Partia Demokratike ka nisur mobilizimin për protestën e 16 shkurtit. Sipas informacioneve të gazetës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një urdhër krerëve të PD në rrethe dhe jovetëm, që të nisin takimet derë më derë me qytetarët, duke i ftuar këta të fundit t’i bashkohen protestës së opozitës paraditen e 16 shkurtit para selisë së Kryeministrisë. Por duke qënë se protestat e fundit të opozitës kanë treguar një tkurrje të simpatizantëve të saj, mësohet se në urdhrin e tij, Basha ka kërkuar që protestat do të jenë fillimisht lokale. Kështu, sipas informacioneve duke nisur nga data 4 shkurt demokratët do të nisin demonstrata në rrethe. Ndërkohë që mësohet se deputetët e zonës, kryesia por edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar demokrat do të ndahen në degët e partisë për të mundësuar organizimin e protestave në rrethe. Nga ana tjetër gazeta mësoi se sekretariatet e rifreskuar me votën e Këshillit Kombëtar vetëm një javë më parë, e më specifikisht ai organizativ i kryesuar nga Sahit Dollapi, janë ngarkuar me ndërtimin e një kalendari, i cili pritet të përfundojë brenda dy ditëve për të përcaktuar lokalitetet dhe oraret e revoltave që do të organizohen në rrethe, për të kulmuar më pas me protestën e 16 shkurtit në Tiranë. Po ashtu, gazeta mësoi Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Grida Duma, Gazmend Bardhi dhe Aldo Brumçi janë deleguar në Tiranë për organizmin e protestës. Ndërsa sa i përket rretheve, mësohet se në Fier është deleguar Enkelejd Alibeaj dhe në Shkodër Flamur Noka. Në të njëjtën kohë, duke qënë se kreu demokrat ka frikë nga braktisja e militantëve, mësohet se Basha pritet të nisë një tur takimesh me qytetarët në rrethe të ndryshme të vendit, për të përçuar mesazhin që nga foltorja e parlamentit e shpalli edhe mision parësor të opozitës. Mirëpo, nuk ndalet me kaq, pasi mësohet se takime me qytetarët do të zhvillojë edhe Forumi rinor i Partisë Demokratike, i cili i fokusuar tek rinia, pritet të nisë edhe një tur bisedimesh me studentët për t’i ftuar në protestë. Edhe në këtë të fundit nuk do të mungojnë simbolikat, tashmë një shenjë e dallueshme e protestave të demokratëve, përmes të cilave ata përçojnë mesazhe tek qytetarët. Tradicionalisht protestat e drejtuara nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ruajnë profilin e tyre paqësor e demokratik, por mbetët për t’u parë në ditët në vijim se si do të jenë këto protesta, pasi gjuha e artikuluar nga Berisha dhe Kryemadhi ka qënë shumë e ashpër, të cilët kanë bërë thirrje për revolta.
Protestat, LSI nis takimet me strukturat
Ashtu si Partia Demokratike, edhe Lëvizja Socialiste ka nisur mobilizimin për protestën e 16 shkurtit. Ka qënë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila ditën e djeshme gjatë një takim me strukturat në Kamëz i ka bërë thirrje qytetarëve që të mobilizohen për të rrëzuar së bashku më 16 shkurt qeverinë “Rama 3. Gjatë fjalës, Kryemadhi deklaroi se duhet rrëzuar me patjetër ky sistem, pasi sipas saj, është i kalbur dhe po mbahet në këmbë vetëm nga shqiptarë të varfër. “Banorët e Kamzës janë njëlloj Rama dhe deputetët që janë në Kuvend. Qytetarët e Kamzës nuk mund të kenë doktoratura si puna ime, por kanë një zemër të madhe. Le të fillojë organizmi i LSI për protestën e 16 shkurtit. Të nisë nga kjo bashki që ka pasur revoltën kundër padrejtësive. Sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për solidaritetit. Kemi nevojë për solidaritet njerëzor për të rrezuar këtë sitëm që grabit qytetarët dhe pasurohet duke vjedhur paratë e të varfërve. Ky sistem që po e kthen vendin në diktaturë të krimit dhe të drogës. Prandaj ne nuk do të ndalemi. Në çdo qytet të ngrihemi të gjithë ndaj këtij sistemi të kalbur që mbahet gjallë sepse janë shqiptarët e varfër. Opozita e bashkuar ka arsye për të mos u ndaluar”, deklaroi Kryemadhi.
Rigels Seliman









































