Shitja e Telekom rrezikon largimin e 400 punonjësve nga puna, sindikata negociata me MIE dhe AKEP

0
603

Shitja e Telekom Albania një kompanie bullgare ka hapur debatin e mprehtë të sigurisë së vendeve të punës në sektor. Lidhur me këtë çështje, përgjigjet ekskluzivisht për gazetën “Sot” Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Post-Telekomit Shqiptar, z. Renato Muçaj.

Z. Muçaj, në deklaratën tuaj si sindikatë të datës 17 janar shprehni shqetësim për të ardhmen e punonjësve të Telekom Albania, pas shitjes së kësaj të fundit tek një sipërmarrës bullgar dhe një shqiptaro-bullgar. Pse?

Si të gjithë, u informuam nga mediat për shitjen nga kompania greke OTE, pjesë e grupit Deutsche Telekom, të pjesës së saj të aksioneve (85 përqind) në kompaninë Telekom Albania tek kompania bullgare “Albania Telecom Invest AD”. Sindikata e Post-Telekomit Shqiptar funksionon tashmë prej disa vitesh, tërësisht e rinovuar dhe me një program të qartë përfaqësimi të punonjësve të sektorit, nëpërmjet anëtarësimit në rrjetin global që përfshin mbi 103 sindikata të sektorit të shërbimeve, UNI Global Union dhe partneritetit me sindikatën më të madhe në Evropë, me 2 milionë anëtarë, sindikatën gjermane të telekomunikacionit Ver.di. Kemi kërkuar transparencë për sa i përket marrëveshjes mes dy kompanive dhe kemi shprehur shqetësimin për fatet e punonjësve aktualë të Telekom Albania në Shqipëri. Aktualisht kompania “Telekom Albania”, punëson 27 % të punonjësve në sektorin e komunikimeve celulare në Shqipëri, plot 400 vetë. Mund t’ju kujtohet rasti i kompanisë “Plus Communications”, e cila doli nga tregu në janar të vitit 2018. Të 280 punonjësit e saj u ndodhën në mes të katër rrugëve. Nuk duam të përsëriten raste të tilla. I kemi kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në veçanti Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare(AKEP), i cili është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike, që të bëjnë publike negociatat dhe të sigurojnë se plani i biznesit i kompanisë bullgare “Albania Telecom Invest AD” do të ruajë vendet aktuale të punës në kompaninë Telekom Albania dhe nuk do të aplikojë shkurtime drastike të vendeve të punës, me justifikim futjen e teknologjive të reja. Deri tani nuk kemi asnjë të dhënë nga strukturat përgjegjëse të shtetit tonë, vetëm një njoftim të kompanisë private që shet aksionet e saj tek Telekom Albania. Do t’i kërkojmë, si palë e interesuar drejtpërsëdrejti, Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin të Kuvendit të Shqipërisë që të mbikëqyrë me kujdes dhe rreptësisht këto negociata, për të mos lejuar cënimin e interesit publik, në rradhë të parë të së ardhshmes së vendeve të punës në kompaninë Telekom Albania.

Pse mendoni se mund të ketë shkurtime drastike të vendeve të punës?

Jemi në kushtet kur sektori i telekomunikacionit si në Shqipëri, si kudo në botë, ndodhet në ndryshim radikal dhe të vazhdueshëm. Kompanitë e komunikimeve celulare kanë rezultuar me humbje gjatë vitit 2017 dhe të dhënat paraprake për vitin 2018 sugjerojnë se situata nuk ka ndryshuar për mirë. Këto kompani ndodhen përpara ndryshimeve vendimtare dhe nën presion të vazhdueshëm. Sikurse e përmenda më lart, kompania e katërt doli nga tregu një vit më parë. Kompanitë celulare gjenden përballë domosdoshmërisë së zgjerimit të shpejtë të rrjeteve infrastrukturore me kapacitete transferuese FTTx dhe 5G, si nga pikëpamja financiare, organizative dhe e personelit. Kjo mund të kërkojë reduktim të madh të personelit të sotëm. Kompanitë duhet me patjetër të përballojnë fluksin e rritur të të dhënave, që pritet të ndodhë në kuadër të aplikimeve të realitetit virtual (VR) dhe të gjithë rrjetit (interneti i gjerave IoT) nga pothuajse të gjitha fashat e popullsisë. Kompanitë e sektorit sot po përballen po ashtu me rrezikun e lënies në hije nga ofruesit e shërbimeve OTT(kryesisht filma, televizion dhe muzikë drejtpërsëdrejti tek konsumatori), si dhe me domosdoshmërinë e instalimit të modeleve të reja të prodhimit (SND-rrjeti i përcaktuar nga program kompjuterik) dhe NFV-virtualizimi i funksionit të rrjetit), për të shfrytëzuar më mirë mundësitë e përshtatshmërisë së rrjeteve me bazë ofrimi të internetit. Sindikata gjykon se ka një risk të lartë të humbjes masive të vendeve të punës në një sektor që sot punëson mbi 12 mijë vetë (duke përfshirë edhe kompanitë nënkontraktuese), për shkak të mos-shndërrimit në kohë të kompanive celulare në kompani dixhitale.

Si mendoni se duhet të zgjidhet kjo situatë?

Ne jemi duke përgatitur një strategji alternative për zhvillimin e sektorit 2019-2023 dhe synojmë që, nën shembullin e sindikatave të disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të kërkojmë bashkëpunim jo vetëm me kompanitë private të sektorit, por edhe me strukturat tona shtetërore, Komisionin e Veprimtarive Prodhuese të Parlamentit, Ministrinë e Energjitikës dhe Infrastrukturës, si dhe me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në rolin kjo e fundit e përgjegjëses në shtet për marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës (ka trashëguar funksionet e ish-Ministrisë së Punës), për të realizuar kontratën kolektive të punës për sektorin. Deri tani është vetëm kompania Albtelekom dhe nënkontraktori i saj “Makhes Albania” që kanë realizuar një kontratë kolektive pune me punonjësit e tyre. Gjykojmë se edhe të dyja kompanitë e tjera duhet ta ndjekin këtë shembull. Në rastin konkret, përpara se sa AKEP të japë lejen për transaksionin, pra shitjen e kuotave të kompanisë OTE kompanisë bullgare, duhet të vendosë kushtin që të realizohet kontrata kolektive e punës për punonjësit e Telekom Albania, si një garanci kyçe për sigurimin në të ardhmen të vendeve të tyre të punës.

Intervistoi Mimoza Ibra  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here