Pas suksesit në ndeshjen e fundit ndaj Xhironës (2-0), Lionel Mesi regjistroi fitoren e 328-të me fanellën e Barcelonës, duke lënë pas një legjendë të Spanjës si ish-futbollistin e Real Madridit, Raul Gonzalez që u ndal në kuotën e 327 fitoreve. Në këtë moment nën shënjestrën e 31-vjeçarit për t’u kthyer në numrin një sa i përket numrit të fitoreve në kampionat janë dy legjendat e La Ligës, Zubizareta dhe Iker Kasijas respektivisht me 333 dhe 334 ndeshje por që me shumë mundësi do të parakalohen këtë sezon nga 5 herë fituesi i topit të artë. Një tjetër objektiv që ‘pleshti’ mund të arrijë në këtë sezon është edhe ai i garës së golashënuesve në kampionat. Aktualisht rekordi mbahet nga Telmo Zarra, sulmuesi bask që arriti të shpallej 6 herë si golashënuesi më i mirë kampionatit teksa Mesi është shpallur 5 herë ndërkohë që në këtë sezon ka shënuar 19 gola duke udhëhequr garën në kampionatin spanjoll. Ndërkohë Leo Mesi është edhe golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit spanjoll pasi deri më tani ka regjistruar 402 gola në 437 paraqitje me klubin e Barcelonës me një mesatare prej 0.92 gola për ndeshje.
Mesi apo Maradona, Ferguson pozicionohet
Në Angli është hapur një debat në lidhje me faktin se cili është lojtar më i mirë, Diego Maradona apo Lionel Mesi. Kush është më i miri? Maradona apo Mesi. Sa herë që shtrohet kjo pyetje bëhet një debat i gjerë në lidhje me atë se kush mund të cilësohet si më i miri. Mendimet janë të ndryshme dhe çdokush i paraqet ato nga këndvështrimi i tij për futbollin. I fundit që është pyetur për këtë çështje, është legjenda e Mançester Junajtid, Sir Aleks Ferguson, i cili pa u hamendur ka zgjedhur Mesin. “Do të thosha se Mesi është një lojtar më i mirë se Maradona”, ka deklaruar Ferguson. “Karriera e Maradonës në maja ka zgjatur shumë pak vite, ndërsa Mesi ka më shumë se një dekadë në këto nivele”.
Raportet e vështira të Mesit me djalin e tij
Ndërkohë, Lionel Mesi ka folur dhe për një raport të tij me djalin e madh, Tiagon, 6 vjeçar. Në një intervistë për “World Soccer”, Leo zbuloi se djali i tij i madh, Thiago, dhe i dyti Mateo e pëlqejnë futbollin tej mase. Ai thotë se Thiago e ka kritikuar disa herë. “Ai e ndjek Barcelonën, Ligën e Kampionëve dhe La Ligën. Ai përcjell çdo gjë. I pëlqen shumë dhe më bën pyetje dhe më jep kritika kur gjërat nuk shkojnë mirë”, tha Mesi për Thiagon. Dikur ishte e ndaluar të flitej për futboll në shtëpinë e Mesit, veçanërisht kur sulmuesi argjentinas kthehej nga një humbje e hidhur. Ama, tani çdo gjë ka ndryshuar. Mesi e pranon se nuk është më si më parë. “Tani s’është më si dikur. Është gjithmonë e vështirë t’i pranosh humbjet dhe paraqitjet e këqija, por Thiago më detyron më detyron të komentojë për atë që ka ndodhur dhe të shpjegojë përse nuk kemi fituar. Tani, ne flasim shumë më shumë”, shpjegoi Mesi.
Adriatik BALLA










































