Google search engine
Home Politike Drejtesi Lëkunden pozitat e komisioneve të vetingut, shtyhen sërish vendimet për Prelën dhe...

Lëkunden pozitat e komisioneve të vetingut, shtyhen sërish vendimet për Prelën dhe Islamajn, KPK dështim me krerët e drejtësisë

0
555

Puna e komisioneve të vetingut nuk po ecën ashtu siç duhet. Teksa pritej që viti 2019 të ishte i vrullshëm dhe me goditje të shumta në sistemin e drejtësisë, ditët e janarit po provojnë të kundërtën. Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar shumë gjyqtarë dhe prokurorë në sitë, ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shqyrtuar një pjesë të mirë të ankimimeve. Por këto kohë tek të dy organet e vetingut vihet re një vonesë në dhënien e vendimeve. Dje në orën 10:00 pritej që KPK të vendoste për fatin e drejtueses së Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela. Por vendimi u shty për në datën 5 shkurt. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00. Kjo seancë do të mbahet në të njëjtën sallë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë!”, njoftoi KPK. Pritshmëritë janë që Donika Prela të shkarkohet nga detyra për shkak të problemeve që kishte me pasuritë dhe për shkak të faktit që bashkëshorti i saj ka kryer evazion fiskal duke mos paguar taksat për pagat e tij për disa vite me radhë. Por mesa duket KPK stepet para krerëve të drejtësisë dhe kërkon më shumë kohë për të shqyrtuar provat në favor dhe kundër subjektit për të dhënë verdiktin përfundimtar. Megjithatë duhet theksuar fakti që dje me Donika Prelën u shënua rasti i parë ku u shty vendimi për konfirmim ose shkarkim nga detyra, pasi kjo nuk kishte ndodhur më parë gjatë veprimtarisë së KPK. Kjo tregon që KPK po dështon me procesin e vetingut për krerët e drejtësisë. Dy raste ku besueshmëria e publikut tek KPK u lëkund ishin ato për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Që të dy këta krerë u rikonfirmuan në detyrë nga KPK, edhe pse kishin probleme me pasurinë. Tani edhe rasti i Donika Prelës po shton më shumë dyshimet e publikut tek komisioni i vetingut. Mesa duket, kur bëhet fjala për krerë drejtësish, edhe pozitat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lëkunden.

Vonesat në KPA

Një tjetër organ i vetingut që po vonon vendimet për subjektet e rivlerësimit është edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Një çështje që po zvarritet pafundësisht shumë nga KPA është ajo e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Islamaj përfundoi në KPA pas ankimimit të Komisionerëve Publikë, të cilët kërkojnë prishjen e vendimit të konfirmimit të marrë nga KPK. Por edhe pse seanca e parë për gjyqtarin e Lartë u zhvillua që në mes të muajit nëntor, në fund të janarit nuk ka akoma një vendim përfundimtar për të. Trupa gjykuese e KPA e ka shtyrë disa herë vendimin për Islamajn, duke marrë kohë për shqyrtimin e provave. Shtyrja e radhës u shënua ditën e djeshme, ku u mbajt seanca e radhës. “Subjekti i rivlerësimit paraqiti informacion të detajuar për hyrje-daljet e tij nga territori i Shqipërisë dhe personave të lidhur me të, për periudhën 1 janar 2004 deri në 1 janar 2008. Trupi gjykues vendosi të marrë në cilësinë e provës aktet shkresore të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, prova për të cilat Komisioneri Publik deklaroi se do të shprehet në konkluzionet përfundimtare. Për t’i mundësuar Njësisë së Shërbimit Ligjor të analizojë provat e reja dhe të bëjë një rivlerësim të situatës financiare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e martë, më datë 12.02.2019, ora 09.00”, njoftoi KPA. Një tjetër çështje që po shtyhet në KPA është edhe ajo për gjyqtarin Artan Lazaj. Pra mesa duket, kur vjen puna tek emrat e krerëve të drejtësisë dhe ata me peshë në sistem, komisionet e vetingut tremben dhe druhen për të dhënë vendimet. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here