Google search engine
Home Sport Sukaj firmos në Vlorë me Flamurtarin, Gjici pezullon dhe degdis Rexhinaldon tek...

Sukaj firmos në Vlorë me Flamurtarin, Gjici pezullon dhe degdis Rexhinaldon tek Kukësi B

0
575

Flamurtari i ka befasuar të gjithë me një lëvizje që ka bërë dje në këtë fazë të fundit të merkatos dimërore. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, prezantoi para kamerave blerjen e spikatur të këtij afati kalimtar, shkodranin Xhevahir Sukaj, me shpresën se eksperienca dhe cilësia e tituj do ta mbanin skuadrën në formë edhe në repartin ofensiv dhe Sukaj besohet se do ta përmbushë me sukses objektivin që kanë kuqezinjtë në kampionat. Nuk do të jetë e lehtë, por me largimin e lojtarëve të huaj të repartit sulmues, ishte bërë e domosdoshme që të afrohej një futbollist që e njeh kampionatin,q ë di të luajë mirë me kokë dhe me këmbë, që ka intuitë dhe eksperiencë për të nxjerrë në favor të grupit ndeshjet direkte dhe ato me peshë të rëndësishme. Kështu, largimi i Tomislav Bushiç drejt Teutës, la një boshllëk në majën e sulmit të Flamurtarit, por drejtuesit ndërhynë menjëherë për të zgjidhur këtë çështje. Kështu sot në Vlorë u prezantua një tjetër emër i njohur i futbollit shqiptar, sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj. Sulmuesi 32-vjeçar është vënë menjëherë në dispozicion të trajnerin Ilir Daja, ndërsa ende nuk dihet nëse është gati për të luajtur që nga fundjava e ardhshme. Sukaj ka një karrierë mjaft të pasur sportive, pasi ka veshur fanellën e Vllaznisë, Partizanit, e Laçit në Shqipëri, por ka luajtur edhe në ligat iraniane, kroate, turke, etj. Pra Sukaj është lojtar që e njeh dhe përshtatet shpejt me ambientin dhe di të reagojë në kohën e duhur. Tashmë Flamurtari i ka varur shpresat pikërisht tek bomberi shkodran për të arriture objektivat e tij sezonale.

Gjici pezullon dhe degdis Rexhinaldon tek Kukësi B

“Mungesa e Rexhinaldos në ndeshjen e fundit ndaj Laçit, u duk se ishte një mungesë për shkak dëmtimi dhe këtë e pranoi edhe vetë Armando Cungu pas ndeshjes, por mesa duket, gjërat janë ndryshe”, shkruajnë mediat sportive. Sjellja e Rexhinaldos në fushë dhe jashtë saj, ka shqetësuar drejtuesit e klubit verilindor të cilët kanë marrë një vendim për të. Mediat sportive të ditës raportojnë se numri një i Kukësit, Safet Gjici ka vendosur që ta përjashtojë pa afat nga skuadra e parë sulmuesin mozambikas duke e detyruar që të stërvitet me Kukësin B. Kjo vjen si pasojë e sjelljeve të Rexhinaldos dhe sidomos, pasi firmosi te Kukësi edhe Vasil Shkurtaj. Në një vendim të dytë, Rexhinaldo do të rikthehet sërish me skuadrën e parë dhe do të jetë po vetë Safet Gjici ai i cili do të rikthejë Rexhinaldon. Kjo në fakt nuk është hera e parë që ndodhin të tilla dënime te verilindorët, duke qenë se në fillim të sezonit ishte Et’hemi, Çyrbja e Shkodra që e provuan Kukësin B, me këtë të fundit që u largua këtë merkato.

Shkëmbim kokë më kokë mes Qaqit dhe Teqjes

Shkëmbim “kokë më kokë” në aksin Kukës-Kamëz. Olsi Teqja do të kalojë tek nënkampionët, ndërsa Harrallamb Qaqi do të jetë afrimi më i fundit i Kamzës. Kishte kohë që përflitej për një lëvizje të tillë, por drejtuesit ende nuk kishin gjetur gjuhën e përbashkët, ndërsa në fund mbizotëroi dëshira e të dy futbollistëve për këtë transferim. Teqja, i cili erdhi tek Kamza në muajin Gusht, dëshironte të ishte pjesë e një skuadre pretendente dhe në momentin kur Kukësi shfaqi interes, atëherë iu realizua ambicia personale, ndërsa në krahun tjetër, Qaqi, që mbërriti tek Kukësi në qershor të 2018-ës si një prej kërkesave kryesore të ish trajnerit Pakult, nuk mori minutazhin e pretenduar pas largimit të austriakut dhe logjikisht kërkon të luajë, mundësi që ia ofron Ernest Gjoka tek Kamza. 25-vjeçari u aktivizua në vetëm 5 ndeshje si titullar në kampionat, duke përfunduar si zgjedhja e 4-t e trajnerit Cungu, pas Shametit, Cuculit e Krasniqit, ndërkohë që tek Kamza të paktën si fillim vendin e titullarit do ta ketë të garantuar. Një lëvizje “perfekte” për të gjitha palët, që konfirmon edhe marrëdhëniet e mira mes klubeve, duke kujtuar këtu edhe lëvizjen e Plakut në verë fillimisht nga Kamza tek Kukësi, e më pas rikthimin e tij tek skuadra nga periferia e kryeqytetit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here