Aktiviteti i organizuar ditën e djeshme nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Drejtoria e Doganave, u fokusua në çështje si çmimet e referencës, procedurat doganore, problematika të zbatimit të procedurave doganore, si dhe procedurat e ankimimit të vendimeve pranë autoriteteve doganore. Kreu i Komitetit të Taksave dhe Doganave, Alketa Uruçi delegoi shqetësimet e bizneseve. Sipas saj, problematika qëndron tek aplikimi i çmimeve të referencës. “Ka tendencë për përmirësim nga ana e autoriteteve, por mbetet problem”, theksoi Uruçi, duke renditur më tej të gjithë shqetësimet që bizneset kanë nga marrëdhënia me autoritetet doganore. Implementimi i gabuar i sistemit doganor, është një prej shqetësimeve të bizneseve, të cilat pretendojnë se ka ende inspektorë që i anashkalojnë të gjithë procedurat dhe shkojnë direkt te çmimet referencë. Për shkak të kontrolleve të KLSH, anëtarët kanë pasur pretendimeve për rivlerësime, duke qenë se konstatuan shkelje. Kjo shkakton kosto burokratike dhe njerëzore për rivlerësime të tjera. Procedurat doganore janë një tjetër shqetësim, që ka të bëjë me trajtimin e skontove apo rritjes së vlerës pas zhdoganimit. Ndërkohë, rivlerësimi i deklaratës për një gabim është përcjellë po ashtu si problem, pasi mungon procedura e unifikuar. “Çfarë justifikohet dhe kur është detyrim të bëhet rivlerësimi. Duhet të jetë si deklarata për herë të parë. Por duhet të jetë e qartë”, pretendojnë bizneset. Origjina e mallrave e deklaruar në mënyrë të gabuar është po ashtu shqetësuese. “Penalitetet që duhen paguar janë problem, nuk duhet t’i paguajë bizneset, e ka lëshuar gabim një autoritet tjetër”, vijojnë bizneset, teksa rendisin më tej si problematika ankimimin e vendimeve ligjore, regjimin e përkohshëm apo deklarimin e rentës minerare, e cila ende ka problematika në kohë dhe procedurë.
Ikonomi: Synimet e Doganave në 2019
E pranishme në takim, drejtoresha e Doganave znj. Belinda Ikonomi, pasi bëri një përmbledhje të vitit të shkoi, theksoi edhe synimet e këtij viti nga ky institucion. “Prioritet i qeverisë shqiptare është krijimi i një klime të favorshme për biznesin, të cilin e konsideron motor të zhvillimit ekonomik të vendit dhe padyshim, roli i doganës shqiptare është mjaft i rëndësishëm dhe kyç në këtë klimë. Çfarë kemi bërë ne si administratë vitin që shkoi dhe cilat janë sfidat që kemi përpara? Një ndër objektivat tanë më të rëndësishëm është përmirësimi i shërbimit për qytetarët dhe biznesin. Në këtë aspekt, kemi punuar intensivisht në drejtim të shërbimeve të shpejta për të gjitha autorizimet që administrata doganore ofron në përputhje me ligjin. Kemi ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe nëpër Degët Doganore Pikat Informuese për Qytetarët/Bizneset (Info Point). Në kuadër të derregullimit, objektivi ynë gjatë këtij viti është në përfshirjen e pjesës më të madhe të autorizimeve në Platformën E-Albania, duke ndryshuar tërësisht rikonceptimin e ndërveprimit aktual për shërbimet, ku elementi kryesor është jo vetëm aplikimi online nga ana e subjektit, por dhe vendimmarrja totalisht në mënyrë elektronike nga administrata doganore, pra që dhe autorizimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave apo Degëve Doganore të jetë i nënshtruar elektronikisht”, tha Ikonomi. Nga ana tjetër, drejtoresha e Doganave theksoi se sfidë mbetet implementimi i një Dogane pa letër, jo vetëm për shkresat ndërmjet strukturave tona, por ndërmjet Biznesit dhe doganës për procedura dhe vendime transparente dhe në një kohë sa më të shkurtër.