Ministrja e Arsimit Besa Shahini tha se qeveria e ka vënë në dispozicion të universiteteve buxhetin për bursat dhe tarifat. Në një konferencë për shtyp ajo tha se ligji për tarifat ka hyrë në fuqi menjëherë dhe studentët përfitues e kanë të qartë, pasi nuk janë detyruar për të paguar tarifë të plotë. Ministrja e Arsimit tha se studentët që kanë paguar tarifën e plotë, janë në proces rimbursimin, duke shtuar se në çdo universitet ndodhen qendra e shërbimit arsimor, për të informuar të gjithë studentët të cilët janë të paqartë.
“Qeveria e ka ndarë buxhetin dhe e ka vënë në dispozicion të institucionit të arsimit të lartë për përgjysmimin e tarifave. Përgjysmimi i tarifës ka hyrë në fuqi menjëherë, dhe studentët përfitues e kanë ndjerë efektin, sepse nuk janë detyruar të paguajnë tarifë të plotë. Studentët që e kanë paguar tarifën e plotë janë në proces të marrjes së rimbursimit, dhe ky do të zgjasë disa ditë ose javë. Është Qendra e Shërbimeve Arsimore, agjenci e Ministrisë së Arsimit, që ka të gjitha informacionet”, tha Shahini. Ministrja e Arsimit u shpreh se do të shtyhet afati i pranimit të dokumenteve të studentëve që vijnë nga familjet në nevojë dhe përfitojnë bursa. Shahini tha se vitin e kaluar vendimi për bursat merrej nga Bashkia, duke shtuar se këtë vit bursat do t’i jap qeveria. Ajo gjithashtu tha se përllogaritja e notës mesatare do të kryhet nga viti paraprak, ndërsa studentët që janë në vitin e parë Bachelor, do iu llogaritet mesatarja e shkollës së mesme. “Do të shtyhet afati, që është data 31 janar për pranimin e dokumenteve të nevojshme për bursat, pra tu lihet afat studentëve që u përkasin kategorive të ndryshme në nevojë, të plotësojnë dokumentet e nevojshme. Për kategorinë e veçantë vitin e kaluar listat përfundimtare i nxirrte bashkia, ndërsa këtë vit bursat jepen nga qeveria dhe në Bashki merret vetëm dokumenti që i përkasin kategorisë në nevojë. Për notën mesatare, merret parasysh mesatarja e vitit paraprak. Studentët e vitit të parë Bachelor do merret parasysh nota mesatare e shkollës së mesme”, tha Shahini.









































