Polifonia shqiptare nuk ka vëmendjen nga institucionet dhe mbahet gjallë nga bartësit e saj. Ky është një problem që artistët e kanë pohuar prej vitesh dhe sipas tyre Ministria e Kulturës as nuk ka dashur ti dëgjojë për problemet. Kryetar i shoqatës “Polifonia shqiptare” Yzeir Llanaj tregon se ka 50 vjet në skenë më polifoninë, por shpreh keqardhjen që nga ministria nuk kanë gjetur ndihmë dhe për festivalin ndërkombëtar, që zhvillohet në Bylis dhe mbledh rreth vetes me qindra artistë. Në intervistën për “SOT” mjeshtri i polifonisë Yzeir Llanaj tregon se nga Ministria e Kulturës nuk janë ndihmuar prej vitesh dhe shpreson që situata të ndryshojë me ministren e re, duke pohuar se do ti drejtohen si shoqatë për ndihmë. Për këngëtarin e njohur të polifonisë Yzeir Llanaj puna që bëhej për folklorin para viteve ‘90 nuk ka të krahasuar me atë që bëhet sot, pasi sipas tij nuk funksionojnë më institucionet si dikur.
-Sa është bërë ndër vite për ruajtjen e polifonisë shqiptare?
Në ditët e sotme është pak mbrapa në lidhje me aktivitetet e saja, sepse ka filluar të venitet për arsye të kohës dhe mungesës së interesimit. Nga institucionet tona të kulturës, nga Ministria e Kulturës nuk ka pasur shumë interesim dhe vlerësim, por e kanë lënë në dorë të komunitetit, i cili po e mban gjallë polifoninë. Ne i kemi rënë derës së Ministrisë së Kulturës disa herë por ajo nuk ka dhënë asnjë lloj kontributi për polifoninë shqiptare. Shoqata jonë “Polifonia shqiptare” është themeluar, që në vitin 1995 nga “Nderi i Kombit” artisti i madh Kadri Roshi, kanë qenë dhe Luftar Paja, etj, njerëz titullarë në kulturën shqiptare. Me shoqatën tonë nga 1995 e deri më sot aktivitetet tona kanë qenë me mjaft rezultate dhe punë të dukshme. Kanë qenë aktivitete, që i ka prekur qoftë publiku kryeqytetas apo dhe në aktivitete ndërkombëtare, ku kemi marrë pjesë në festivale dhe jashtë vendit. Ne kemi bërë aktivitete dhe festivale ndërkombëtare në vendin tonë që janë zhvilluar në kështjellën antike të qytetit antik të Bylisit, ku e ka dhe prejardhjen kjo vlerë tradicionale. Në shtator të vitit që lamë pas u zhvillua edicioni i tetë i festivalit ndërkombëtar “Bylyspolifonia”, që morën pjesë grupe nga Ballkani dhe Europa.
-Për këtë festival ju jeni shprehur se nuk ka pasur mbështetje nga Ministria e Kulturës edhe pse ju i jeni drejtuar përmes projekteve. Çfarë ka ndodhur?
Ne jemi lodhur duke bërë kërkesa në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Kur ne i trokitëm asaj dere ministria ka qenë fare e përfillshme. Ftesat e para për aktivitetin i vinin ministrisë dhe ku ish ministrja Mirela Kumbaro jo vetëm që nuk pranoi të bënte dhe një takim me stafin e shoqatës “Polifonia shqiptare”, por as të merrte rrugën dhe të shikonte se çfarë është ky festival, që bëhet në Bylis dhe është ndërkombëtar. Një aktivitet, që është në shërbim kryesisht të kulturës shqiptare. Nëse do të na shikonte, do të shihte dhe bartësit e saj që e mbajnë gjallë këtë aktivitet kulturor që ne mburremi nga UNESCO. Polifoninë duhet ta mbajë gjallë vetë vendi ynë, kultura shqiptare, Ministria e Kulturës sonë që duhet të interesohet. Por me keqardhje ish ministrja Kumbaro jo vetëm që nuk na ka ndihmuar për këtë festival ndërkombëtar, që mbledh rreth vetes 500 artistë, por nuk kanë ardhur as për të parë se çfarë është dhe kujt i shërben ky aktivitet. Për mua fatkeqësi që ka qenë më shumë se pesë vjet në krye të Ministrisë së Kulturës Kumbaro, ne ia kemi vënë në dukje të gjitha të metat e saja por as ka pyetur nëse ka vërejtje.
