Ditën e sotme u shkarkua nga detyra gjyqtari pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, Artan Lazaj. Ky i fundit e ka apeluar këtë vendim ku sot është mbajtur edhe seanca e dytë gjyqësore nga Komisioni i Pavarur i Apelimit. Avokati i gjyqtarit Artan Lazaj u shpreh pas seancës gjyqësore të KPA-së se klientit të tij i janë shkelur të drejtat ligjore.
Sipas Sokol Hazizaj, KPK ka cënuar procedurën civile e administrative si dhe ka shkelur normat ligjore. Hazizaj argumenton se KPK ka interpretuar në mënyrë subjektive duke anashkaluar provat e subjektit Artan Lazaj.
“KPK ka shkelur parimet themelore të objektivitetit. Kolegji i Posacëm i Apelimit ka manipuluar tabelat financiare për të ardhurat e Lazajt. Ne në subjektin e procesit të rivlerësimit, kemi konstatuar dy momente me vlerë për gjithë procesin. A përbën shkelje procesi i gjykimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, – është shprehur ndër të tjera Hazizaj
Nga ana e tij Artan Lazaj u shpreh: “Mendoj dhe jam i bindur se KPA ka arritur në konkluzion se KPK ka dhënë vendim të pabazuar dhe rrëzimin e tij. Vendimi i KPK ka qenë nul, i pa arsyetuar dhe me probleme proceduriale. Kemi sjell prova dhe nuk është bërë analizë e tyre. Çon në konkluzionin se vendimi ka qenë i paragjykuar”.











































