Google search engine
Home Sport Tjetër “kurban” në Superiore, dorëhiqet Mezani, Luftëtari “telefonon” Milinkoviç

Tjetër “kurban” në Superiore, dorëhiqet Mezani, Luftëtari “telefonon” Milinkoviç

0
484

Kategoria Superiore rinisi me surpriza të mëdha këtë fundjavë janari, që korrespondoi me fazën e tretë të garës. Surpriza më e madhe ishte fitorja e thellë 5-1 e Kastriotit në Gjirokastër përballë Luftëtarit, një fitore jo vetëm e papritur, por edhe e dyshimtë, duke bërë që në qytetin e gurtë klubi të imponojë largimin e trajnerit Gentian Mezani. Në fakt ai dha dorëheqjen pas deklaratave të pas ndeshjes, kiu paralajmëronte rënien e gjirokastritëve një kategori më poshtë. Dhe dje erdhi edhe lëvizja zyrtare, pra dorëheqja zyrtare e trajnerit. Kështu, Gentian Mezani nuk është më trajner i Luftëtarit. Vlonjati është larguar nga drejtimi i gjirokastritëve më kërkesën e presidentit Grigor Tavo, që me sa duket nuk i ka pëlqyer deklaratat e teknikut në përfundim të sfidës me Kastriotin, e humbur thellë me rezultatin 1-5. “Nuk ka fjalë për këtë humbje, por dua t’i bëj komplimente kundërshtarit. Treguan forcë dhe karakter. Ne nuk kemi cilësi dhe dëshirë në fushë. Edhe gabimet individuale ndikuan. Unë kam kaq kohë që flas me drejtuesit, por me keqardhje mund të them se nuk kemi skuadër për Superligë. Fjalët e mia kanë kaluar në vesh të shurdhët”, u shpreh Mezani pas takimit me Kastriotin. Ndërkohë, pas dorëheqjes së Mezanit, klubi bluzi nuk është i papërgatitur për të gjetur zëvendësuesin e tij. Sipas të gjitha gjasave drejtimin e Luftëtarit do ta marrë një emër shumë i dashur për ambientin në Gjirokastër, serbi Mladen Milinkoviç. Megjithatë, Mezani ka dhënë dhe njnë prononcim të shkurtër për mediat, duke konfirmuar se ka dhënë dorëheqjen, kështu që hapet rruga e një emërimi të një tekniku tjetër. “Po është e vërtetë, i kemi dhënë fund bashkëpunimit me Luftëtarin. Ishte një vendim i ardhur nga të dyja palët, për të mirën e përbashkët. U mundova të punoj sa më mirë për aq kohë sa isha në Gjirokastër. Tani të shohim, të ardhmen përpara e kemi, jemi të rinj. Kaq mund të them tani, më pas do të bëj edhe një postim në faqen time në lidhje me këtë çështje”, shtoi tekniku vlonjat i dorëhequr nga drejtimi i “shqiponjave” gjirokastrite.

Rapa kapiten i Luftëtarit kërkon falje, tifozët i thonë “mbaje kokën lart”

Ndërsa vëmendja ishte tek trajneri Mezani, një tjetër lojtar ka bërë një “mea culpa” për disfatën e së dielës. Oltion Rapa ishte kapiten i bluzinjve. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rapa ka kërkuar publikisht falje për atë humbje të pësuar ndaj krutanëve dhe bën një premtim se Luftëtari do të rikthehet aty ku ka vendin. Bie në sy fakti se pavarësisht humbjes, tifozeria gjirokastrite ka shprehur mbështetje për futbollistin dhe humbjen ia faturojnë personave të tjerë. “Më vjen keq sinqerisht që erdhën gjërat në këtë situatë. Në radhë të parë doja t’i kërkoja ndjesë të gjithë tifozëve dhe dashamirësve të Luftëtarit për këtë humbje turpëruese që nuk ka justifikime. Te Luftëtari u formova dhe u rrita si njeri dhe sportist gjithë këto vite të paharrueshme në jetën time me disfata dhe suksese ndaj e ndjej që kam më shume përgjegjësi se kushdo, t’i kërkoj ndjesë gjithë opinionit sportiv gjirokastrit. E ndjej detyrim dyfish çdo tifozi, dashamirësi nga më i vogli te më i madhi t’i premtoj se nga unë i pari dhe gjithë shokët e ekipit të japim gjithçka që Luftëtari të kthehet aty ku i ka hije . Përzemërsisht Olti Rapa”, shkruante Rapa. Tifozët e kuptojnë situatën dhe kërkojnë që skuadra të ringrihet, sepse për ta ka plot kapacitete që mund t’ia dalin të qëndrojnë në Kategorinë Superiore. Natyrisht jo të gjithë tifozët kanë qenë “dashamirës”. Sepse ka dhe prej tyre që kanë akuzuar se ndeshja ishte e turpshme dhe se tre golat e fundit ishin pësuar në harkun e pak minutave, duke e bërë çdo gjë të dyshimtë rreth këtij takimi. Sidoqoftë, vëmendja në fund shkon për emrin e teknikut të ri të skuadrës, i cili ende nuk është zyrtarizuar.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here