Prokurori i antimafias italiane, Federico de Raho ka bërë një deklaratë të fortë në takimin ku e pranishme ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në konferencën e organizuar në Tiranë kundër krimit të organizuar, prokurori italian ka deklaruar se në Shqipëri aktivitetet kriminale drejtohen nga burgjet, sektor në varësi të ministrisë së Drejtësisë. Ai u shpreh: “Në Shqipëri kohët e fundit është miratuar ligji specifik për ndalimin e kontakteve për të burgosurit, që është neni ’41-bis’ në Itali. Është shumë i rëndësishëm, pasi sjell kufizimin e mundësive për të komunikuar me mjedisin e jashtëm nga pjesëtarët e organizatave kriminale, për të mos drejtuar aktivitetin edhe nga burgu. Ky ligj ndalon kapot e mafias që të vepronin që nga burgu. Do të shikojmë nëse regjimi i burgjeve do të jetë në gjendje që ta pengojë”, u shpreh prokurori, i cili shtoi gjithashtu se trafiku i drogës dhe pastrimi i parave janë dy probleme tjera në Shqipëri, që duhen luftuar”.








































