Ish-gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj doli dje para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kërkuar prishjen e vendimit të shkarkimit të marrë pak kohë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Fillimisht seanca për të ishte planifikuar në datën 9 janar në dhomë këshillimi, por më pas u vendos për seancë publike. Gjatë seancës së djeshme, Lazaj, i shoqëruar nga avokati mbrojtës Sokol Hazizaj, nuk kurseu akuzat ndaj komisionerëve të vetingut, veçanërisht ndaj Brunilda Bekteshi. “Kryesuesja e trupës gjykuese, Bekteshi ka shkelur kriteret ligjore. Bekteshi nuk u konsultua me anëtarët e tjerë të KPK. KPA të konstatojë shkeljen procedurale”, u shpreh Lazaj.
Dozën e sulmeve e shtoi avokati Sokol Hazizaj. “Për ne ka shumë vlerë standardi i gjykimit. Jam dakord që subjekti mund të rivlerësohet me një kriter, por të zbardhen dhe dy kriteret e tjera. Trupa gjykuese ka qenë e njëanshme në gjykimin ndaj Lazaj. Komisionerja Brunilda Bekteshi bënte ndërhyrje arbitrare”, tha avokati. Sakaq, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi t’i lërë kohë në dispozicion Artan Lazajt për të bërë paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, për tu mbledhur sërish për vendimin ditën e hënë. “Gjatë seancës së sotme, subjekti i rivlerësimit kërkoi rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me pretendimin se shkeljet e rënda procedurale për mosshqyrtimin e kërkesës së tij për përjashtimin e Komisioneres Brunilda Bekteshi, nga një tjetër trup gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, krijojnë kushtet për pavlefshmëri absolute të vendimit. Pas dëgjimit të subjektit të rivlerësimit dhe administrimit të provave, trupi gjykues përfundoi shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe ftoi subjektin e rivlerësimit të parashtronte konkluzionet përfundimtare. Bazuar në kërkesën e subjektit të rivlerësimit, i cili kërkoi kohë për të bërë paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore ditën e hënë, më datë 28.01.2019, ora 11.00”, njoftoi KPA.