mortajë ruse kalibër 87 mm. Siç është përmendur më herët, Rapushi ishte prezent kur grupi Olive Team ra në grackën e komunistëve, për të cilën ai tha së më poshtë: Grupi iu rrethua në Kopaçe nga Sigurimi, policia dhe civilë të armatosur. Sigurimi njoftoi regjimentin e 18 për prezencën e “reaksionarëve” dhe kërkoi ndihmën e tyre. Beteja zgjati rreth 5 orë. Pas avancimit nga forcat e Sigurimit në pozicionet e grupit, u gjetën të vdekur Riza Avazi dhe Fido Veliu që kishin vrarë veten, ndërsa Kasem Shehu ishte i plagosur. Mehmet Hoxha ishte gjithashtu i plagosur, por jo në pozicion me tre të tjerët. Sipas burimeve, Hoxha deklaroi se ishin kapur kur ishin mbaruar municionet dhe kur ishte bërë e qartë se po mundeshin ai ishte drejtuar për nga kufiri. Hoxha u gjet larg pozicionit të luftimit, teksa kishte humbur ndjenjat nga humbja e gjakut. Burimi deklaroi me tej se ka qenë prezent kur pilot i forcave ajrore greke uli avionin e tij në një lëndinë pranë Delvinës vitin e kaluar. Kur u mor në pyetje piloti deklaroi se po bënte manovra rreth zonës së Kifisia dhe ditën e tretë ishte arratisur pasi autoritetet greke kishin marrë njoftim për aktivitetet e tij komuniste. Piloti tha më tej se kishte dhe miq të tjerë komunistë në fushë (ky informacion i ka kaluar autoriteteve greke të cilat po hetojnë incidentin).











































