CIA ka treguar detaje mbi përplasjet ndërkombëtare sa i takon situatës në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Përmes një dokumenti të deklasifikuar, tregohet se si kina u rreshtua krah Enver Hoxhës dhe nisi sulmet ndaj Bashkimit Sovjetik.
Lavdërimet e kinezëve
Më 29 nëntor Mao Ce Dun dhe udhëheqës të tjerë kinezë në mesazhin e tyre për Shqipërinë ngrinin lart partinë e lavdishme shqiptare dhe e përshkruanin regjimin si “anëtarë të denjë të lëvizjes komuniste”, si dhe thoshin se shqiptarët nuk janë të izoluar, siç pretendohej nga BRSS. Në një fjalim në Tiranë zonja Hoxha tha se Shqipëria do i tregonte Bashkimit Sovjetik se mund të jetonte dhe pa ndihmën e tyre, ndërsa Shehu deklaroi se “miqtë e vërtetë të Shqipërisë” i kishin garantuar asaj të gjithë ndihmën e nevojshme. Sipas disa raportimeve, i dërguari me punë sovjetik u largua nga pritja e ditës së pavarësisë pas komenteve anti-sovjetike dhe u ndoq nga përfaqësuesit e vendeve të tjera përveç atyre të Kinës, Koresë së Veriut dhe Vietnamit të Veriut. Më 1 dhjetor, në përvjetorin e deklaratës së 81 partive komuniste në Moskë, Pekini botoi një editorial ku përsëritej thelbi i qëndrimit kinez për çështjet e strategjisë dhe disiplinës komuniste, me anë të të cilit synonte t’i paraprinte prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-BRSS që do të ndodhte dy ditë më vonë. Në lidhje me sulmet ndaj partisë shqiptare, artikulli tha se ishin jugosllavët dhe jo shqiptarët që kishin duar deklaratën e 81 partive në 1960 dhe insistonte se “revizionizmi mbetet ende rreziku kryesor i lëvizjes”. Më tej thuhej se jugosllavët nuk ishin revizionistët e vetëm. Artikulli përsëriste se çdo parti është e pavarur dhe asnjë nuk mund të imponohet mbi të tjerat, prandaj vetëm unanimiteti në konsultime ishte metoda e zgjidhjes së debateve, siç ishte bërë me konferencat e partive në 1957 dhe 1960. Kjo do të thoshte se Kina besonte se BRSS duhet të kishte mbajtur një konferencë të tilla para se të përjashtonte Shqipërinë (ose dhe Kinën) nga kampi socialist. Në përfundim editoriali thoshte se çështja kryesore është mbrojtja e unitetit në kampin socialist mes 12 vendeve vëllazërore, përfshi dhe Shqipërinë.
Paralajmërimet sovjetike
Kriza shqiptaro-sovjetike kishte gjithashtu qëllim të bindte Kinën se BRSS ishte i gatshëm të merrte masa ekstreme për të siguruar dominimin e tij në bllok. Dhe faktikisht folësit sovjetikë në kongres thanë se kongresi duhet të shërbejë si një paralajmërim për “të tjerë” që kundërshtojnë qëndrimet sovjetike. Me masat e tyre kundër shqiptarëve shqiptarët po i tregonin të gjithëve se këmbëngulja në sjellje të papërshtatshme çonte në përjashtim nga kampi sovjetik dhe më pas prishje të marrëdhënieve. Sovjetikët dhe partitë e tjera vazhduan të përmendin emrin e Kinës për sjellje të gabuar dhe të papranueshme. Dy prononcime në medituat evropiano-lindore, që i ribotuan në Moskë parashikonin hapin e ardhshëm të përkeqësimit të lidhjeve BRSS-Kinë. Ato krahasonin shkeljet e partisë kineze duke i quajtur të ngjashme me ato të partisë shqiptare. Në një editorial në Poloni më 20 nëntor, thuhej se “lulet nga shfaqja e Shqipërisë tregojnë se në ç’masë ka arritur dogmatizmi dhe sa të rrezikshme e aventuriere janë konkluzionet e tyre”. Më 28 nëntor Zhivkov tha: “Demaskimi i grupit sovjetik anti-parti ishte shumë urgjent pasi disa elementë të botës komuniste flasin nën mbrojtjen e kultit të individit”. Zhivkov tha më tej se ka një marrëdhënie mes tejkalimit të kultit të individit dhe eliminimit të subjektivizmit, duke sugjeruar se Moska nëse ishte e nevojshme do të akuzonte drejtpërdrejt Kinën për praktikim të kultit të individit dhe ndërhyrje në punët e brendshme. Shtypi kinez tha se anëtari çek i byrosë politike Siroki kishte shkuar një hap më larg duke thënë se partia kineze dhe ajo shqiptare po intensifikonin kultin e individit, në një emërim të drejtpërdrejtë të Pekinit. Moska dhe miqtë e saj i kujtonin shpesh Kinës lidhjet e rëndësishme ekonomike dhe ushtarake me bllokun. Qeveria shqiptare protestoi ndaj masave sovjetike me ankesa zyrtare në 4 e 9 dhjetor, ku refuzonte akuzat sovjetike dhe bënte akuza të ngjashme ndaj tyre. Letra e dytë bënte një histori të miqësisë shqiptaro-sovjetike dhe denonconte pikëpamjet anti-marksiste të Nikita Krushov dhe grupit të tij. Shtypi shqiptar bënte të qartë se veprimet e Hrushovit tregonin se për të nuk kishte rëndësi parimi i barazisë, pavarësisë dhe i mos-ndërhyrjes, dhe se me veprimet e tij ai qëllimisht po paralajmëronte dhe kërcënonte çdo parti tjetër që vepronte në mënyrë të ngjashme.
