Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka rrëzuar planet e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi për revolta. Opozita më 16 shkurt do të protestojë kundër qeverisë. Ndërkohë që zërat se të shtunën e 16 shkurtit do të ketë dhunë dhe mosbindje civile janë shtuar ndjeshëm. Por sinjalet janë se nuk do të ketë aspak një “21 Janar” të dytë si ai i vitit 2011. Degët e Partisë Demokratike të kryeqytetit kanë zhvilluar ditën e djeshme një takim, ndërsa përveç simpatizantëve të kësaj partie të pranishëm ishin edhe koordinatorët e PD, të cilët merren me organizimin e protestës sa i takon qarkut të Tiranës. Gazeta ka mësuar disa detaje nga ato që janë është diskutuar në disa nga mbledhjet e këtyre degëve, ndërsa bie në sy se fokusi i diskutimit ka qenë organizimi i protestës dhe strategjia që Partia Demokratike do të përdorë për të pasur sa më shumë qytetarë në tubimin e 16 shkurtit. Sipas informacioneve, mësohet se të deleguarit e Bashës kanë porositur bazën që të mbledhin sa më shumë njerëz në protestë duke trokitur derë më derë dhe i kontaktuar edhe me mesazhe në telefon dhe në rrjetet sociale. Po ashtu, delegatët e PD kanë qenë të prerë në direktivat e tyre për bazën, duke u shprehur qartë se protesta e 16 shkurtit do të jetë demokratike dhe se askush nuk duhet të ndikohet nga zërat e artikuluar së fundmi për revolta. Pra, përmes kësaj porosie emisarët e liderit demokrat për qarkun e Tiranës kanë rrëzuar në një farë mënyre edhe Berishën, dhe Kryemadhin, të cilët në çdo dalje publike kanë bërë thirrje për dhunë. Nga ana tjetër, mësohet se në këto mbledhje është diskutuar edhe për strategjinë e protestave të vogla, të cilat do të nisin në rrethe të ndryshme të vendit para asaj të 16 shkurtit. Sipas informacioneve, baza demokrate e të gjitha degëve në vend do t’i dërgojnë Bashës sot nga një raport, ku do të përshkruhet në mënyrë të detajuar se sa njerëz janë kontaktuar deri tani dhe se na cili qytet duhet të nisin këto protesta lokale. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Protesta, Basha takime në Kamëz
Përveç mbledhjeve të degëve të Tiranës, organizimi i protestës së 16 shkurtit ka qenë edhe në vëmendjen e kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ditën e djeshme. Teksa zhvilloi dje një takim me banorët e Valiasit, Basha kërkoi nga këtë të fundit që t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit, ndërsa theksoi se në protestë fjalën do ta ketë populli. “Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja nuk është më në duart e një partie politike, apo aleance opozitare. Zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë. Dhe unë ju ftoj që me zgjidhjen në duart tuaja, me zgjidhjen në mendjen dhe shpirtin tuaj të vini dhe të marshoni në 16 shkurt në Tiranë dhe ti japim zgjidhje njëherë e përgjithmonë kësaj krize. Ta largojmë këtë bandë që vetëm qeveri nuk është dhe ti hapim rrugë demokracisë së vërtetë, ku qytetarët zgjedhin me votë të ndershme parlamentin shqiptar. Mjetet e tjera janë shteruar, le të jetë 16 shkurti dita kur vullneti popullor merr formë para kryeministrisë dhe ftoni këdo që të vijë bashkë me ju. Mashtrimin, përbuzjen, gënjeshtrën. Më 16 shkurt unë do të jem në krahun tuaj dhe në ballë të protestës, por fjalën do ta keni ju, fjalën do ta ketë populli dhe njerëzit e thjesht”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.
Rigels Seliman









































