“Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” vjen premierë mbrëmjen e së premtes dhe të shtunës në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Kjo është një komedi e shkruar nga autori Martin McDonagh. Me regji nga Kiço Londo në vepër janë aktorët Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha. Kjo komedi e zezë shkruar nga Martin MecGnah, u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Ajo gjithashtu shijoi suksesin e shfaqjeve në Uest End të Londrës, Broduej dhe Of-Broduej. Por këtë vepër regjisori Kiço Londo e shikon dhe si një sfidë në aktivitetin e tij. “Kontakti që do të ndodhë mes kësaj shfaqje dhe spektatorit ka histori me krijimtarinë time njëzet më parë. Këtë vepër e kam vënë në skenën e Akademisë së Arteve me aktorët Drita Pelinku, Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa dhe Arben Derhemi. Krijuesit janë në vorbullën e sfidave. Kësaj sfide si bëj përjashtim as unë, ndaj vendosa të sfidoj veten. Nëse shfaqja është më e mirë se ajo e para, apo do të jetë pranë asaj të parës, këtë do ta vendosë publiku që do ta ndjekë dhe kritika”, tregon regjisori Kiço Londo. Aktorja e njohur Ermira Gjata këtë herë vjen me e personazhin e nënës, Meg, por ajo tregon se është hera e parë që luan një rol të tillë si ai në këtë komedi tragjike. “Për mua është hera e parë që unë luaj një rol si Meg. Nënë që dhunon të bijën, që bie pre e egoizmit të saj. Mban vajzën e saj larg njerëzve, që të mos mbesë vetëm. Unë jam përpjekur që ta realizoj sa më mirë këtë rol. Por dhe regjisori Kiço Lomdo ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, shprehet aktorja Ermira Gjata. Kjo vepër është kandiduar për çmimin Lorenc Olivier si vepra më e mirë dramatike për produksionin e Londrës, dhe produksioni i Broduejit i vitit 1998 u kandidua për 6 çmime Toni, duke fituar 4. Kjo komedi tragjike vazhdon të shfaqet me sukses në skenat botërore. Në skenën shqiptare kjo vepër do të vijë me interpretimin e aktorëve të njohur, një premierë që publikun mund ta ndjekë në sallën Moliere të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Vepra është përkthyer nga Adriana Tolka, skenograf Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Marsel Greva, Kleard Gërmenji.
Vepra me ngjarjet
Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës.“Mbretëresha e bukurisë nga Leenane” është një kritikë ndaj nacionalizmit irlandez, i cili është toksik dhe anti-modern, ndërkohë që tregon nevojën urgjente për një identitet, që nuk është vetëm modern, por edhe irlandez. Ndërsa prioritetet e autorit McDonagh sillen te krijimi i komedisë së zezë, fakti që vepra është bërë kaq e famshme tregon vendin voluminoz, që zë ajo në një diskutim më të gjerë mbi luftën për të gjetur një truall të mesëm midis nacionalizmit, që qëndron larg realitetit, dhe modernitetit të zbrazët kulturalisht. Ndërsa MecDonagh nuk e drejton gishtin mbi ndonjë lloj shprese apo zgjidhjeje në vepër, cikli zemërthyes i traumës mes personazheve në Linejn paraqet një kritikë kulturale të rëndë dhe të sinqertë.
Nga Julia Vrapi










