Reagimi i Shqipërisë
Më 12 dhjetor shtypi shqiptar reagoi ndaj një artikulli denoncues të gazetës jugosllave “Komunist”, duke shkruar se mes udhëheqësve të shkëlqyer Mao Ce Dun dhe Enver Hoxha kishte një marrëdhënie të ngushtë. Një ditë më vonë Çekosllovakia thërriti ambasadorin e saj nga Tirana, duke u bërë e para që ndiqte shembullin sovjetik. Më 18 dhjetor Gjermania Lindore tërhoqi ambasadorin e saj dhe kërkoi largimin e ambasadorit shqiptar, ndërsa Hungaria pasoi më 20 dhjetor. Deri në fund të dhjetorit asnjë nga vendet e tjera lindore nuk bënë largime zyrtare të ambasadorëve, edhe pse besohet se diplomatët e tyre nuk ishin në Tiranë. Deri më 22 dhjetor i gjithë personali sovjetik ishte larguar nga Shqipëria dhe thuajse të gjithë shqiptarët ishin larguar nga Moska. Më 25 dhjetor Tirana mbështeti përsëri Kinën në kritikat ndaj Moskës. Ministri shqiptar i financave deklaroi publikisht se Hrushovi dhe miqtë e tij po përpiqeshin të gjunjëzonin Shqipërinë por nuk do t’ia arrinin pasi vendi po asistohej ndërkombëtarisht nga republika e Kinës. Ndërkohë Shqipëria e Kina kishin formuar kompaninë e parë të përbashkët të transporteve dhe shtypi shqiptar ngrinte lart “ndihmën madhore të dhënë nga vëllezërit kinezë për plotësimin e objektivave të planti të tretë pesë-vjeçar dhe për tejkalimin vështirësive të bllokadës imperialiste dhe revizioniste”. Por gjithsesi gjatë dhjetorit kishte një masë të vogël tregtie mes Shqipërisë, BRSS dhe vendeve të tjera të bllokut, e cila megjithëse ishte e vogël qe me rëndësi për Shqipërinë. Gjatë muajit kishte gjithashtu zhurma se Moska mund të ndërhyjë ushtarakisht në Shqipëri. Pretekstet për këtë mund të gjendeshin lehtë si për shembull shkelja e marrëveshjes së shfrytëzimit të bazës së Vlorës nga Shqipëria dhe sekuestrimi i pronës sovjetike (siç flitej, për mbajtjen me forcë nga Tirana të disa mjeteve detare sovjetike) ose për keqtrajtimin e personelit sovjetik në Shqipëri. Por gjithsesi nuk kishte sinjale të qarta për veprim të tillë. Njëkohësisht kishte zhurma për mbështetje nga sovjetikët për tentativa jugosllave për përmbysjen e Hoxhës, të cilat u refuzuan me forcë nga Beogradi. Në fund të muajit kishte raportime të konfirmuara dhe për reduktim të stafit të diplomatëve kinezë në Moskë dhe për reduktim të studentëve kinezë në BRSS. Më 26 dhjetor Pravda botoi një artikull të udhëheqësit hungarez Kadar që mbështeste teorinë e Hrushovit se kinezët nuk ishin në të vërtetë militantë komunistë. Duke bërë një përmbledhje të qëndrimeve kineze e shqiptare mbi strategjinë komuniste Kadar pyeste se çfarë kërkonin në të vërtetë ata: “Kinezët e Shqiptarët nuk duan asgjë tjetër përveçse një politike aventureske pseudo-radikalizmi dhe abuzim me imperialistët, që në fakt nuk i bën atyre asnjë dëm”. Kjo sigurisht ishte një shtrembërim pasi kinezët në të vërtetë po nxisnin kudo revolucionarët për t’i bërë Perëndimit sa më shumë dëm, ndërsa vetë ata ishin shumë të kujdesshëm me hapat kundër perëndimit. Në fund të muajit Pekini dha disa shembuj të formave të suksesshme të përpjekjes, duke përmendur disa fitore të partive komuniste në Afrikë. Pekini citonte shembullin “e shkëlqyer” të luftës së Algjerisë kundër francezëve, si dhe përpjekjet e armatosura në Angola dhe Guinean portugeze, duke thënë se këto shembuj premtonin për arritje dhe fitore më të mëdha.
