Google search engine

    Ylber Gjini: Prej 30 vitesh në skenën e TOB, sot nuk kam para as për të vënë dhëmbët

    0
    802

    Me aktivitetin artistik prej tre dekadash në Teatrin e Operës dhe Baletit baritoni Ylber Gjini është nga zërat më të vlerësuar. Një punë prej vitesh që i ka dhënë vlerësimin nga publiku në shfaqje të ndryshme në skena. Edhe këto ditë baritoni tregon se po vijon përgatitjet për një tjetër shfaqje që pritet të jetë në skenë. Baritoni Ylber Gjini tregon se edhe pse për shkak të rikonstruksionit të TOB kanë dhe probleme me përgatitjen ata nuk e lënë të bjerë niveli artistik. Por problem për baritonin mbete mungesa e statusit të artistit. Në intervistën për “SOT” baritoni shprehet se nëse do të ishte nuk do të kishte kaq probleme për artistët. Jo vetëm ligji i pensioneve, që nuk gjeti miratim deri tani me kërkesat e artistëve, por dhe projektligji për artin po ashtu sipas tij treguan se ish ministrja Kumbaro dështoi në krye të Ministrisë së Kulturës. Duke folur për vështirësitë në jetën artistike baritoni i njohur jo vetëm në skenën shqiptare, por dhe ato të huaja shprehet se duhet bërë një politikë arti që artistët të rrinë këtu dhe të mos largohen nga Shqipëria.

    -Si ka nisur ky sezon artistik për ju?

    Unë tani jam duke punuar dhe po përgatitem për shfaqjen operistike “La Boheme” të Puçinit. Nuk e di me data të sakta se kur do të jetë në skenë, por unë po përgatitem për këtë vepër operistike. Pas saj do të vijojnë dhe të tjera shfaqje nga Teatri i Operës dhe Baletit, por dhe aktivitete që do të jenë me orkestrën.

    -Ju prej kohësh keni kërkuar statusin artistit. Një kërkesë që ju ashtu si dhe të tjerë artistë i keni drejtuar dhe ish ministres së Kulturës, por ende nuk ka gjetur miratim. Sa është shqetësues për ju?

    Politikat e shtetit për artistët janë zero. E para, duhet statusi i artistit që për mua është dhe kryesori që mungon. Artisti nuk ka asnjë lloj të drejte, nuk ka status. Tani që po flasim unë nuk e di kur do të marr pensionin. Kur një miku im në Gjermani e di datën dhe orën kur do të marrë pensionin, edhe njeriu madje që do ti japë lulet. Pra është caktuar dhe njeriu që do të japë lulet, dhe është korist jo solist si puna ime. Në vitet që ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro qëndroi në drejtim të Ministrisë së Kulturës nuk bëri asnjë gjë për artistët. Thjesht iu duk si sukses që bëri disa kontrata të jashtëligjshme me artistët në institucionet e artit në vend, dhe që i la artistët tani siç i shohim. Vijnë artistët në punë, dhe shumica po ikin jashtë, sepse këtu në Shqipëri nuk kanë të ardhme. Bëhen kontrata dy mujore apo tre mujore, por a do të martohen artistët? Do marrin kredi dhe duan shtëpi, duhet ta blejnë. Por si do ti marrin këta kredi? Nëse nuk ke siguri si do ti marrin? Sigurisht që nuk ka lidhje tani Teatri i Operës dhe Baletit me këto kontrata sepse janë bërë vite më parë, por ne ato kontrata që para disa vitesh kur u aplikuan i kemi kundërshtuar. Pra vetëm këtë bëri ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, por dhe këtë që bëri e bëri të jashtëligjshme. Ne kemi në institucionet tona artistë shumë të mirë, që duhet të futen në punë urgjentisht, sepse janë vlera.

