Google search engine
Home Dosier CIA zbardh detajet, ja sulmet e Hrushov ndaj regjimit të Enver Hoxhës...

CIA zbardh detajet, ja sulmet e Hrushov ndaj regjimit të Enver Hoxhës dhe çfarë ndryshoi pas rrëzimit të tij, SHBA tentoi të fshihte autorësinë e operacioneve

0
446

Amerikanët kanë treguar detaje mbi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, tregohen marrëdhëniet e tensionuara me Nikita Hrushov dhe atë që ndodhi pas rrëzimit të tij nga pushteti. Po ashtu tregohet se si CIA tentoi që të distancohet nga operacionet, pasi u tentua që kjo tu atribuohej partive shqiptare në emigracion.

Sulmet e Hrushov ndaj Shqipërisë

Më 27 tetor Hrushov e ngriti në një tjetër nivel konfliktin (BRSS-Shqipëri) duke bërë thirrje për përmbysjen e udhëheqjes shqiptare. Pasi përmendi se BRSS kishte bërë gjithçka të mundur për riparimin e marrëdhënieve, ai tha se partia sovjetike duhet t’i tregonte të gjithë botës të vërtetën. Në një paragraf ironik ai iu referua “ankthit” të Çu Enlait për publikimin e debateve brenda lëvizjes. Hrushov tha: “Edhe ne ndajmë ankthin e kolegëve tanë kinezë për mbarëvajtjen në bllok dhe e vlerësojmë shqetësimin e tyre për forcimin e unitetit. Nëse shokët kinezë dëshirojnë të ushtrojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes partisë shqiptare dhe partive vëllazërore, janë të mirëpritur.” Më tej Hrushov tha se denoncimi publik i Shqipërisë u bë prej pretendimeve të saj për “privilegje të veçanta” dhe manifestim të stalinizmit në formën më të keqe, ndërsa më tej ftoi kinezët të ndërhynin me Shqipërinë për risjelljen e saj në linjën e bllokut: “Që Shqipëria t’i japë fund ngritjes së kultit të individit për Hoxhën, Shehun e të tjerë, kjo do të thotë heqje dorë nga pozitat e tyre shtetërore, gjë që ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë. Por ne kemi besim se do të vijë një kohë kur komunistët e vërtetë shqiptarë dhe populli shqiptar do të thonë fjalën e tyre, dhe kur udhëheqësit aktualë do të duhet të përgjigjen …” Rezoluta e pranuar nga kongresi sovjetik më 31 tetor përmbante vetëm qëndrimet e moderuara të Hrushot, pra që udhëheqja shqiptare të heqin dorë nga pikëpamjet e gabuara dhe të rikthehen në rrugën e unitetit, pa përmendur përmbysjen e pushtetit. Por Hrushov e kishte bërë tashmë të qartë se nuk do të hiqte dorë përveçse me kokat e atyre që e kishin sfiduar dhe denoncuar. Shumë nga delegacionet që folën më pas mbështetën akuzat sovjetikë ndaj udhëheqjes shqiptare dhe asnjë nuk foli në mbështetje të tyre përveç Kinës dhe Shqipërisë që nuk ishte prezente. Ata që mbetën neutralë duke mos u shprehur ishin rreth 20 parti komuniste mes të cilëve Koreja e Veriut, Vietnami i Veriut nga blloku socialist, India, Japonia, Burma, partitë komuniste anglofone të Australisë, Zelandës së Re, Britanisë, partitë skandinave të Norvegjisë, Danimarkës, Suedisë e Islandës, Algjeria nga partitë afrikane dhe disa parti komuniste latine.

Përpjekja Kinë-BRSS pas rrëzimit të Hrushovit

Ky dokument është organizuar në tre pjesë: në pjesën e parë përshkruhet ndryshimi i kursit politik të BRSS në gjashtë muajt e parë pas rënies së Hrushovit drejt një apeli më të zëshëm ndaj interesave të atyre partive që kishin tendenca drejt Kinës dhe kundër Shteteve të Bashkuara. Pjesa e dytë trajton rritjen e suksesit të partisë sovjetike në 1965 dhe të fillim të 1966 në neutralizimin e ish-mbështetësve të Kinës me anë të apelit për unitet veprimi përkrah Vietnamit dhe kundër SHBA, si dhe duke përfituar politikisht nga refuzimi i Mao Ce Dun për të bashkëpunuar me ata që nuk i bindeshin. Pjesa e tretë diskuton rrjedhën e ngjarjeve prej refuzimit të Mao Ce Dun të pjesëmarrjes në kongresin e 23-të sovjetik në pranverën e 1966 dhe daljen e lajmit të spastrimeve të gjera në Kinë në kuadër të “revolucionit të madh kulturor”. Kjo solli përshkallëzimin e sulmeve të drejtpërdrejta sovjetike ndaj Mao Ce Dun, dhe rritjen e izolimit të Kinës.

