Pas Saimir Tahirit, ish-drejtuesi i Policisë bën lëvizjen e papritur nga arratia

0
664

Ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili prej më shumë se një vit ndodhet në arrati, ka ankimuar zgjatjen e afateve të hetimit.

Kujtojmë se ndaj Çelës, Gjykata për Krimet e Rënda ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë në nëntor të 2017-ës, së bashku me ish-zyrtarin tjetër të policisë Gjergji Kohilën.

Ata dyshohet se kanë favorizuar grupet kriminale, gjatë viteve 2015-2016 për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Seanca kur do të shqyrtohet kërkesa e Jaeld Çelës, kundër zgjatjes së hetimit u zhvillua sot në orën 11:00, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa vendimi u shty për në datën 11 shkurt.

Më herët, organi i akuzës, mbylli hetimet për 9 persona të dyshuar si anëtarë të grupit Habilaj, por ndau dy dosjet që po hetoheshin bashkë, atë të ish-zyrtarëve të policisë dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Edhe ky i fundit, ankimoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke ngritur pretendime, se prokuroria po zvarrit procedimin, pasi nuk ka prova, ndërsa në 6 shkurt është vendosur shqyrtimi i kërkesës së ish-ministrit. Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës, ankimon zgjatjen e afateve, duke u bërë i “gjallë” për drejtësinë, vetëm për të kundërshtuar nëpërmjet avokatit të tij, vendimet e prokurorisë. Sipas kësaj të fundit, Jaeld Çela, ka pasur komunikime të vazhdueshme pjesëtarë të Habilajve, përfshi edhe Moisi Habilajn.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here