    -Në institucione ka dhe të rinj, që janë punësuar me kontratat…

    Nëse i marrin dy a tre muaj me kontratë dhe me një pagesë modeste, më pas çfarë ndodh? A do të martohen këta të rinj? Ne duhet të vëmë mend njëherë e mirë, që nuk funksionon kështu, përndryshe do të ikin dhe artistët siç ikin infermierët dhe mjekët jashtë vendit.

    -Në Teatrin e Operës dhe Baletit po bëhet një rikonstruksion, çka ka qenë një nga kërkesat e artistëve dikur. Tani një projekt aty po zbatohet, çfarë mund të na thoni?

    Po bëhet rikonstruksioni i Teatrit të Operës dhe Baletit, por të shikojmë kur të inaugurohet. Një gjë duhet ta kemi të qartë nëse bëhet një investim nuk është merita e ish ministres Mirela Kumbaro. Janë taksat tona. Ne duhet të heqim dorë që erdhi x ministër dhe e bëri, por jo sepse janë taksat tona. Kush bën një gjë janë taksat tona dhe nuk kemi pse t’ia dimë për faleminderit. Për teatrin do të flasim sërish kur të mbarojë, të shohim.

    -Në vitin që lamë pas, artistët kërkuan dhe pezullimin e projektligjit të artit. Ju vetë sa jeni njohur me këtë projektligj?

    Unë vetë nuk di gjë. Por ish ministrja Kumbaro nuk bëri ligj të ri arti. Ajo bëri disa shtesa të atij ligji që ishte, por ne duam një ligj arti evropian. Ne nuk duam copa, por duam ligj të ri arti. Në atë që bëri më parë ish ministrja artisti nuk ka asnjë lloj të drejte

    -Çfarë prisni nga ministrja e re Kulturës?

    Ministrja e re të bëjë një politikë, që të rrinë artistët këtu. Ata artistë që ne shikojmë që këtu kanë të ardhme dhe vendi duhet të krenohet me ata. Këta artistë që janë të rrallë duan kontratë të përhershme, që të bëhen personalitete duhet të jetë kjo kontratë. Nëse bëhet kontratë dy muaj apo 3 muaj ajo i mban të varur. Rrinë të mbyllur, nuk kërkojnë të drejtat dhe detyrohen të ikin jashtë sepse i bie personaliteti. Ministrja e re duhet të rikthejë kontratat e përhershme që të rinjtë ata që e meritojnë të hyjnë në punë, dhe e dinë datën kur do të dalin në pension. Të kenë mundësi të kenë një jetë normale këtu, sepse kështu si është vepruar është bërë e pajetueshme dhe për ne që kemi shtëpi dhe jo më këta që nuk kanë as shtëpi. Por më pas duhet që të luftojë fort dhe për statusin e artistit ministrja e re, sepse ai i rregullon të gjitha. U bënë shumë vite, që artistët nuk vlerësohen fare, zero vlerësimi. Ka munguar statusi i artistëve, kanë munguar ligjet e duhura dhe problemet vazhdojnë.

    -Për problemet po vetë artistët sa përgjegjësi kanë? Reagimet e tyre për të ndryshuar gjendjen, si kanë qenë sipas jush?

    Ku të luftosh? Kur nuk i dëgjon njeri më mirë mbylle gojën. Është një gjendje e vështirë dhe për shkak sepse ne tani nuk kemi dhe teatrin, pasi po bëhet rikonstruksioni. Këtu ku jemi ne, jemi shumë larg.

    -Ju pohoni mungesën e teatrit, por produksionet e TOB kanë qenë dhe me salla të mbushura me spektatorë, ku artistët janë vlerësuar. Çfarë mund të na thoni?

    Ne si artistë nuk e lëshojmë nivelin artistik, sepse ne për atë punë jemi. Ama me shumë mund dhe me sakrifica artistët. Ne tani që punojmë dihet që jemi në vështirësi për prova, sepse nuk janë sallat apostafat për këtë lloj profesioni.