Përmbledhje

Në dy vite e gjysmë pas rënies së Hrushovit, nga tetori 1964 deri në maj 1967, njerëzit që e zëvendësuan Hrushovin panë gjithashtu ndryshime dramatike në kontestin mes Kinës dhe BRSS për dominim të lëvizjes komuniste botërore. Në 1964 Kina po fitonte terren në kurriz të BRSS dhe kishte mbledhur rreth vetes një numër partish të Lindjes së Largët, si Vietnami e Koreja e Veriut, marrëdhëniet e të cilave me BRSS po përkeqësoheshin. Por në 1967 ofensiva brenda lëvizjes komuniste ishte ndaluar kudo dhe BRSS kishte rifituar partitë e Lindjes së Largët dhe prestigji i partisë kineze ishte dobësuar. Një faktor i rëndësishëm për këtë ishte ndryshimi i prioriteteve të partisë sovjetike që prej rënies së Hrushovit dhe mbajtja e një qëndrimi më militant kundër SHBA. Suksesi sovjetik u ndihmua dhe nga pretendimi i ekzagjeruar i Mao Ce Dun se Moska po bashkëpunonte me amerikanët kundër Vietnamit, si dhe arroganca e tij ndaj partive të tjera mbështetëse ndaj Kinës. Komuniteti komunist gjithashtu ishte irrituar nga ngjarjet e revolucionit kulturor në Kinë dhe propaganda e eksportimit të tij në vendet e tjera, që deri tani kishte gjetur reflektim të plotë vetëm në Shqipëri. Prej vjeshtës 1964 Mao Ce Dun po humbiste kudo terren simes komunistëve dhe jo-komunistëve prej mungesës së respektit ndaj interesave të vendeve të tjera, ndërsa BRSS kishte rifituar një pjesë të lëvizjes botërore komuniste që ishte humbur prej hezitimit të Hrushov. Por në të njëjtën kohë partia sovjetike është nostalgjike për hegjemoninë e mëparshme në lëvizjen komuniste dhe përsëri përpiqet të rrisë autoritetin në Evropë e në Amerikën Latine, ku për këtë çështje ka hyrë në polemika me regjimin e Kastros.Në fakt të gjitha partitë komuniste kishin kërkuar që BRSS të mbante një linjë më të ashpër ndaj SHBA, të kryesuar nga partia komuniste italiane që një muaj para rënies së Hrushov publikoi atë që njihet si “Memorandumi Togliati” ku kërkohej rishikimi i politikave sovjetike drejt SHBA.

Politikat e Moskës

Kështu që në prag të rënies së Hrushovit politika e bashkë-ekzistencës u bë objekti kryesor i kritikave, por jo shumë më pak sesa politika kundrejt Kinës dhe kundërshtimet për mbajtjen e konferencës botërore komuniste pa Kinën nga partitë e Lindjes së Largët. Këto të fundit kishin tendencë të binin në një linjë me kinezët për politikën ndaj SHBA. Fidel Kastro gjithashtu mbështeste linjën e partive të Lindjes së Largët, por në ndryshim me ta nuk renditej si palë me Pekinin, por u përpoq të ruante një pozitë neutrale. Por më në fund plani i Hrushovit për të mbajtur konferencën pa Kinën hasi në opozicionin dhe të partive evropiane, që ishte dhe goditja e fundit ndaj tij. Prandaj dhe objektivat kryesorë të njerëzve që pasuan Hrushov, ishin zbutja e linjës së tij në lidhje me Kinën, por gjithsesi në tre muajt e parë të administratës së re nuk kishte një axhentë të qartë politike. Shumica e anëtarëve të rinj që kishin përparësi ekonominë, si Kosigin dhe Mikojan, besonin se reduktimi i tensioneve me SHBA i shërbente shtetit sovjetik. Por kjo kishte qenë pikërisht arsyeja e rrëzimit të liderit dhe rrjedhimisht kampi agresiv i përfaqësuar nga Suslov, Shelepin e Brezhnjev do të triumfonte. Suslov ishte përplasur për vite me radhë me Hrushov prej politikave miqësore me imperialistët dhe favorizohej nga partitë më militante komuniste si Japonia e Indonezia. Por rrjedhimisht Brezhnjevi mori postin e sekretarit të parë dhe menjëherë nisi të zgjeronte pushtetin e tij.

