Damasku ka kërcënuar se do i kundërpërgjigjet agresionit izraelit dhe shumë shpejt do synojë aeroportin e Tel Avivit, ndërkohë kërkohet edhe ndërhyrja e Këshilli të Sigurimit të OKB, që t’i japë fund ndërhyrjeve të Izraelit në hapësirën ajrore siriane. Ky reagim i Sirisë vjen si hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në qiellin sirian dhe atyre të kryera në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut. “A nuk është koha tani që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të ndalë agresionet e përsëritura izraelite në territoret e Republikës Arabe të Sirisë?”, u shpreh përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, Dr Bashar al-Jaafari. Sulmet ajrore kundër objekteve të dyshuara iraniane në afërsi të aeroportit më të ngarkuar të Sirisë janë bërë një normë për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), ish-shefi i stafit të së cilës haptas rrëfeu muajin e kaluar për të drejtuar një fushatë bombardimi në shkallë të gjerë në Siri për vite me rradhë.