Google search engine
Home Politike Parlament Qindra refugjatë pritet të vërshojnë në Shqipëri, 45 oficerë të FRONTEX instalohen...

Qindra refugjatë pritet të vërshojnë në Shqipëri, 45 oficerë të FRONTEX instalohen në kufi, Komisioni i Sigurisë miraton marrëveshjen

0
513

Shqipëria pritet të përballet me një valë refugjatësh nga Siria, Afganistani apo vende të tjera të Lindjes së Mesme. Prej kohësh vendi ynë është parë si rrugë kalimi nga refugjatët, ndërsa tani situata duket më serioze. Për këtë arsye, ditën e djeshme në drejtimin e kryetares, Ermonela Felaj, u mblodh Komisioni për Sigurinë Kombëtare, teksa miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes statuore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojes Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”. Por ajo që bie në sy në këtë marrëveshje, ka të bëjë me faktin se në Shqipëri do të instalohen 45 oficerë të FRONTEX, me qëllimi parandalimin e flukseve migratore nga vendet e Lindjes së Mesme dhe jovetëm, fenomen ky që është kthyer në mjaft shqetësues për vendin tonë. Ndërkohë, e pranishme në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Sigurisë për të dhënë më shumë sqarime rreth kësaj marrëveshje ishte zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, e shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Brendshme. Në fjalën e saj, Voda deklaroi se qëllimi i marrëveshjes është forcimi i bashkëpunimit në fushën operacionale për të luftuar emigracionin e paligjshëm, krimin ndërkufitar si edhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta në lidhje me menaxhimin e kufijve. Zëvendësministrja deklaroi se vendi ynë do përballet me një valë të madhe refugjatësh këtë vit. “Duke qenë se gjatë vitit 2018 në vendin tonë u futën rreth 6 mijë emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta si Siria apo Afganistani, BE ka dhënë alarmin se edhe këtë vit do ketë fluks të madh refugjatësh nga këto vende, në vendin tonë. Për këtë arsye, oficerë të FRONTEX do vijnë dhe do punojnë bashkë me oficerë të kufirit në menaxhimin e kufirit dhe fluksin e emigrantëve dhe shmangien e krimit kufitar, si dhe terrorizmit që mbetet prioritet i Bashkimit Europian”, deklaroi ajo. Po ashtu, ajo bëri me dije se Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nënshkruan këtë marrëveshje. “Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka firmosur dhe ka finalizuar këtë marrëveshje në drejtim të rritjes së sigurisë së kufijve të Shqipërisë. Shqipëria është prekur shumë nga flukset migratore nga vendet e treta dhe ka bërë që BE të kthejë sytë nga vendet e Ballkanit që janë portë hyrëse për këta emigrantë”, u shpreh zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Debate në komision

Mbledhja e djeshme e Komisionit për Sigurinë Kombëtare është shoqëruar me debate mes deputetëve të opozitës dhe përfaqësuese të Ministrisë së Brendshme lidhur me marrëveshjen e FRONTEX, që sjell oficerë të huaj në Shqipëri për sigurinë e kufijve. Ka qenë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, i cili ngriti shqetësimin, ndërsa pyeti përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, nëse ka pasur ndonjë rast tjetër kur forcave të huaja iu lejohet përdorimi i armëve në territorin e Shqipërisë. “Ka pasur ndonjë rast që në Shqipëri të vijnë oficerë të huaj. Keni dijeni, pasi ata do të jenë edhe të armatosur”, deklaroi nënkryetari i LSI. Por pyetjes së deputetit të LSI, Luan Rama iu përgjigj vetë zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila pohoi se në Shqipëri ka pasur një rast të ngjashëm në vitin 1997. “Ka ndodhur një herë në vitin 1997 në kuadër të një operacioni”, nënvizoi zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda. Ndërsa eksperti i Ministrisë së Brendshme ka bërë me dije se Shqipëria ka një marrëveshje me shtetin italian. Pas pyetjeve të drejtuara zëvendësministres dhe diskutimeve nga deputetët, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here