Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi kundërshtoi akuzat e Partisë Demokratike sipas të cilave ai ka qenë dikur bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit – policisë sekrete famëkeqe të regjimit komunist.Sheshi u shpreh: “Kjo është sajesë e ulët. Synimi i sulmit është bllokimi i reformës në drejtësi dhe vettingut. Unë arrij në përfundimin se synohet që të pengohet reforma në drejtësi, të shfrytëzohet për të goditur vettingun, për ta paraqitur si të motivuar politikisht, por edhe rolin e ndërkombëtareve, që ka mbështetur procesin. Në rastin konkret, nuk synohet vetëm goditja ime si hakmarrje për çështjet që kam gjykuar, por mendoj se synohet goditja e të gjithë institucionit të KLP-së, pasi kemi ardhur në momentin e krijimit të SPAK-ut dhe prokurorit të Përgjithshëm. Pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara, jo vetëm në njërin krah, por persona me pushtet. Përballë kësaj situate do të kërkoja të gjithë përkrahjen tuaj për të zbardhur të vërtetën dhe zbardhur këtë skenar mafioz. Kërkoj reagimin tuaj për të mbrojtur KLP-në. E ndiej për detyrim që të shpreh qëndrimin tim se refuzoj kategorikisht cdo insiniatë dhe cdo vendimmarrje të institucioneve të shtetit, që unë kam qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Ju faleminderit dhe iu kërkoj falje për shqetësimin, por nuk mendoja se do të arrinin deri këtu”.












