    -Prej disa dekadash ju zhvilloni jetën artistike në Shqipëri. A keni menduar ndonjëherë, që të largoheshit dhe të zhvillonit jashtë jetën artistike?

    Unë jam bërë shumë pishman që nuk kam ikur. Por tani që jam bërë pishman është vonë. Tani e shikoj që këtë vend nuk duan ta bëjnë. Normal që nuk duan ta bëjnë ata që marrin përsipër qeverisjen dhe kërkojnë votat për qeverinë.

    -Sa vite keni që zhvilloni aktivitetin artistik në Teatrin e Operës dhe Baletit?

    Unë kam 30 vjet që vazhdoj aktivitetin tim artistik pranë TOB.

    -Gjatë këtyre viteve kush ka qenë momenti më i vështirë për ju në jetën artistike?

    Momenti më i vështirë në jetën time artistike është tani.

    -Pse?

    Më kanë rënë dhëmbët dhe nuk kam aq para që ti vë. Punova gjithë jetën dhe nuk m’u dha një ndihmë që të vija dhe dhëmbët. Të punosh një jetë, dhe të mos jesh në gjendje të vësh dhe dhëmbët që të vazhdosh karrierën artistike në skenë. Për dhëmbët duhen dhjetë mijë euro, që të jem tamam për kanto, por si? Ndër vite shteti nuk ka menduar për artistët. I ndihmon shteti artistët, që janë akoma në skenë? Mua dhëmbët nga presioni i diafragmës i kantos më ranë. Është procesi i punës, që duhet. Nuk po themi që të gjithë artistëve duhet ti vënë dhëmbët, atyre të dramës për shembull nuk ka nevojë të ndërhyjë shteti, sepse nuk iu duhen si puna jonë.

    -Sa problem është për ju dhe mosha e pensionit, ju keni kërkuar më parë dhe ndërhyje në ligj?

    Ministrja Mirela Kumbaro ishte komplet e dështuar. Ne ende nuk kemi as ligjin e pensionit. Nuk u bë. Fizikisht këtë lloj profesioni nuk e përballojmë dot. Ministrja e re duhet të bëjë ato që la pa bërë Kumbaro. Gaqo Çako, Ramiz Kovaçi me shokë që ishin solistë para nesh ata merrnin pension 50 vjeç, dhe ne sot të paktën të jemi 55, por jo 65 vjeç.

    -Tre dekada në skenë a keni marr titull, pasi janë ndarë jo pak?

    Jo, jo nuk kam marrë. As nuk bëhet fjalë titull “Mjeshtër i Madh” për solistët lirikë. Unë po bëj 30 vjet dhe solistët lirikë në opera nuk iu është dhënë asnjë titull. Unë se di si se si bëhen këto gjëra, por ata që marrin tituj duhet të jenë njerëz të zgjedhur dhe me background që i njohin këto gjëra, që ti njohin fushat dhe aftësitë, kush e meriton. Janë tituj të çuditshëm shumë. Por duke qenë kaq shumë tituj, nuk e di pse duhet ta dua dhe unë. Nuk mund të krahasohem unë me titull njëlloj me ata që këndojnë tallava. Ne kemi tjetër stad. Ka profesionistë, por ka dhe tra-lala. Unë as e pres më dhe as e dua më atë titull. Ne kemi një problem tjetër shumë të madh, sepse neve tani që nuk quhet më Akademia e Arteve dhe është bërë Universiteti i Arteve nuk kemi më të drejtë të shkojmë atje, sepse është Ministria e Arsimit. Ne kemi mbetur në mes, se dimë si quhemi administratë, apo artistë profesionistë, artistë që kanë mbaruar shkollën e lartë? Kjo është problem për ne, sepse nuk fitojmë asgjë. Nuk kemi statusin e artistit sepse po të kemi nuk do kishim kaq probleme.

    Intervistoi: Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here