Dokumentari “Koha e pelikulës” kushtuar regjisores së njohur Xhanfise Keko shënon mbrëmjen e sotme premierën në Prishtinë. Filmi me skenar nga Natasha Lako dhe regji nga Mevlan Shanaj prezantohet në kuadrin e aktiviteteve me rastin e 90 -vjetorit të lindjes së regjisores së mirënjohur të kinemasë shqiptare Xhanfise Keko. Dedikuar artistes që ia kushtoi krijimtarinë, botës së madhe të fëmijëve filmi shfaqet në Kino ABC për të pranishmit. Regjisori i njohur Mevlan Shanaj shprehet se është e madhe përgjegjësia kur njerëz të famshëm publikisht vendos ti sjellësh në ekran në dimensionin e tyre, që të bëhen model. “Kështu ndodhi edhe me mua para se të vendosja të sillja në ekran regjisoren Xhanfise Keko, një nga njerëzit që kanë krijuar panteonin jo vetëm të filmit, por dhe të dimensionit të madh të shoqërisë”, shprehet regjisori. Në lidhje me punën që ka bërë për këtë dokumentar, ai tregon është vetë regjisorja që tregon rrugën e krijimit. “Maja në të cilën ndodhet Xhanfise Keko është shumë e lartë, para së gjithash duhet të gjente çelësin. Dhe u lumturova shumë kur e gjeta. Në film është vetë Xhanfise Keko, që tregon rrugën e krijimit. Ndërkohë për mua, nuk ishte e letë të qëmtoja e të organizoja një mendësi të tillë dhe ta mbushja me ata jo që duartrokasin, por që analizojnë (kështu janë dhjetë studiues dhe kineastë të shquar nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjykojnë profesionalisht regjisoren dhe e çojnë atë në lartësi që asnjë shqiptar nuk e ka çuar. Një madje e krahason edhe me Fransua Trufo)”, tregon regjisori Shanaj. Sipas tij kjo regjisore do të mbetet sygjestionuese në prezantimet e saj dhe subjekt i analizave e gjykimeve të studiuesve dhe kritikëve të filmit, brenda dhe jashtë vendit. “Sa për mua mund të them se Xhanfise Keko nuk ka bërë filma për fëmijë. Ajo ka bërë një shikim vertikal të shoqërisë. Filmat e saj na adresohen ne që të njohim dhe të mësojmë se kush janë fëmijët, të cilët i duam por nuk jemi kurrë as të vëmendshëm dhe aq të ditur sa të kuptojmë se çfarë perceptojnë dhe çfarë arsyetojnë ata. Dhe, Xhanfise Keko këtë ka bërë shkëlqyeshëm”, vijon regjisori. Por kur tashmë filmi dokumentar ka mbaruar si regjisor Mevlan Shanaj shprehet se pas tre viteve punë ku projekt e meriton vëmendjen. “Tani që gjithçka ka përfunduar dhe e rishoh filmin për kënaqësi (filmi është si puna e verës që sa më shumë të dekantojë më e shijshme bëhet) bindem gjithnjë e më shumë se, tre vjet që u mora bashkë me skenaristen Natasha Lako për realizimin e tij, “Madona e filmit shqiptar” siç më pëlqen ta quaj unë, e meritojmë vëmendjen tonë”, përfundon regjisori Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh”. Jeta e regjisores së shquar Xhanfise Keko vjen përmes dokumentarit “Koha e pelikulës” në Prishtinë, ku premiera organizohet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Kosovë.
Jeta e regjisores
Xhanfise Keko (1928-2007) ishte një regjisore e shquar shqiptare e shekullit të 20-të. Ajo ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri. Keko është gjithashtu edhe kineastja e parë femër në Shqipëri. Xhanfise Keko lindi më 27 janar të vitit 1928 në Gjirokastër. E filloi karrierën si montazhiere, një nga shtatë anëtarët themelues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, më 1952. Pas një përvoje të gjatë si montazhiere e dokumentariste, filloi karrierën e regjisores, më 1971. Për 13 vjet, deri në vitin 1984, Keko realizoi 12 filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, sidomos për fëmijët. Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera edukative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkurruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombëtare. Përveç çmimeve e titujve të shumtë, në vitin 1984 u vlerësua me titullin e lartë “Artiste e popullit”, ka fituar edhe Kupën e Festivalit të Parë për filmin “Beni ecën vetë” në 1976. Xhanfise Keko është edhe regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për filmat “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. U nda nga jeta më 22 dhjetor të vitit 2007.
Nga Julia Vrapi