Degradon protesta dhe qëndresa e studentëve. Tubimet para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë morën vlerësime nga brenda dhe jashtë vendit, por ditët e fundit një grup studentësh po dëmtojnë gjithë imazhin e këtyre protestave. Përplasje të forta fizike kanë ndodhur dje te Fakulteti Juridik mes studentëve, të cilët janë ndarë në dy grupe, ata të cilët duan të zhvillojnë mësim dhe atyre të cilët mbajnë të bllokuar ambientet. Një nga studentët që donte mësim tha se e kanë mbyllur protestën dhe se janë dakord të vazhdojë procesi mësimor, duke shtuar se janë një numër i madh studentësh që dëshirojnë të kthehen në auditorë. “Ka edhe më shumë studentë, sepse edhe protesta për ne ka mbaruar. Jemi dakord për vazhdimin e mësimit dhe siç shikohet nga numri i studentëve që është rritur të gjithë duam që të fillojë mësimi”, tha një studente.
Artan Hoxha kërkesë Ministrisë së Arsimit
Përplasja midis studentëve të ngujuar dhe atyre që dëshirojnë të bëjnë mësim, në Fakultetin Juridik ka sjellë edhe reagime nga ana pedagogjike. Dekani i këtij Fakulteti, Artan Hoxha tha se procesi mësimor po bllokohet nga persona që nuk janë studentë, as të Fakultetit Juridik dhe as nga fakultetet e tjera. Në një konferencë për shtyp, Hoxha tha se studentët të cilët vijojnë të mbaj peng procesin e mësimit nuk dihet se prej kujt janë aty, duke lënë të nënkuptohet se janë të porositur politikisht. Hoxha u shpreh se ka kërkuar nga Ministria e Arsimit ti sigurojë ambiente për të zhvilluar procesin mësimor, ku shpreson se procesi do të filloj të vijoj normalisht ditën e sotme. Më tej Hoxha tha se mbështet të drejtat e studentëve për të protestuar, por duke garantuar edhe procesin mësimor. Por edhe në fakultetet e tjera, ka pedagogë të cilët nxisin studentët për të bojkotuar procesin mësimor. “Duam ambiente të tjera për të zhvilluar mësimin. Procesi mësimor sa vjen dhe bëhet më i vështirë për tu bërë i plotë. Ka persona që nuk janë as student. Nuk e di pse janë aty dhe prej kujt janë aty. Rektori nuk na është përgjigjur, unë kam folur me ministren e Arsimit. Unë shpresoj që të fillojmë që nesër mësimin, ska rëndësi se ku. Besoj që ministria do të na vijë në ndihmë. Është një keqkuptim se ne nuk kemi thënë se nuk do të zhvillojmë mësim, por kemi thënë se garantojmë procesin mësimor dhe mbështesim studentët të ushtrojnë të drejtat e tyre për të protestuar”, u shpreh Hoxha. Dekani i Juridikut tha se konfrontimi mes studentëve ka qenë anormal, duke shtuar se shumica e studentëve duan të zhvillojnë mësim. Hoxha deklaroi se ka pasur përpjekje për zhvillimin e procesit mësimor, ku asnjë premtim për vazhdimin e mësimit nuk është realizuar. “Në Fakultetin e Drejtësisë ka pasur një situatë shumë të rëndë, anormale, ku ka pasur konfrontim midis studentëve që duan të bëjnë mësim dhe atyre që kanë ambientet nën zotërim. Shumica e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë duan të bëjnë mësim. Ne kemi një fluks të madh të tyre, dhe një presion që të bëhet i mundur zhvillimi i procesit mësimor. Ne jemi përpjekur që këtë program ta realizojmë në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, kemi marrë shumë premtime dhe nuk kemi realizuar asnjë prej tyre”, u shpreh Hoxha.
Elisjeda Kiko








