Situata jashtë kufijve

Jashtë Shqipërisë ka rreth 1500 azilantë anti-komunistë të cilët janë të ndarë në fraksione kundërshtare dhe asnjëri nuk është i rangut të lartë. Nga grupet e shumta tre janë më të rëndësishme, ai i ish-mbretit Zog që është përzënë nga italianët në 1939 dhe që përçmohej nga shumica e shqiptarëve. Balli Kombëtar, që është grupi më i fortë ka ide republikane liberale dhe drejtohet nga Mit’hat Frashëri. Grupi tjetër është Blloku Kombëtar Indipendent, monarkist konservator. Këto grupe antagoniste mund të detyrohen të arrijnë në farë bashkëpunimi në rast të lëvizjes së suksesshme popullore kundër komunizmit. Një tjetër problem lind në lidhje me pretendimet greke për Epirin e Veriut, prej minoritetit ortodoks në rajon, por kjo është kryesisht vetëm për qëllime strategjike. Qeveria greke është e zemëruar me Shqiptarët prej mbështetjes së tyre ndaj lëvizjes së guerrilasve komunistë, prandaj nuk është koha e duhur për t’i nxitur të heqin dorë nga pretendimet. Gjithsesi qëndrimi i tyre duhet mbajtur i moderuar për të evituar akuzat e mëpasshme se revolta ishte pararendëse e ndarjes së territorit. Një tjetër drejtim i çështjes që duhet të kemi parasysh është koncepti i Maqedonisë së pavarur që mbrohet nga blloku sovjetik. Ky rrezik nuk është ende urgjent por mud të zhvillohet më vonë. Kemi gjithashtu çështjen e ndërhyrjes direkte ruse në Shqipëri, prej rrezikut për rreth 3000 rezidentë rusë në vend, në formë teknikësh dhe këshilltarësh. Por gjithsesi shifra mund të jetë e fryrë dhe ne besojmë se në rast të zgjatjes së operacioneve sovjetikët mund të forcojnë kuadrin e sigurisë. Dhe në fund kemi problemin e Titos, për të cilin Shqipëria është një gjemb në këmbë. Ai mund ta eliminojë lehtësisht Shqipërinë me anë të forcës ushtarake, por përmbahet prej tensioneve të shumta që ekzistojnë në Ballkan. Tito me sa duket ka tentuar operacione guerile në rajonin e Ohrit por nuk ka arritur rezultatet konkrete. Dhe në fakt duhet pranuar se një Shqipëri e lirë do të ishte më shumë objekt tentativash nga Jugosllavia sesa në sistemin aktual komunist, prandaj ne besojmë se mund të ushtrojmë presion të mjaftueshëm për ta mbajtur Titon në linjë.

Bashkëpunimi me britanikët

Gjatë mbledhjes së të dhënave e gjykimeve të mësipërme ne zbuluan se Shqipëria ishte gjithashtu objekt operacionesh të tjera sekrete. Pasi përmendën tentativat jugosllave, kohët e fundit mësuam se britanikët po nisin një operacion në Shqipëri. Koncepti i tyre është më i kufizuar se i yni, duke përfshirë një masë më të vogël grupesh guerile dhe operacione njohjeje në zonën e Epirit, me qëllim prishjen e mbështetjes për guerrilasit grekë. Për operacionin tonë duhet të marrim parasysh veprimet e armiqve dhe aleatëve tanë pro në rastin e britanikëve ne kemi vendosur të bashkojmë përpjekjet tona. Ne do të kemi politika të përbashkëta drejtuese nga Uashingtoni. Ne insistuam dhe britanikët ranë dakord të vendosim operacionet tona nën mbulimin e Komitetit Kombëtar SHqiëptar. Ne ramë dakord që çdo palë të veprojë sipas politikave të saj, që do të thotë se britanikët nuk janë të detyruar të bëjnë më shumë nga plani i tyre origjinal, por dera do të jetë e hapur për përfshirje më të madhe nëse ata e dëshirojnë.

