Partia Demokratike ashtu sikurse ka bërë me dije do të nisë një valë protestash, ku më e madhja është paralajmëruar më 16 shkurt.
Ndërkohë mbledhja e grupit Parlamentar ditën e djeshme është shoqëruar me debate mes deputetëve demokratë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha.
Ka qenë deputeti Ervin Salianji ai i cili ka kërkuar djegien e mandateve ose nëse kjo nuk bëhet sipas tij ata duhet të futen në Parlament dhe të kërkojnë interpelanca.
“Kjo mbledhje e Grupit Parlamentar do të ketë në fokus të saj diskutimin për stinën e protestave që kemi vendosur të zhvillojmë. Është menduar për një ndarje të të deleguarve nëpër qarqe, duke nisur nga anëtarët e Kryesisë, deputetët dhe të deleguarit zgjedhorë”, tha Spaho në fillim të mbledhjes.
“Unë mendoj që ne duhet të lëmë mandatet dhe të bashkohemi me popullin në protesta dhe revoltë. Ose nëse shihet si alternativë që të mos djegim mandatet, atëherë të ndajmë mendjen dhe të hyjmë në parlament për betejë. Të kërkojmë zhvillimin e interpelancave dhe të nisim përzgjedhjen edhe prezantimin e kandidatëve për 61 bashkitë, në mënyrë që të fillojmë fushatën sa më parë. Mendimi im është qe ne duhet të bëjmë protestë të fortë para Kryeministrisë. Duhet të nxjerrim sa më shumë njerëz para Kryeministrisë që të çrrënjosim Ramën”, u shpreh Salianji.
Mendimi i Salianjit u mbështet edhe nga deputetja Rudina Hajdari.
“Ne duhet të shkojmë me vendim të qartë tek njerëzit për të kërkuar protesta”, u shpreh Hajdari./ NewB









































