Qeveria do të pranojë të enjten kërkesën e presidentit Ilir Meta për të hetuar veprimtarinë e Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar për rastin e Gent Cakës. Nesër do të mbahet seanca e radhës parlamentare, ndërsa pjesë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i kërkesës së opozitës për të ngritur komisionin hetimor për DSIK. “Kërkesë e më shumë se ¼ së deputetëve të Kuvendit, anëtarë të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim “Për ngritjen e komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë e tij si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme, apo detyra të tjera shtetërore””, thuhet në njoftimin e Parlamentit.
Kujtojmë që kur ishte debati nëse Caka duhet të emërohet apo jo ministër i Jashtëm, Meta akuzoi DISK se ka dhënë certifikatë sigurie brenda 24 orëve për Cakën. Për këtë arsye ai kërkoi komision hetimor për DSIK për të parë nëse ky institucion e ka ushtruar detyrën e tij në përputhje me ligjin. Por duke qenë se presidenti nuk bën dot kërkesë për komisione hetimore, në lëvizje u vunë PD-LSI, të cilët depozituan kërkesën në Kuvend. Të enjten pritet që kjo kërkesë të pranohet dhe të ngrihet komisioni hetimor për DISK sepse deputetët të mazhorancës në një dalje publike pak ditë më parë nuk e kundërshtuan këtë ide. Ndërkohë, pjesë e rendit të ditës të seancës plenare është edhe votimi i kandidaturës së Bahri Shaqirit në krye të KLSH; projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 74/2018 “Për ngritjen e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” apo edhe akti normativ nr. 2, datë 19.12.2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar.









