Plani i operacionit

Teksa plani ynë është ende në zhvillim, fazat e tij kryesore janë ajo politike, propaganda, veprimi direkt dhe shfrytëzimi. Në fazën politike është thelbësore krijimi i grupit politik shqiptar të diasporës që do të prezantohet si drejtues i operacioneve. Kjo është e rëndësishme pasi SHBA nuk mund të jetë në pozitën e autorit direkt të nxitjes së trazirave në Shqipëri. Kjo do të ishte e sikletshme pasi mund të ngrihet kundër nesh në Kombet e Bashkuara. Prandaj ne kemi nisur krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar, me pjesëmarrjen e të gjitha grupeve përveç fashistëve dhe komunistëve. Përfaqësuesit tanë kanë nisur kontaktet me grupet e emigrantëve dhe kanë siguruar një masë të konsiderueshme dakordësie për të bashkëpunuar për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Komiteti do të marrë formë konkrete prej 1 korrikut, nën drejtimin e Frashërit nga Balli Kombëtar. Komiteti është në fakt agjenti ynë dhe do të veprojë nga ambientet që ne kontrollojmë. Fjalët që ata do të thonë në radio do të diktohen nga ne dhe njerëzit që do të dërgohen në Shqipëri do të zgjidhen dhe do të stërviten nga ne. Një problem dytësor politik është influencimi i zyrtarëve grekë në qasjen e tyre ndaj Shqipërisë. Ne shpresojmë që të bindim grekët të ndalojnë pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë për momentin, dhe pas përmbysjes së pushtetit në Shqipëri dhe rivendosjes së rendit në Greqi, t’i ngrenë ato në OKB. Rreth dy javë pas inaugurimit të komitetit shqiptar, pra rreth 15 korrikut ne do të nisim në emër të tij një fushatë propagande kundër regjimit në Shqipëri, me mjete klandestine dhe gjysmë-klandestine, pra me të gjitha mjetet e mundshme, duke përfshirë transmetimet radio, materialet e shtypura dhe thashethemet. Ne besojmë se kjo fushatë do të ketë efekte të ndjeshme në prishjen e stabilitetit të regjimit.

Trajnimi

Prej 1 korrikut do të nisim trajnimin e një grupi prej rreth 50 agjentë për operacione në Shqipëri. Agjentët do të jenë shqiptarë dhe do të stërviten në mënyrë të tillë që të mos tregojnë se janë trajnuar nga amerikanët apo nga britanikët. Po hasim disa vështirësi në gjetjen e vendit për kampin e stërvitjes dhe mendojnë të vendosemi në Maltë. Bashkë me kampin e stërvitjes do të krijojmë një bazë të specializuar me britanikët në Korfuz. Deri në 1 shtator ne planifikojmë të kemi nisur infiltrimet e grupeve të vogla të agjentëve të pajisur me radio-transmetues. Hyrja e tyre do të bëhet nga bregdeti ose nga kufiri grek. Misioni i tyre do të jetë krijimi i kontakteve me grupet opozitare në Shqipëri, organizimi i tyre dhe demonstrimi se është koha e duhur për nisjen e operacioneve guerile dhe për ndihmat në armë e para. Në besojmë se fushata e infiltrimit do të na japë deri në nëntor një ide të qartë nëse revolta e armatosur do të jetë e suksesshme apo jo. Nëse raportimet janë të favorshme, atëherë deri në pranverën e ardhshme do të kemi nisur revoltën. Ajo do të ketë si bazë forcën e vogël të emigratëve shqiptarë por për vendime të mëtejshme duhet të presim deri në vjeshtë. Ne parashikojmë një periudhë prej nëntë deri në 18 muaj deri në arritjen e suksesit. Ne po marrim në konsideratë gjithashtu operacione dytësore siç mund të jenë veprimet për shtypjen e ekonomisë shqiptare me anë të lëshimit të parave fallto. Kjo do të ishte një detyrë e lehtë pasi të kemi hyrë fizikisht në vend. Së dytë, sipas informacioneve tona ndihmat ushtarake ruse për Shqiëprinë vijnë me anije polake që lundrojnë nga Balltiku deri në Adriatik prandaj në të ardhmen, ne mund të ndalojmë këtë trafik. Ne kemi zgjedhur ndërkohë komandantin në terren për operacionin shqiptar dhe ai tashmë është nisur drejt Mesdheut. Kostot e operacionit nuk mund të llogariten me saktësi në këtë kohë, por pritet të jenë nga 200 000 deri në 1 milionë dollarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here