Google search engine
Home Politike Drejtesi ONM blindon procesin e vetingut, rrëzon 6 vendime kualifikimi të KPK, nga...

ONM blindon procesin e vetingut, rrëzon 6 vendime kualifikimi të KPK, nga Bashkim Dedja e Zaganjori, te Gentjan Osmani

0
555

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka blinduar procesin e vetingut. Gjatë një viti punë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, plot gjashtë herë përfaqësuesit e ONM nuk kanë qenë dakord me vendimet kualifikuese për disa gjyqtarë dhe prokurorë. Kur u hartua dhe miratua reforma në drejtësi, u vendos që vëzhguesit e procesit të rivlerësimit të ishin ndërkombëtarë, duke ju dhënë të drejtën të rekomandojnë pranë Komisionerëve Publikë ankimim. Kjo e drejtë është ushtruar gjashtë herë nga ONM. Rasti më i fundit ishte ai i dy ditë më parë, ku përfaqësuesit ndërkombëtarë iu kërkuan Komisionerëve Publikë ankimimin e vendimit për prokurorin Besnik Cani. Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, edhe pse gjatë seancës dëgjimore u nxorën në pah disa probleme të cilat u dukën sikur do e rrezikonin postin e prokurorit. Por menjëherë pas zbardhjes së plotë të vendimit nga ana e KPK, ONM u vu në lëvizje dhe kërkoi rrëzimin e vendimit të KPK. Por ky nuk është rasti i vetëm që ndërkombëtarët janë “përplasur” me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për vendimet e tyre. Duke qenë se i gjithë procesi i vetingut dhe seancat dëgjimore vëzhgohen e monitorohen nga ONM, ata kanë mundësi të vënë re shkelje të vogla apo vendime që ngjallin debat publik. Në këto kushte, ONM ka kërkuar edhe pesë herë të tjera nga Komisionerët Publikë që të dërgojnë tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendimet e KPK.

Emrat

Dy nga herët që vlen të theksohen që ndërkombëtarët kanë rrëzuar vendimet kualifikuese të KPK janë ato për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Konfirmimi në detyrë i dy krerëve të drejtësisë u pa me mëdyshje nga të gjithë për shkak të shkeljeve që ishin listuar më parë në seancë dëgjimore. Por ONM ndërhyri për të mos lejuar cenimin e besimit të publikut tek procesi i vetingut dhe kërkoi rrëzimin e këtyre vendimeve. Falë ndërhyrjes së ONM, Bashkim Dedja sot nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë sepse humbi betejën me vetingun e dytë në Apel. Ndërsa pritet që të njëjtin fat të ketë edhe Xhezair Zaganjori. Duhet theksuar fakti që të gjitha rekomandimet e ONM janë pranuar nga Komisionerët Publikë, të cilët më pas kanë ankimuar vendimet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Tre vendime të tjera kualifikuese nga KPK që janë parë me mëdyshje nga ONM janë edhe ato për gjyqtarin e Tiranës, Artur Malaj, prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentjan Osmani dhe gjyqtarin Gentjan Medja. Interesant është edhe fakti që dy nga gjashtë emrat e rekomanduar nga ONM për tu shkarkuar janë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë: Besnik Cani dhe Gentjan Osmani.

Paralajmërimi i ONM

Pak kohë më parë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit paralajmëroi se do të jetë vigjilent në çdo seancë dëgjimore të vetingut. Po ashtu, ONM theksoi për mediat se nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për presione apo ndërhyrje në vendime. “ONM do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë proces. Çdo përpjekje për të influencuar procesin e vetingut, ose përpjekje për të intimiduar punën e institucioneve të vetingut, nuk do të tolerohen. Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së analizojnë çdo dosje të vetingut. Kur në këndvështrimin dhe opinionin e tyre ekziston nevoja për të apeluar raste të caktuara, ata do t’i rekomandojnë Komisionerit Publik për ta bërë një gjë të tillë, ashtu siç ka ndodhur. Bazuar në nenin 65, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit të Vetingut, është në kompetencë të Komisionerit Publik të vendosë nëse do ndjekë ose jo rekomandimin”, tha ONM

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here