Konfirmimi në detyrë i prokurorit të Prokurorisë së Elbasanit, Besnik Cani ka shkaktuar një “përplasje” midis Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. ONM kërkoi nga Komisionerët Publikë që të rishihet vendimi i KPK për kualifikimin e Canit, duke rekomanduar kështu shkarkimin e tij. Por KPK ka zbardhur të gjitha arsyet se pse ka vendosur ta rikonfirmojë në detyrë. Për dy pasuri me probleme të Canit, komisionerët e vetingut janë bindur se nuk kemi të bëjmë me shkelje nga provat e sjella nga subjekti i rivlerësimit. “Në lidhje me truallin dhe banesën e ndërtuar në Tiranë: Janë konstatuar pasaktësi dhe mospërputhje në lidhje me deklarimet për sa u përket sipërfaqeve të terrenit dhe të banesës së ndërtuar mbi të; Subjekti ka shpjeguar se: Ndërtimi i banesës është kryer me “argatë”, pra me krahë pune falas, nga të afërmit e vetë. Shpjegimet dhe dokumentacionet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit konsiderohen deri diku bindës për sa u përket pasaktësive. Në lidhje me apartamentin e banimit ndodhur në Tiranë blerë për 69.000 euro: Është deklaruar të jetë përdorur edhe shuma prej 3.500 USD, të mbartura nga viti 2004, por që nuk ka qenë e deklaruar si gjendje në vitin 2004; Subjekti i rivlerësimit ka pohuar se për mungesë eksperience në deklarime – nuk e ka specifikuar që shuma prej 3.500 USD ndodhej e depozituar në bankë, por ai e deklaruar si kursim vjetor shumën prej 300.000 lekësh, pa e specifikuar si cash apo si gjendje në bankë. Komisioni, vlerëson se pasaktësia në deklarimin e vitit 2004 nuk ka pasjellë asnjë pasojë, që mund ta ngarkojë subjektin me dyshimin e tentativës për të fshehur këtë pasuri”, thuhet në vendim. Gjatë seancës KPK ngriti dyshime ndaj Canit se kishte përfituar kredi të butë në Fier, por më pas u bind se nuk ka diçka problematike. “Nga korrespondenca që Komisioni ka pasur me Bashkinë Fier, ka marrë dijeni që zonja L. C. në fund e sipër nuk e ka përfituar kredinë e butë; Subjekti ka sqaruar se kërkesa për statusin e pastrehë është paraqitur nga bashkëshortja, e shtyrë nga dëshira për të kryer transferimin e të gjithë familjes në qytetin e Fierit, me qëllim mundësimin e një prezence më të madhe të kryefamiljarit në familje”, thuhet në vendim.












































