Shfaqja “I ligu për mend” me regji të Altin Bashës është fituese e festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës 2019”, që është mbajtur në qytetin e Gjilanit. Drama “Kreolët e Ballkanit” shkruar dhe me regji nga Enver Petrovci është nderuar me dy çmime në “Talia e Flakës 2019”, vepër që u prezantua dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
“”Drama më e mirë origjinale” shkoi për autorin dhe regjisorin Enver Petrovci dhe “Çmimi special i jurisë fryma e re për brezin e ri” shkoi për aktoren Vanesa Petrovci”, bën me dije teatri. Në vijim të vlerësimeve, aktori më i mirë në këtë festival është zgjedhur Luan Jaha. Çmimi për aktoren më të mirë i është ndarë Ilire Vincës. Kurse çmimi për vepër jetësore i është ndarë Jashar Shahiqit. Komedia “I ligu për mend” nga Gjergj Fishta me regji të Altin Bashës pas Prishtinës ka qenë dhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në komedinë “I ligu për mend” me regji nga Altin Basha interpretojnë aktorët Luan Jaha, Ernest Malazogu, Adrian Morina, Armand Baloku, Ard Islami, Shkelzen Veseli, Ismet Azemi, Basri Lushtaku, Shengyl Ismaili dhe Gramoz Malaj. Skenografia dhe kostumet Iliriana Loxha Basha, muzika mban emrin e kompozitorit Endri Sina, koreograf Gjergj Prevazi, dramaturg Visar Krusha. Në vitet ‘20 “I sëmuri për mend”, i Molierit u rishkrua nga shkrimtari i madh shqiptar Gjergj Fishta. Ai e adaptoi këtë tekst të cilin e shkroi gegërisht e të cilin ia përshtati ngjarjeve shqiptare, me titullin “I ligu për mend”, tekst i cili kishte shumë rëndësi edhe për regjisorin e njohur Altin Basha. Rolet në dramën “Kreolët e Ballkanit” regjisori Enver Petrovci ia ka besuar aktorëve si Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci. Skenografia është e realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Enkeleda Fishekaj. Kjo dramë është e shkruar nga autori dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj. Autori dhe regjisori Enver Petrovci ka bërë pjesë të këtij teksti çdo emocion njerëzor si dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, për një atdhe më të dashur i cili ka nevojë të ul në prehrin e tij: dashurinë, fitoren dhe lumturinë.










































