Regjisorë dhe aktorë: Te “arTurbina” shfaqje nga halli, aty vdes krijimtaria

0
752

Jeta artistike po vijon të zhvillohet edhe te “arTurbina”, në sallat e saj janë vënë disa shfaqje por për një pjesë të regjisorëve dhe aktorëve problemet sjellin vështirësi. Edhe pse nga Ministria e Kulturës u pohua si një investim, që do ti shërbente teatrit dhe jo vetëm, duket se për një shfaqje në sallën e “arTurbinës” ka jo pak probleme, kjo nga mënyra se si ajo është e ndërtuar. Regjisorja Elma Doresi shprehet se me këto probleme edhe ish ministrja e Kulturës ka qenë njohur më parë dhe i janë bërë me dije që në prezantimin e projektit. “Kemi debatuar atë ditë, dhe pas debatit u la që do i mendonin dhe njëherë problemet që shtruam dhe do mundoheshin të gjenin diçka të mesme. Asgjë nuk u bë. Debatuan të gjithë artistët, regjisor dhe aktor. U tha se ai që po na tregonin nuk ishte teatër. Madje mbaj mend që dhe u fyem kur na u tha se ishte menduar si teatër Spartan”, tregon regjisorja Doresi. Në reagimin e saj ajo vijon se në atë sallë vdes krijimtaria. “Ka vetëm një skenë të hapur dhe kaq. Nuk ka shtangeta. Problem shumë i madh për një regjisor. Aty vdes krijimtaria, sepse ti do ta nisesh me “si ta adaptojmë shfaqjen atje” jo “si ta konceptojmë”. Regjisori ka humbje shumë, por dhe aktori nuk mbetet pas. Thonë që nuk ka akustikë. Aktorët çirren për t’u dëgjuar. Kështu siç e kanë nisur shumë shpejt do ta humbin dhe atë zë. Duhet të hapim Teatrin Kombëtar, të rikonstruktohet sa më shpejt e të rikthehemi aty. Boll me këto fasada që po dëmtojnë teatrin. Nuk bëj dot shfaqje atje. Jam ende me kujtimin e sallës së Teatrit Kombëtar”, shprehet regjisorja Doresi. Por dhe për aktorin Neritan Liçaj “arTurbina” qëndron larg kushteve që duhet të ketë për teatrin. “Qeveri armiqësore që do të vras artin. Ka probleme, sepse është një teatër i bërë me mentalitetin më ka çu nona me la gojën”, vijon aktori. Regjisore dhe aktore Eliona Thomaraj shprehet se artistët janë kundër shndërrimit të “arTurbinës” në tempullin e TK. “Artistë të ndryshëm janë kundër “arTurbinës” si Teatër Kombëtar jo si një sallë më shumë shtuar për artdashësit. Të jesh kundër një godine është groteske, nuk mendoj se artistët janë kundër mbarëvajtjes së një salle më shumë në kryeqytet, por janë kundër politikës së shndërrimit të kësaj godine alternative në tempullin e Teatrit Kombëtar. Ajo është një sallë nuk është një teatër. Një Teatër Kombëtar pa llozha, pa holl, pa mondanitetin që ofron teatri si ndërtesë klasike, historia e pazëvendësueshme që mbart ai në vetvete nuk mund të të ofrojnë dot magjinë e katarsis”, shprehet regjisorja. Sipas saj, dy nga elementet themelorë të teatrit mungojnë te “arTurbina”. “Zëri dhe akustika duhen të jenë në maksimalen e tyre duke qenë se është një produkt i viteve të fundit, pra duhej të ishte ku e ku më mirë nga një teatër ndërtuar me “kompesata” siç është quajtur prej dikujt, nëna e madhe mbretëreshë, salla e madhe e Teatrit Kombëtar. Shikueshmëria për rreshtat e fundit bëhet pothuajse e pamundur. Pra nga 2 elementet themelore në një shfaqje artistike siç është shikim-dëgjimi salla “arTurbina” nuk ti ofron”, vijon regjisorja dhe aktorja Thomaraj.

Shfaqjet nga halli

Jo vetëm shfaqjet e teatrit janë bërë te “arTuribna”, por nuk kanë munguar dhe aktivitete të TOB. Regjisori i njohur Nikolin Gurakuqi shprehet se aty mund të vendoset një opera dhome, por për një tjetër vepër nuk plotëson kushtet. “Teatër bëhet me një teatër që është ndërtuar për të qenë i tillë dhe jo në një që nuk është ndërtuar për të qenë teatër. Por nga halli le të bëhet një teatër i tillë sepse nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Por praktikisht ajo skenë nuk ka tavan që të fshehin skenografinë. Ka tavan ku janë të varura shtangetat e teatrit dhe aty varet skenografitë telajo? Aty nuk ka. Edhe xhepat i ka shumë të vegjël. Më shumë “arTurbinën” e shikoj për të bërë koncerte, opera dhome, se sa për të bërë shfaqje edhe pse nga halli bëhen” shprehet regjisori Nikolin Gurakuqi “Mjeshtër i Madh”. Duke folur për eksperiencën e tij ai tregon se shfaqjet bëhen dhe në rrugë, por salla te “arTurbina” nuk kryen funksionet që duhet. “Nuk jam as pro as kundra te “arTurbina” në sensin se ajo nuk kryen funksionet e një teatri të mirëfilltë, por kur nuk ke ku të shkosh? Ajo është skenë alternative nuk është ndërtuar si teatër. Edhe teatri më i keq në botë ka tavan ku fshihen skenografitë, por te “arTurbina” nuk ka. Gropë orkestre nuk ka. Nëse do më pyesnin mua për një shfaqje, unë më mirë do ta bëja te salla e Akademisë së Arteve sepse është tamam skena”, shprehet regjisori Nikolin Gurakuqi.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here