Shkrimtarë dhe botues në këtë muaj të parë të vitit i kërkojnë Ministrisë së Kulturës, që të rrisë fondet për krijimtarinë letrare shqipe. Ndihma për autorët shqiptarë dhe librin shqip sipas tyre ka qenë shumë e paktë ndër vite. Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare nga ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka qenë në programet e saj bashkë me fondin e përkthimit nga gjuha shqipe në të huaj, por dhe fondi për letërsinë e huaj në gjuhën shqipe. Fondi për krijimtarinë letrare shqiptare ka qenë i paktë, dhe në vitin 2018 ai nuk u nda nga Ministria e Kulturës. Në vitin 2017 fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare arrinte në vlerën 1 milionë lekë të reja, ku sipas ministrisë autori paguhej me shumën totale prej 150.000 lekë të reja, dhe ishin pesë autorë që përfituan. Aplikimi për këtë fond bëhej nga botuesi, i pajisur me një licencë botimi, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor. Në vitin 2018 ky fond mungoi, por fondi i përkthimit u shpërnda. Për vitin që lamë pas fondi për përthimin nga gjuha shqipe në të huaj ka qenë në vlerën rreth 2 milionë lekë të reja, ndërsa nga gjuha e huaj në shqip në vlerën 2.5 milionë lekë të reja, kujtojnë botuesit. Të gjendur në këto kushte autorë dhe botues i kërkojnë Ministrisë së Kulturës që të mendohet për autorin shqiptar dhe librin shqip. Frano Kulli nga enti botues “Gjergj Fishta” tregon se ish ministrja Kumbaro prishi balancën për krijimtarinë letrare dhe mbështetjen e autorëve shqiptarë. “Që në fillesat e saj kur ish ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shpalli si prioritet gjithçka për përkthimin, për përkthyesit e rinj, etj, mua më është dukur se është prishur balanca me letërsinë shqipe. Këtë gjë unë e kam thënë publikisht në disa prononcimet që kam bërë. Unë vazhdoj me të njëjtin mendim dhe më vjen mirë që dhe koleg të tjerë duan më tepër vëmendje për letërsinë shqipe, dhe pse kanë edhe aktivitet në fushën e përkthimeve gjenden me këtë arsyetim që kjo balancë është e prishur. Në kuptimin që letërsia shqipe nuk stimulohet, për të cilën në një vend normal sigurisht që ka obligimet e para”, tregon botuesi Kulli. Sipas tij shtimi i fondeve është nevojë imediate për librin shqip. “Unë kërkoj që të rriten fondet në ndihmë të autorit shqiptar dhe për librin shqip. Të shtosh fondet për letërsinë dhe për librin shqip është nevojë imediate. Nuk po flas këtu dhe për bibliotekat publike, që kanë vite që nuk marrin asnjë investim nga shteti”, vijon më tej botuesi Frano Kulli.
Një studim i tregut
Botuesi Luan Pengili nga “Omsca-1” gjithashtu shprehet se prioritet nga Ministria e Kulturës duhet të ketë autori shqiptar. Ai pohon se botuesit duan sa më shuam buxhete, por i takon dhe Ministrisë së Kulturës që të bëjë një studim për tregun. “Fondi për përkthimin që ndan Ministria e Kulturës është më i lartë se sa për krijimtarinë letrare shqiptare. Mendoj se si prioritet duhet të jetë autori shqiptar dhe letërsia shqipe, por për të ndihmuar dhe nxitur autorin shqiptar bëhet shumë pak. Botuesit duan sa më shumë buxhete, por Ministria e Kulturës duhet të bëjë një studim se kush janë ato më të mirat dhe të bëhet dhe shpërndarja e fondit për botimet, që mendojnë ata se duhet të dalin për lexuesit”, pohon botuesi Pengili. Në reagimin e tij botuesi vijon se deri tani autori shqiptar ka qenë i pambrojtur. “Për mua prioritet është autori shqiptar, ky është më kryesori, sepse ky është më i pambrojturi nga çdo gjë, ndërsa për përkthimet botuesit i bëjnë dhe me forcat e tyre, sepse ka dhe ndonjë fond për përkthime dinjitoze që i përgjigjet tregut”, vijon ai. Për shkrimtarin Pandeli Koçi i takon ministres së re të Kulturës, që të bëjë këtë ndryshim në politikat për autorin shqiptar. “Ministrja e re duhet ta shikojë këtë problem. Duhet të ketë më tepër përkrahje të botimeve nga shteti, gjithmonë po flasim për autorët dhe librin shqip që është lënë pa mbështetje. Duhet të rritet fondit për krijimtarinë letrare nga Ministria e Kulturës, janë pak sa jep për librin shqip dhe autorin shqipta”, tregon shkrimtari Koçi.
Nga Julia Vrapi










































