“Delegacioni” me skenar të Artan Minarollit dhe regji nga Bujar Alimani në Festivalin e Filmit të Triestes u vlerësua si filmi më i miri i gjatë. Çmimi “Trieste” iu dorëzua Alimanit për filmin e gjatë më të mirë, që trajton tentativat ekstreme të sistemit komunist në fund të viteve ’90. “Delegacioni” ka rrëmbyer edhe një tjetër vlerësim, “PAG” që iu dorëzua nga juria e të rinjve, me motivacionin: “Regjia lëvizë si uji, një element shumë simbolik në film, në mjegullat paradokse të historisë politike, i përforcuar në studion e ngjyrave edhe të dritës”. Festivali i Filmit në Trieste, është krijuar në prag të rënies së Murit të Berlinit (1987) nga Fabrizio Grosoli dhe Nicoletta Romeo. Është çmimi më i rëndësishëm italian, kushtuar kinemasë së Europës Qendrore dhe Lindore. Ngjarjet në film zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa në Tiranë vjen një delegacion europian për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë. Leo, i dënuar me 15 vite burg, është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për pushtetin e kohës, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Ai duhet të bind delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë.
Në filmin me regji nga Bujar Alimani luajnë aktorët Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi. Për regjisorin Alimani filmi përcjell mesazhe të forta. Në reagimet e tij më parë regjisori është shperru se dhe sot shoqëria vuan pasojat e atij sistemi, që lamë pas, por këtë herë me një formë të re. “Kasta e re politike, që erdhi pas ’90 ishte pjellë e atij sistemi, që për mendimin tim vazhdon akoma dhe sot. Ne vuajmë dhe sot pasojat e asaj periudhe dhe asaj përgatitje që sistemi komunist bëri që të vazhdonte të udhëhiqte regjimi në një formë të re”, pohon regjisori. Filmi me skenar të Artan Minarollit dhe regji të Bujar Alimanit, në Warsaw Film Festival u dha premierë botërore ku edhe u shpërblye me çmimin e madh Grand Prix. Një festival i kategorisë A, por që filmi pati vlerësimet nga juria e publiku. Ky film është bashkëprodhim mes Shqipërisë (Art Film), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films).