Mediat italiane e kanë vlerësuar mjaft pozitivisht paraqitjen e shumicës së futbollistëve të Kombëtares kuqezi në ndeshjet e fundjavës që lamë pas në kampionatin italian. Natyrisht, vëmendja është tek lojtarët që luajnë në Serinë A dhe janë titullarë me përfaqësuesen. Kështu, Thomas Strakosha, i cili luajti titullar për Lacion në fundjavë kundër Juventusit, edhe pse humbi përballë Kristiano Ronaldos, ia doli të regjistrojë një ndeshje shumë të mirë dhe humbja nuk erdhi aspak për faj të tij. Kështu, Lacio mori një tjetër humbje në kampionat kundër Juventusit, në shifrat 2-1 dhe kjo ishte dhe disfata e dytë radhazi për bardhekaltrit. Nëse një pjesë e ekipit, së bashku me trajnerin, janë vendosur në qendër të kritikave, Thomas Strakosha jo.
Gardiani kuqezi edhe një herë tjetër nuk është cilësuar si fajtor për golat e pësuar, ndërsa performanca e tij është vlerësuar me notën 6. Një notë e mirë për një lojtar që e humbi ndeshjen. Padyshim, këtë edicion të serisë A Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti po regjistrojnë performanca mjaft të mira. Falë paraqitjes së tyre edhe skuadra po ecën mirë në kampionat, madje ata ndihmuan që në duelin e fundit bergamaskët të mos dilnin pa pikë. Atalanta mori një barazim 3-3 kundër Romës, në një ndeshje të madhe të bergamaskëve, që arritën të rikuperonin disavantazhin e tre golave. Vlerësim pozitiv për dyshen kuqezi në radhët e Atalantës, Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha. Për mbrojtësin shkon nota 5.5, ku peshon një pjesë e parë e dobët nga ana e tij, por gjatë pjesës së dytë arrin të rikuperojë duke mos gabuar në asnjë moment. Përsa i përket golave të pësuar, Berisha nuk ka përgjegjësi dhe gardiani nga Prishtina është vlerësuar me notën 6. Nga ana tjetër, për Elseid Hysajn vijon të jetë situatë e vështirë, pasi ndeshjen që zhvilloi Napoli kundër Milanit, shkodrani e pa nga stoli, sepse nuk u preferua për asnjë minutë nga Karlo Ançeloti.
Ndërkohë, dje u zhvillua një seancë stërvitore në mesditë për Napolin në “Castel Volturno”. Skuadra e trajnerit Ançeloti po përgatitet për ndeshjen në “San Siro” me Milanin, e vlefshme për çerekfinalet e kupës së Italisë. Një ndeshje që do të luhet sot në mbrëmje dhe stafi teknik ka dhënë ngarkesë të ulët për futbollistët. Trajneri Ançeloti ka bërë edhe llogaritë për formacionin dhe ata që do të qëndrojnë në stol për këtë sfidë. Mbrojtësi shkodran nuk luajti asnjë minutë edhe në ndeshjen e kampionatit me Milanin. Pavarësisht dëmtimit, ai duket se e ka humbur vendin e titullarët. Probleme ka pasur mbrojtësit Albiol dhe Hysaj, të cilët nuk do të grumbullohen për këtë ndeshje. Mungojnë gjithashtu edhe Jounes dhe Rog, me këtë të fundit që është shumë afër kalimit te Sevilja në Spanjë. Minuta të pakta edhe për sulmuesin shkodran Sindrit Guri, në kampionatin belg, në takimin mes Ostendes dhe Club Bruzhes. Sulmuesi u aktivizua në minutën e 86′, kur rezultatin i takimit ishte në shifrat 2-1 në favor të kundërshtarit, ndërsa nuk arriti të bëjë asgjë për të ndryshuar shifrat. Në Turqi, Rizespor ku aktivizohet sulmuesi i përfaqësues së Kosovës, Vedat Muriqi, u përballë me Akhisarsporin e Sokol Cikalleshit. Fitues të sfidës ishin vendasit, të cilët triumfuan në shifrat 3-1, ndërkohë që Muriqi arriti të shënonte dhe golin e dytë për të tijtë. Titullar që nga minuta e parë, por Cikalleshi nuk arriti dot të linte gjurmë, pavarësisht se paraqitja e sulmuesit u cilësua pozitive. Elis Bakaj ndërkohë ka arritur të lërë gjurmë në ndeshjen miqësore që zhvilloi Shaktjor Soligorsk kundër Hajdukut të Splitit. Bakaj ishte autor i golit të barazimit, ndërsa në fushë për skuadrën kroate ishin dhe mbrojtësi i kombëtares Ardian Ismajli, së bashku me sulmuesin e përfaqësues kuqezi të 21-vjeçarëve, Emir Sahitin.
Adriatik BALLA










































