Ish-kryeministri laburist britanik Tony Blair ka thënë dje se në kushtet aktuale, e konsideron me vend një referendum të dytë për Brexit. Lideri i kohë së luftës në Kosovë, karizmatik për shqiptarët por i kritikuar në vend për pjesëmarrjen britanike në luftrat e Irakut e Afganistanit, ngriti alarmin për mundësinë e një Brexit pa marrëveshje, të cilën e quajti katastrofë, por shprehu besimin se vendi i tij do të ngrihet sërish në këmbë. “Ashtu si e kuptoj unë, ndryshimi i marrëveshjes që u refuzua nga parlamenti britanik disa ditë më parë, duhet të negociohet midis qeverisë britanike dhe BE, por unë dhe të tjerë në BE jemi të mendimit se kjo procedurë nuk sjell asnjë dobi. Nuk ka asnjë lloj ideje për atë se ç’pamje do të ketë marrëdhënia jonë e ardhshme tregtare me Evropën. Një grup dëshiron që ne të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Evropën, një grup tjetër që të dalim krejtësisht nga sistemi tregtar evropian. Nuk besoj se Theresa May do ta kalojë marrëveshjen në parlament, prandaj do të ishte veprim i arsyeshëm që të pyetet edhe njëherë populli”, tha pro-evropiani Blair.
Alternativat: Brexit i pakuptimtë ose i dhimbshëm
Ashtu si politikanë të tjerë britanikë të penduar për Brexit, Blair ngriti alarmin për paqartësinë e të ardhmes ekonomike të vendit. “Për momentin ne thjesht nuk e dimë çfarë lloj Brexit do të kemi. Një Brexit pa marrëveshje do të ishte një katastrofë për të gjithë por problemi është se dy skenarët me kuptim të Brexitit janë shumë të ndryshëm. Njëri parashikon që ne të mbetemi në tregun e brendshëm ose në bashkimin doganor. Kjo do të thoshte megjithatë që ne t’u përmbahemi rregullave të Evropës, por do të humbitnim të drejtën e votës. Ky do të ishte një vendim grotesk, sepse mbështetësit e Brexit duan të dalin nga ky sistem. Një zgjidhje tjetër do të ishte një marrëveshje e tregtisë së lirë për shtete të treta, siç e ka Kanadaja. Por kjo do ta copëtonte ekonominë britanike, e cila që prej katër dekadash e gjysmë bën biznes si anëtare e BE. Pra ne kemi një Brexit, i cili është pa kuptim, dhe një Brexit që është i dhimbshëm. Këto nuk janë alternativa të mira. As për Evropën dhe as për Britaninë e Madhe nuk do të ishte e arsyeshme që të ndahen, pa e ditur atë që sjell e ardhmja”, tha Blair.
BE kërkon nga Londra
Ashtu siç komentoi ish-kryeministri, rreziku i një Brexit pa marrëveshje shqetëson dhe Bashkimin Evropian, teksa komisioneri europian i Çështjeve Ekonomike, Pierre Moscovici tha se i takon palës britanike qartësi për vendimin përfundimtar. “Sigurisht Bashkimi Europian është këtu dhe është gati, por së pari ne duhet të dimë me qartësi se cilat janë qëllimet e palës britanike dhe duhet të kemi qartësi nga Londra. Porta është e hapur për bisedime dhe natyrisht tani topi është në anën e Britanisë. Ky problem nuk mund të zgjidhet në Bruksel”. Britania pritet të largohet zyrtarisht nga Bashkimi Europian më 29 mars, por deri tani parlamenti në Londër e ka refuzuar planin e arritur nga kryeministrja Theresa May. Mosmarrëveshjet në Londër duket se po shihen me sportivitet në Bruksel, teksa zëdhënësi i KE, Margaritis Schinas, iu përgjigj gazetarëve me lirikat e një kënge të njohur të grupit Spice Girls: “Britania duhet ‘të na thotë se çfarë do, se çfarë do vërtetë’”, tha Schinas, duke shtuar më tej se marrëveshja e tërheqjes mes qeverisë britanike dhe vendeve të BE është mbi tryezë dhe nuk mund të rinegociohet. Kryenegociatori europian Michel Barnier tha në një intervistë se britanikët do të duhet të zgjidhin edhe çështjen e faturës së divorcit me BE edhe në rastin e një Brexit pa marrëveshje.
Andi Lamko