-Festivali tjetër i bie të zhvillohet në 2020. Çfarë do të bëni me këtë edicion, a do të drejtoheni për ndihmë te ministria?
Festivali që do të bëhet në 2020 i bie të jetë i dhjeti në Bylis që organizohet nga shoqata “Polifonia shqiptare” pasi dhe një është zhvilluar në Tiranë më parë. Ne do të kërkojmë vëmendje nga Ministria e Kulturës me shpresën se ministrja e re do të ndryshojë opinion për shoqatat dhe komunitetin që mbajnë gjallë këtë vlerë tradicionale. Është tjetër kohë dhe është një tjetër ministre, që ne shpresojmë të na dëgjojë. Së pari do të kërkojmë një takim me këtë ministre si shoqatë që jemi, pasi ish ministrja Kumbaro as nuk ka pranuar të na dëgjojë, edhe pse në këtë shoqatë marrin pjesë kollosa të kulturës shqiptare si Pirro Miso, Birçe Hasko dhe të tjerë artistë të mëdhenj, që marrin pjesë direkt në aktivitetin e saj në Bylis. Ne dhe ne festivalin e Pogonit kur morëm pjesë jemi vlerësuar si “Nderi i Pogonit” në Greqi, kurse nga Ministria jonë e Kulturës nuk jemi trajtuar asnjëherë.
-Ju pohoni probleme, për ju sa bëhet për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgiminë dhe folklorin në vend?
Deri më sot trashëgimia shpirtërore as nuk është ruajtur dhe as nuk është mbrojtur. Atë e mban vetëm shpirti i pastër i popullit, mbrohet nga komuniteti që buron, polifonia toske me tre zërshe nga Skrapari, Gramshi, Rrajca, Përmeti, Berati mbrohet dhe mbahet vetëm nga komuniteti, sepse nuk ka asnjë interesim nga shteti që të themi po e mban, kultivon, po e transmeton. Nuk ka asgjë nga shteti. Trashëgimia shpirtërore është e rrezikuara. Polifonia shqiptare është e rrezikuar, sepse shikon që dhe në një festival nuk ke një grup fëmijësh që të vijë të marrë pjesë si dikur në festivalin e Gjirokastrës. Pas ‘90 e deri tani për kulturën e folklorit tonë tradicional, e folkut të mrekullueshëm dhe e polifonisë që është dhe një ndër pasuritë e rralla të njerëzimit nuk po bëhet ajo që duhet. Ne shumë mirë që e kemi, por ama nga shteti vëmendje që ta mbrojë, ta transmetojmë këtë kulturë nuk kemi. Është shkelur dhe është në përfundim kjo vlerë tradicionale, vetëm sa mbahet gjallë nga bartësit, që po venë nga 70 vjeç dhe po venë dhe 75 vjeç. Por dhe këta do ikin, dhe kur se këndojnë fëmijët atëherë çfarë do të thotë kjo?
-Po çfarë duhet të bëjë ministria sipas jush?
Ministria e Kulturës duhet të bëjë organizimin e saj. Në çdo fshat, komunë dhe bashki ti vërë detyrë që kjo vlerë tradicionale të mblidhet aty ku ka burimin e saj, korifenjtë e saj, dhe ndërmjet tyre të mbledhë dhe të ardhmen dhe të thotë kjo është jetëgjatësia e saj. Por ne nuk shikojmë dritë jeshile.
-Sa bëhej për folklorin, polifoninë para ’90?
