Në përkujtim të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, Muzeu Historik Kombëtar organizon tryezën e rrumbullakët dhe çel ekspozitën me titull “Rrugëtim – Ismail Qemali ndër vite”, ditën e hënë në ora 11.00. Tryeza e rrumbullakët shkencore do të fokusohet në rolin dhe veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës në çështjen shqiptare. Ligjëruesit në Tryezën Shkencore janë Prof. Dr. Valentina Duka, Prof. Dr. Kaliopi Naska, Prof. Dr. Nevila Nika, Prof. Dr. Frederik Stamati, Dr. Ariola Prifti, Dr. Paulin Marku dhe Dr. Ardit Bido. Ekspozita është realizuar për të kujtuar Ismail Qemalin dhe kontributin e tij të paçmuar për kombin shqiptar. Ismail Qemali ka lindur në Vlorë, më 24 janar të vitit 1844, në qytetin, ku 68 vjet më vonë do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar dhe ngritja e flamurit më 28 Nëntor u zhvilluan në shtëpinë ku ka lindur Ismail Qemali. Ismail Qemali u dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve kundër osmane të viteve 1910-1912.
Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit, në pragun e Luftrave Ballkanike shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike së bashku me Luigj Gurakuqin ndërmori një aksion të ri politik për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë, ku u takua me personalitete politike austro-hungareze e me përfaqësues diplomatikë të Fuqive të Mëdha, ku siguroi përkrahjen e tyre për çështjen shqiptare. Udhëtimi i Ismail Qemalit me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri, nga Trieste për në Durrës, përshkruhet në fotografitë dhe shkrimet e gazetave “Le Figaro” dhe “La Presse”. Në fillim të janarit të vitit 1913, Qeveria e Përkohshme Shqiptare, e kryesuar nga Ismail Qemali, u dërgoi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të mbledhur në Konferencën e Londrës, një memorandum për të mbrojtur kufijtë natyrorë shqiptarë. Ismail Qemali vdiq në Peruxha të Italisë më 26 janar 1919.