Google search engine

    Drama “Natën Ma” nga Ema Andrea, në sezonin artistik të Metropolit

    0
    614

    Teatri Metropol prezanton në vijim të sezonit artistik, që ka nisur këtë vit një tjetër vepër, që sjell në skenë aktore të njohura të teatrit. Me regjisore Ema Andrea dhe aktoren Ilir Vinca dhe Egla Ceno në sezonin artistik të Metropolit do të jetë dhe drama “Natën Ma” shkruar nga Marsha Norman. Kjo vepër ka bërë bashkë një kastë artisësh të njohur, ku muzika është nga Bojken Lako dhe muzikantë në vepër janë Endi Aron Çekani dhe Rei Kondakçi. Pas veprës që po shfaqet këto ditë në Metropol “Sherlok Holms dhe Langoi i Bakservillëve” më pas sezoni do të vijojë me këtë shfaqje teatrore në skenë për publikun. Si do ndihej një nënë nëse fëmija i thotë qartë, ftohtë, vendosur, me bindje dhe pa emocion që mbrëmja që po kalojnë bashkë, është mbrëmja e fundit? Që kur të thotë natën e mirë, do hyjë në dhomën e vet dhe do vrasë veten? Vepra tregon fatin e një nëne, Telma 50 vjeçe dhe bijës së saj Xhesit, 30 vjeçe. Pjesa nis me rrëfimin e Xhesit, e cila duhet t’i thojë së ëmës që në mëngjes do të vdesë. Xhesi është një grua e divorcuar që jeton me mamanë e saj. Asgjë deri tani nuk i ka ecur siç duhet, ndaj ajo ndjehet e humbur, ku vuan njëkohësisht nga depresioni kronik. Thelma është nëna e saj, e cila duhet të përballojë depresionin e së bijës. Një vepër e fortë emocionale, që do të vijë nën konceptin ndryshe të Andreas, e cila njihet për zgjedhjen ndaj veprave të forta. Skenografia e veprës është realizuar nga Enio Shehi dhe identiteti vizual nga Vincenzo Giannattasio. Kjo për tre artistet, regjisoren Ema Andrea dhe dy aktoret Egla Ceno dhe Ilire Vinca duket se është dhe shfaqja e parë këtë vit që ka nisur për sezonin artistik në teatër.

    Autorja dhe krijimtaria

    Drama “Natën, Ma”, fituese e çmimit Pulitzer dhe e çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman vjen si produksion i Teatrit Metropol, me regji të Ema Andreas dhe interpretimin e shkëlqyer të Ilire Vincës dhe Egla Cenos. Marsha Norman lindi më 21 shtator 1947. Ajo është e njohur si dramaturge amerikane, skenariste dhe romanciere, si dhe fituese e çmimit Pulitzer më 1983. Ajo shkroi librin “The Secret Garden”, për të cilën ajo fitoi çmimin Tony dhe çmimin “Drama Desk” për librin e muzikës dhe Shoes Red, si dhe libret për muzikën Color Purple. Marsha Norman që fëmijë nisi të luante në piano. Më vonë ajo filloi të merrte pjesë në shfaqjet e aktoreve të reja të Louisville. Ajo mori një diplomë bachelor nga Agnes Scott College dhe një diplomë master nga Universiteti i Louisville. Ajo ka punuar si gazetare për gazetën Louisville Times dhe gjithashtu ka shkruar për Televizionin Arsimor Kentucky. Ndërsa në krijimtarinë e saj ajo është e njohur dhe për vepra të tjera tashmë në skenën shqiptare kjo autore prezantohet me dramën “Natën Ma” në vijim të sezonit artistik të Teatrit Metropol. Ndërsa kjo shfaqje pritet të jetë në skenë, së fundmi tetari ka prezantuar punën, që është bërë gjatë vitit që lamë pas. Përmes një videoje të publikuar me shfaqjet dhe disa nga aktivitete që janë zhvilluar, teatri shkruan se këtë vit do të jenë të tjera surpriza për publikun në skena. “Falenderime të përzemërta nga Teatri Metropol për këdo që e bëri vitin që kaloi një sukses të padiskutueshëm! Faleminderit publikut të mrekullueshëm, teatërdashësve që na ndjekin në çdo hap, i madh e i vogël. Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve, 89 aktorëve, 17 regjisorëve, 25 artistëve të tjerë përfshirë këtu skenograf, koreograf, formulues muzikor, asistent, etj. Faleminderit Ansamblit Tirana, stafit të palodhur të Metropolit dhe kujtdo që dha zemrën dhe ndau me ne këtë vit të jashtëzakonshëm plot me projekte, bashkëpunime, suksese, por mbi të gjitha me dashuri dhe pasion. Shihemi në sezonin e ri plot surpriza të 2019 në Metropol!”, shkruan teatri për punën me shfaqjet.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here