Unë kam 50 vjet në skena me polifoninë. Për folklorin tonë pas ‘90 nuk ka fare krahasim puna që bëhej me para atij viti. Viti 1990 është ai që na thotë neve që kemi qenë mbajeni ju polifoninë, dhe ne po e mbajmë. Por pas ‘90 fjala e parë që ti thuash një bartësi ai vjen me shpirt, por ku do të vejë? Jetesa e vështirë, trajtimi i vështirë, ku do të vejë bartësi i polifonisë që të vijë të këndojnë? I bie të marrin bukë me vete në trastë dhe të vijë të këndojnë në Bylis ashtu siç kanë ardhur, dhe falë disa bijve tanë të komunitetit atje që i kemi dhënë bukën 500 artistëve në festival. Por kjo është një fatkeqësi. Unë kam mbi 50- vjet në skenë dhe kam mbi një çerek shekulli që po e mbaj gjallë këtë kulturë dhe traditë, po mbaj gjallë polifoninë shqiptare përmes shoqatës sonë. Kur mban polifoninë shqiptare të tjerat kanë më pak problem. Nuk është llaç e tulla që të riparohet, por është një pasuri shpirtërore që nuk riparohet me mistri dhe llaç. Por ndërtohet dhe pasurohet duke vjelë brezin e ri, të ardhmen. Te ne po mbyllen sot dhe shkollat në fshatra. Kjo është një fatkeqësi e madhe, sepse nuk ke ku i gjen fëmijët. Unë uroj dhe dua që Margariti ti vërë rëndësi trashëgimisë shpirtërore, sepse po humbet.
-Ju përmes shoqatës “Polifonia shqiptare” keni nisur të merreni isopolifoninë, që ju e quani problem. Çfarë do të bëni?
Shoqata “Polifonia shqiptare” ka ndërhyrë që në 2002 për mospranimin e termit isopolifoni, sepse është një term antishqiptar që nuk zë fare vend në polifoni. Është një term si ti thuash dardhës, bishtbardhe, ose mollës bishtmolle jo mollë. Polifonia është një term internacional, ku doktor profesor Ramadan Sokoli artisti i popullit e ka pagëzuar në një konferencë të madhe shkencore ballkanike me emrin e mrekullueshëm polifonia popullore shqiptare. Pas vdekjes së tij apo dhe disa të tjerëve u bënë më të njohur këta pseudostudiuesa, që janë dhe profesorë të tranzicionit, që i kanë ndryshuar emrin në isopolifoni dhe po e mbajnë peng. Por nuk do ta mbajnë. Puna për ndryshimin e emrit nga polifoni në isopolifoni ka nisur që në 2002, dhe në 2005 ka ardhur në formën përfundimtare nga UNESCO që është aprovuar. Ne kemi që në këto vite që e kundërshtojmë. Tani kemi që nga 2010 duke bërë kërkesa për ti thënë Ministrisë së Kulturës që ju lutem këtë pasuri që është e jona e komunitetit tonë ta ndryshoni dhe të jetë polifoni të hiqni ison. Ne do ti drejtohemi dhe tani ministrisë me një peticion për të qenë polifoni dhe jo isopolifoni, që do të firmoset nga personalitetet të artit dhe kulturës.
-Ju jeni shprehur se nuk bëhen dhe studime për pasuritë tona folklorike, çfarë është shqetësuese?
Studime për folklorin tonë nuk bëhen. Në kohën që ne i kërkojmë ministrisë të drejtën për të ndryshuar termin ajo na drejtoi te Instituti i Folklorit, që sot ka një emër tjetër dhe ne kur shkonim atje një drejtoreshë na thoshte që ne nuk kemi këtu studiues, pse na ngatërroni. Ne nuk kemi njerëz që ti përgjigjemi kësaj, nuk kemi punë fare me polifoninë. Kjo ishte përgjigja që na jepej. I thoja asaj zonjës na e jep me shkresë zyrtare përgjigjen, por thoshin që nuk kemi studiues ato vite. Pra në institutet tona nuk kishte asnjë lloj përgjegjësie kur me shkresë zyrtare Ministria e Kulturës na drejtonte atje. Struktura e folklorit shqiptar është e prishur tërësisht. Ne ndaj tani do ti drejtohemi sërish ministres së re duke shpresuar të na dëgjojë dhe të na ndihmojë.
Intervistoi: Julia Vrapi









































