Google search engine
Home Aktualitet Objektet e Ismail Qemalit ekspozohen në Muzeun Kombëtar

Objektet e Ismail Qemalit ekspozohen në Muzeun Kombëtar

0
592

Në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën dhe organizoi tryezën e rrumbullakët me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”. Ekspozita u realizua për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar. Ekspozita është konceptuar si një rrugëtim i jetës së Ismail Qemalit, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në administratën shtetërore, por dhe dallimi si një njeri me ide liberale dhe reformatore. Ekspozita prezanton për publikun edhe objekte vetjake të Ismail Qemalit, si flamurin e tavolinës dhe gotën e ujit. Gjithashtu, ekspozita përmban objekte nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar, pena me të cilën u firmos Akti i Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafik i përdoruar nga Qeveria e Vlorës, një flamur të vitit 1913, gazeta të vitit 1912, si edhe libra dedikuar Ismail Qemalit.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koci, i cili u shpreh se Ismail Qemali u dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve kundërosmane të viteve 1910-1912. “Me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e diplomatike, Ismail Qemali u radhit ndër personalitetet më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillimin e shek. XX. Atdhedashuria dhe kontributi i tij në çështjen shqiptare, e ngrenë Ismail Qemalin në krye të figurave tona kombëtare, krahas asaj të Skënderbeut” tha ai.  Hapjen e ekspozitës e përshëndeti edhe drejtori i Inspektimit dhe Trajnimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, z. Endrit Muasaj, ku cilësoi se do të vazhdohet edhe më tej bashkëpunimin midis dy institucioneve sikurse ishte dhe gjatë Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Tryeza e rrumbullakët shkencore u fokusua në rolin dhe veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës në çështjen shqiptare. Ligjëruesit ishin dr. Dorian Koçi-drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Ardit Bido-drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dr. Paulin Marku -Akademia e Studimeve Albanologjike, prof. dr. Frederik Stamati dhe dr. Ariola Prifti. Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë tryezës së rrumbullakët drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se konferenca i bashkëngjitet ekspozitës “Rrugëtim – Ismail Qemalit ndër vite” është një ndër aktivitetet e para të këtij viti. “Në kumtesën “Rrëfimi i periudhave historike të Ismail Qemalit përmes objekteve të tij në Muzeun Historik Kombëtar trajton pjesën më të ndritur të historisë së kombit shqiptar, parë nga përshkrimi i disa objekteve origjinale të asaj periudhe, pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar” u shpreh drejtori Koçi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here