Përplasjet me BRSS
Pas largimit të sovjetikëve, në Shqipëri u vu re fluksi i ardhjes së teknikëve, dhe këshilltarëve ushtarakë e ekonomikë kinezë. Shqipëria vazhdoi importin e grurit kinez me gjithë mangësitë dhe kushtet e vështira në Kinë. Në të njëjtën periudhë Shqipëria sulmoi politikën sovjetike ndaj Gjermanisë në takimin e gushtit të traktatit të Varshavës dhe ishte i vetmi vend i bllokut që nuk botoi në shtyp programin e sapo shpallur të partisë sovjetike. Në raportin e 17 tetorit të komitetit qendror të partisë sovjetike, Hrushov iu përgjigj gjerësisht pyetjes retorike mbi nevojën e sulmeve ndaj figurës së Stalinit dhe stalinizmit, duke thënë se ishte absolutisht e nevojshme dhe në interes të marrëdhënieve të mira mes partisë e popullit sovjetik, dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Hrushov përshkroi në terma të ngjashme këmbënguljen e tij për destalinizimin dhe triumfin e tij ndaj grupit anti-parti të Zhukov. Ai gjithashtu ngriti në një nivel të ri ofensivën kundër kinezëve, duke thënë se destalinizimi nuk është kuptuar nga udhëheqësit shqiptarë, teksa shtoi se BRSS nuk e kuptoi qartësisht këtë deri në vitin 1960. Ajo që Hrushov nuk tha është se kinezët e kishin kundërshtuar hapur destalinizimin prej fillimit, por audienca e tij e dinte mirë se ai me anë të sulmit ndaj Shqipërisë kërkonte të sulmonte Kinën. Ai tha se devijacioni shqiptar kishte qenë i qartë që prej mesit të vitit 1960, duke iu referuar konferencës së Bukureshtit në qershor, ku shkeljet disiplinore të Kinës u mbrojtën nga delegacioni shqiptar duke sfiduar qëndrimin e të gjithë bllokut komunist. Më tej Hrushov tha se kundërshtimi i shqiptarëve dhe kinezëve ndaj destalinizimit vinte nga fakti që ata vetë përdorin metoda të kultit të individit. “Për çështje të tilla parimore ne nuk mund të tolerojmë as ndaj shqiptarëve as ndaj askujt tjetër”, tha Hrushov, ndërsa lajmet nuk janë të qarta nëse ai paralajmëroi partitë e tjera të bllokut me anë të denoncimit të Kinës, që do të ishte rasti i parë që prej përjashtimit të Jugosllavisë në 1948. Në fjalimin e tij të 19 tetorit Zhu Enlai nuk e përmendi kultin e individit por e preku çështjen në stil tipik kinez duke vënë kurorë për Stalinin dhe Leninin në mauzoleumin kinez Lenin-Stalin. Në mbishkrimin e kurorës së Zhu Enalit ishte shkruar, ashtu siç Hrushov vetë e kishte përshkruar në 1956, “për Stalinin, marksist-leninistin e madh”. Në fjalimet e mëpasshme shumë nga rusët dhe delegatët e huaj pranuan se shqiptarët po praktikonin kultin e individit. Hrushov në fjalim të 27 tetor përshkroi në detaje zbatimin e kultit të individit nga udhëheqja shqiptare duke thënë se kjo po manifestohej në formën më të keqe. Hrushov më tej foli për mizorinë e regjimit të Stalinit dhe mbështetjen që kjo gjente të grupi sovjetik anti-parti.
Reagimi sovjetik
Një ditë më pas Frol Kozlov, që konsiderohej si pasues i Hrushovit, mbështeti krahasimet mes grupit anti-parti dhe udhëheqjes shqiptare. Kongresi sovjetik reagoi ndaj deklaratës së Zhu Enlai duke votuar unanimisht për heqjen e trupit të Stalinit nga mauzoleumi. Në fjalimin e 17 tetorit Hrushov tha se po bëhej gjithnjë e më e nevojshme përdorimi i zgjuar i avantazheve të socializmit botëror dhe i koordinimit të planeve ekonomike. Ai dhe liderë të tjerë sovjetikë diskutuan rëndësinë e ndihmës së BRSS ndaj vendeve të bllokut. Kozlov tha shqiptarët dhe kinezët i kishin harruar ndihmat dhe mbështetjen sovjetike për ekonominë dhe ushtritë e tyre. Hrushov tha se partia sovjetike kishte kërkuar dhe vazhdon të kërkojë mënyra për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shqipërinë por pa u tërhequr nga argumentet e saj as ndaj Shqipërisë dhe askujt tjetër. Por më tej ai i bëri thirrje partisë shqiptare të heqë dorë nga pikëpamjet e gabuara dhe të kthehen në rrugën e unitetit dhe bashkëpunimit me bllokun dhe lëvizjen komuniste. Folësit sovjetikë në dy ditët e ardhshme të kongresit nuk diskutuan më problemet me Shqipërinë, teksa Hrushov po priste se cila do të ishte linja dhe reagimi i Kinës. Në fjalimin e 19 tetorit Zhu Enali tha se kinezët nuk kishin ardhur për të bërë sherr publikisht dhe shprehu keqardhjen që Hrushov e kishte sjellë debatin më Shqipërinë në këtë fazë të re.